EmailFacebookKontakt

Konfirmim i marrëdhënieve shumë të mira dhe vëllazërore midis dy kishave tona motra

Nga data 8-19 nëntor 2003, një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bëri vizitën e parë zyrtare në Kishën Orthodhokse të Rumanisë, pas ftesës së bërë prej Patriarkut të saj, Fortlumturisë së Tij Teoktistit. Delegacioni kryesohej nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasi dhe kishte në përbërje Mitropolitin e Korçës, Hirësinë e Tij Joanin, Kryesekretarin e Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka, at Vasil Thomollarin dhe hierodhjakonin Asti Bakallbashi.

Në aeroportin e Bukureshtit ishte rezervuar një pritje mjaft e veçantë, ku delegacioni i Kishës sonë u prit nga Fortlumturia e Tij Teoktisti, bashkë me 12 mitropolitë e episkopë etj. Ishte një pritje protokollare zyrtare, si për kryetar shteti, me bandë frymore e nderimin e flamurit rumun. Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas dha edhe një intervistë për kanale televizive e radiofonike.

Më pas, u shkua në Kishën Patriarkale të Shën Konstandinit dhe Shën Elenës, ku u pritën nga shumë besimtarë, të paraprirë nga një mitropolit, i cili mbante Ungjillin dhe mjaft klerikë të tjerë, nën ritmin e kambanave. Pas Dhoksologjisë, të dy primatët bënë përshëndetjet zyrtare. Në fund, sipas zakonit kishtar në Rumani, kur kishën e viziton një primat i një kishe tjetër orthodhokse, Kryepiskopi ynë shkroi një dedikim në faqen e parë të Ungjillit liturgjik të Kishës.

Të dielën, 9 nëntor, u zhvillua Liturgjia Hyjnore Kryepriftërore në Kishën tjetër Patriarkale, atë të Shën Spiridhonit të Ri, kishë e shek. 18 – 19, e tëra e pikturuar me afreske dhe me një ikonostas mjaft të bukur. Kisha ishte mbushur plot me besimtarë, të rinj e të reja etj. Të dy primatët filluan Liturgjinë Hyjnore të rrethuar nga mitropolitë, episkopë e klerikë të tjerë.

Pas leximit të Ungjillit, Patriku Teoktist komentoi pjesën ungjillore të ditës dhe menjëherë më pas, bëri prezantimin e figurës së Fortlumturisë së Tij Anastasit, si personalitet i njohur i botës Orthodhokse. Ndër të tjera Ai tha:

“Sot në kishën tonë kemi gëzimin të kemi të pranishëm Kryepiskopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë Anastasin, pas ftesës që i bëri Sinodi i Shenjtë dhe shumë herë i kishim shprehur dëshirën tonë në takime të ndryshme që kemi pasur, që të vijë këtu mes nesh… Gëzimin që kemi ne pas kapërcimit të vështirësive komuniste duhet ta bashkojmë me atin shpirtëror të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë…

Kryepiskopi Anastas është hierarku i parë, Kryepiskopi i parë që risolli përsëri në jetë Kishën e bukur të Shqipërisë pas periudhës komuniste…

Në emër të Sinodit të Shenjtë dhe në emrin tim, kam nderin të ofroj këto engolpione që tregojnë si simbole, edhe përgjegjësinë që ka ai si at shpirtëror i besimtarëve, që kaluan shumë prova të dhimbshme. Tani ai u jep fjalën e Perëndisë, dritën e Perëndisë dhe ngushëllimin në jetën e tyre, duke u kujdesur për ta dhe ofruar përkujdesje sociale.

Fortlumturi, pranoni përgëzimet tona për punën shpirtërore që bëni për Kishën motër të Shqipërisë”

Më pas e mori fjalën Kryepiskopi Anastas, i cili përgëzoi Fortlumturinë e Tij Teoktistin për përparimin dhe sukseset e arritura nga Kisha Orthodhokse e Rumanisë gjatë drejtimit të tij, me gjithë vështirësitë e regjimit komunist (prej vitit 1986), i shprehu mirënjohjen “që me lutjet tuaja na kujtuat dhe na fuqizuat në periudha të vështira”.

