Që të jem e sinqertë, u ndjeva ngushtë me këtë temë pasi nga njëra anë njoh pretendimet e prindërve dhe antagonizmin e frikshëm të shoqërisë së sotme dhe nga ana tjetër njoh nevojat e fëmijës. T’i bashkojmë të dyja? Është e vështirë. Preferoj t’ju problematizoj dhe të theksoj që në fillim disa gjëra që duhet të kemi parasysh gjatë periudhës shkollore të fëmijëve tanë.
– Puna e tepruar është armike e punës së mirë.
– Të ndihmosh një fëmijë të punojë, nuk do të thotë se punoj me të, përkundrazi e mësoj që të punojë vetë.
– Fëmija ka nevojë për një kultivim të mirë njohurish dhe jo për një llustër njohurish.
– Njeriu i sotëm është ai që përgatit dhe brumos mosha fëminore.
– Përgjegjësia e prindërve është e tillë, që vetëm Perëndia mund të japë urtësi, qëndrueshmëri dhe dashurinë që u duhet për t’u përgjigjur.
– Rris siç duhet fëmijën tim, do të thotë se, e ndihmoj të bëhet ai që duhet dhe se, i gjendem pranë sa herë që ai ka nevojë.
Së pari: “Filloni të njihni fëmijën tuaj, sepse sigurisht nuk e njihni.”
Së dyti: “Njihni nevojat dhe interesat e tij dhe mundohuni t’i plotësoni”.
Për të dyja këto çështje janë bërë studime nga pedagogë dhe biologë të njohur.
Le të njohim fëmijën e ditëve të sotme. Është fëmija që e zgjojmë që në mëngjes për ta çuar në kopsht, se nëna punon dhe kjo bën që të mos ngopet edhe me gjumë. Është fëmija dhjetëvjeçar, që kur i jep dhuratën e Krishtlindjes dhe e pyet nëse është i kënaqur, ai përgjigjet: “Unë jam i kënaqur kur njerëzit duhen dhe jam fatkeq kur njerëzit zihen”. (Thotë fëmija me prindër të divorcuar.)
Janë fëmijët e mbyllur të apartamenteve, që nuk shijojnë natyrën dhe lagjen. Është fëmija i vetëm i familjes, i destinuar të rritet vetëm. Është fëmija me “çelësin në qafë”. Kështu janë quajtur fëmijët e ditëve tona, që hapin derën dhe hyjnë vetëm në një apartament bosh, se të gjithë punojnë. Është fëmija i televizorit, që është bërë shoqëria e tij e vetme. (Në shumë familje luan rolin e kujdestares.) Kohët e fundit televizori është quajtur “prindërit e dytë”. Është fëmija me vështrimin e palëvizshëm dhe zemrën e mbyllur, që jeton në botën me mungesën e oksigjenit shpirtëror për të cilin ka shumë nevojë.
1 – Së pari dominon nevoja për të pasur një klimë të përshtatshme familjare, por do të ndalemi më gjatë.
2 – Nevoja e gjumit, e domosdoshme për shpëtimin e shpirtit dhe trupit të fëmijës. Gjumi i tij duhet të jetë i qetë. Kur gjumi i fëmijës është i shqetësuar duhet të kërkojmë shkakun (sigurisht ka lidhje me mjedisin familjar).
3 – Nevoja e lëvizjes. Është një domosdoshmëri organike kaq e madhe sa edhe nevoja e ushqimit.
4 – Nevoja për natyrën. Është e domosdoshme dhe thelbësore që fëmija të jetojë sa më tepër në natyrë, në dritë, në diell: të lozë, të hidhet, të bëhet me baltë, të laget, të jetojë disa orë jetë fiziologjike. Janë bërë simpoziume botërore për pushimet e të dielave. Me gjithë disavantazhet (lodhje, më pak rendiment pune të hënën) psikiatrët dhe psikologët e shohin si të dobishme dhe bien dakord se, sipas mundësive, këtë duhet të synojmë. Këtu duhet të theksojmë se kjo nuk duhet bërë në kurriz të ardhjes në kishë të dielave, se edhe kisha luan një rol të rëndësishëm në jetën e fëmijës.
5 – Nevoja për një qoshe personale. Guy Jacquin, lidhur me këtë, në librin e tij “Drejtimet e mëdha të psikologjisë së fëmijës” shkruan: “Nëse nuk ka një vend ku të fshehë thesaret dhe sekretet e tij, do t’i fshehë në zemrën e tij dhe kjo do t’u mbetet e mbyllur për gjithnjë.” Për këtë, të paktën, mjafton t’i japim një sirtar të komosë.
6 – Nevoja për sorollatje. Na duket sikur fëmija humb kohën kot, në realitet e fiton, se me këtë mënyrë gjallërohet dhe drejtohet nga krijimtaria. Nuk ka gjë më frytdhënëse dhe fuqizuese se fantazia. Jepini, pra kohë të lirë, mos ia kurseni.
7 – Dashuria për Perëndinë. Nevoja të shijojë Perëndinë, të komunikojë me të, të jetojë brenda hirit të Tij është sot një nevojë e përbashkët botërore, për të cilën na flasin korifejtë e psikologjisë botërore si: Yung, Maeder, Charles Baudouin. “Që nga prehëri i nënës fëmija e ka për detyrë të zhvillojë besimin e tij tek një Perëndi i drejtë, i përkryer dhe i tërëshenjtë që do ta mbrojë me të njëjtën masë që ai do vihet nën mbrojtjen e tij; – shkruan në librin e saj “Edukimi dhe familja” pedagogia zviceriane Suzanne Simon. Dhe vazhdon: “Sipas rregullit të përgjithshëm, kur besimi nuk është rrënjosur gjatë moshës fëminore ndikimi ynë në adoleshencë është kalimtar”.
Le të qëndrojmë tek një çështje. Prindërit mendojnë se fëmija duhet të mësojë, nëse është e mundur, shkrim dhe lexim që në kopsht, të mësojë gjuhë të huaja, kompjuter, muzikë, not, tenis. Të mësojë, të mësojë… Po, harrova. Duhet të jetë edhe i pari i klasës ose i dyti. Të paktën brenda pesëshes më të mirë të shkollës…
(Vijon në numrin e ardhshëm)