Në një nga ditët e konferencës ne zhvilluam një bisedë me At Vasil Thomollarin:
Në lidhje me problemet që ka kjo kishë, mund të them që janë bërë tri gjyqe, nga të cilat dy janë fituar nga ne në kolegjet seleksionuese të Gjykatës së Lartë. Së fundi, është bërë një gjyq, që ia ka kaluar kishën Qendrës Kulturore në Përmet. Është një habi për drejtësinë shqiptare. Ne protestojmë për këtë, sepse ky është një vendim i padrejtë. Ne u jemi drejtuar organizmave ndërkombëtarë, si edhe Kryeministrit e Presidentit me letra e telegrame, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ata duhet të gjejnë zgjidhje për të vënë drejtësinë, në mënyrë që të mos ketë një persekutim të ri Kisha Orthodhokse në Përmet e më gjerë. U bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të bashkohen me ne. Nuk mund ta pranojmë që kjo kishë të prishet përsëri. Nuk mund të lejojmë një ’67-të tjetër në Shqipëri.