Në fund të fjalës, Kryepiskopi Anastas i dhuroi Patrikut Teoktist një komplet enësh të shenjta të Liturgjisë Hyjnore dhe një shandan, duke i quajtur ato si simbol të bashkimit të të gjithë orthodhoksëve rreth falënderimit hyjnor me urimin të mbajë gjithnjë ndezur besimin tek Krishti. Pas Liturgjisë, u shtrua një drekë për nder të delegacionit në Pallatin e Patriarkanës (dikur Kuvendi Popullor i Rumanisë).

Më 11 nëntor paradite, delegacioni ynë u prit nga Sinodi i Shenjtë (i Hierarkisë) i Kishës Rumune, në Sallën sinodale të Patriarkanës (Për sqarim: në Kishën e Rumanisë funksionojnë 2 Sinode: Sinodi i Hierarkisë, ku marrin pjesë të gjithë hierarkët e lartë dhe mblidhet vetëm 3 herë në vit dhe Sinodi Patriarkal, ku marrin pjesë disa hierarkë të lartë dhe mblidhet një herë në 2 muaj).

Pritja ishte mjaft e ngrohtë. Të dy primatët përshëndetën zyrtarisht edhe njëherë njeri – tjetrin dhe mbajtën nga një fjalim përpara Hierarkëve, duke shprehur përgëzimet e ndërsjellta për zhvillimin e jetës kishtare dhe marrëdhëniet mjaft të mira midis të dy Kishave.

Të mërkurën, 12 nëntor, në mesditë u shkua në Universitetin Teologjik të Bukureshtit dhe disa mjedise të tij, ku edhe u drekua bashkë me studentët. Pasdite u bë një vizitë në ambasadën tonë në Bukuresht, ku pati një takim me ambasadorin z. Leonidha Mërtiri dhe personelin.

Më 13 nëntor në mbrëmje, në Sallën e Ceremonive të Fakultetit të Ekonomisë, në Bukuresht, Kryepiskopi Anastas pati një takim me studentë të fakulteteve të ndryshme, ku mbajti edhe fjalimin me temë: “Marrëdhëniet e Orthodhoksisë me fetë e tjera.” U vazhdua me pyetjet e shumta nga të pranishmit rreth temës, për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bashkëjetesën e feve në Shqipëri, rreth dëshmisë për Ungjillin e Krishtit nga orthodhoksët dhe Kisha Orthodhokse kudo në botë etj. Takimi ishte mjaft tërheqës për të gjithë pjesëmarrësit, saqë orët shkuan pa u ndjerë. Më pas, u mor pjesë në agripninë që organizonin të rinjtë në Kishën e Shën Grigor Pallamait, në qytetin e studentit, e cila ishte ndërtuar me nismën dhe kontributin e studentëve të Fakultetit Politeknik dhe të të tjerëve. Pedagog At Konstandin Koman përshëndeti dhe prezantoi figurën e Kryepiskopit Anastas tek studentët pjesëmarrës. Atmosfera e agripnisë, nën drejtimin e dy koreve bizantinë të mrekullueshëm të studentëve, ishte mjaft lutëse dhe shpirtërore.

Ditën e shtunë, 15 nëntor, të shoqëruar nga Fortlumturia e Tij Teoktisti, mitropoliti Nifon i Tërgovishtës, episkopi i Buzaut Epifani dhe i Arxheshit Kaliniku, nga episkopët ndihmës Qipriani, Sebastiani etj., si edhe nga Sekretari rumun i Shtetit për Fenë, z. Laurentie Tanase, u vizitua kisha katedrale “Ngjitja e Zotit në qiell”, në Tërgovishtë, ku delegacioni u prit nga populli dhe i gjithë kleri i rajonit me dhoksologji e buqeta me lule. Më pas u vizitua një kishë historike brenda qytetit dhe manastiri i Shën Nikollës dhe disa mjedise të tij. Aty Kryepiskopi Anastas u intervistua nga 2 kanale televizive TVR e ALPHA TV.

Ditën e diel, u bashkëmeshua nga të dy primatët në Kishën Patriarkale të Shën Konstandinit dhe Shën Elenës, ku u festua 17-vjetori i Fronëzimit të Patrikut Teoktist (1986 – 2003), në krye të Kishës Rumune. Fjalën e përshëndetëse e mbajti Mitropoliti i Moldavisë, Danieli, i cili foli për kontributin e madh të Patrikut në Kishën e Rumanisë dhe më pas Kryepiskopi Anastas theksoi ndër të tjera, se ky kontribut në kohën e vështirë të komunizmit dhe të periudhës së tranzicionit e të konsolidimit nuk ishte vetëm për Kishën e Rumanisë, por për të gjitha Kishat Orthodhokse kudo që ndodhen. Në këtë përvjetor Kryepiskopi Anastas i dhuroi Patrikut Teoktist një ikonë të Hyjlindëses Mari, të pikturuar nga një ikonograf i ri shqiptar. Liturgjia Hyjnore u transmetua drejtpërdrejt nga 2 kanale tv satelitore shtetërore.

Në datën 17 nëntor, delegacioni shkoi në Kishën Katedrale “Fjetja e Hyjlindëses”, të Episkopatës së Buzaut, ku u prit përsëri nga mjaft besimtarë, klerikë e nxënës dhe më pas u vizituan katedralja e re që po ndërtohet, liceu kishtar i Episkopatës “Episkop Qesari”, Shtëpia e Fëmijës (qendër sociale e kishës për fëmijët jetimë, në të cilën zhvilloheshin kurse mësimi të lëndëve kryesore shkollore dhe kurse për mësimin e disa profesioneve si të informatikës, rrobaqepsisë, zdrukthtarisë) etj. Më pas, u bë një vizitë në manastirin e grave të Rrëteshtit, si dhe në shkollën e mesme kishtare të vajzave pranë këtij manastiri.

Në datën 18 nëntor, u vizitua kisha e re madhështore që po ndërtohet kushtuar Shën Andreas, në qytetin Ploesht. Edhe këtu Kryepiskopi dhe delegacioni u pritën nga klerikët e kësaj enorie dhe të disa enorive të tjera përqark, si edhe nga besimtarë e nxënës shkollash.

Pasdite, Kryepiskopi ynë u dekorua nga Presidenti i Republikës së Rumanisë, Shkëlqesia e Tij z. Ion Iliesku, për përpjekjen për dialogun ndërfetar në botë dhe ringritjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Merrnin pjesë Patriku Teoktist, personalitete të larta të shtetit dhe mjaft televizione.

Më 19 nëntor, në mëngjes, u meshua në katedralen e Patriarkanës, në Bukuresht, për 31-vjetorin e dorëzimit në episkop të Kryepiskopit tonë Anastas. Pastaj, Fortlumturinë e Tij e morën në intervistë kanali televiziv kombëtar TVR, ai radiofonik “Actualtati” dhe gazeta “Ziva” (e përditshmja).

Më pas, u vizitua manastiri i burrave në Cërnika. Kryepiskopi Anastas bëri një përshpirtje në varret e teologëve të njohur rumunë të shekullit që sapo kaloi, at Dumitru Staniloae dhe at Ioan Bria. Më pas u vizitua Manastiri Pasare.

Delegacioni ynë kishte një program mjaft të ngjeshur gjatë gjithë qëndrimit të tij, ku u ndërthur në mënyrë harmonike vizita zyrtare me veprimtarinë ndërkombëtare, që do të zhvillohej nga dt. 9 – 13 nëntor.

Kështu, më 9 nëntor pasdite, në Pallatin e Patriarkanës filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Teologjia orthodhokse moderne: Vizioni dhe perspektivat”. Ajo zhvillohej për nder të 100-vjetorit të lindjes së teologut të shquar rumun, at Dumitru Staniloae. Në hollin e godinës ishte hapur edhe një ekspozitë me fotografi nga jeta e vepra e tij, me shkrime, letërkëmbime e libra.

Në kongres merrnin pjesë: Patriku Teoktist dhe episkopë e mitropolitë, si dhe shumë klerikë e laikë, Ministri i Kulturës dhe i Fesë akad. R. Teodoresku dhe Ministri i Edukimit, Kërkimeve dhe i Rinisë prof. dr. A. Athanasiu, Drejtori i Akademisë Rumune akad. E. Simion, Rektori i Universitetit të Bukureshtit prof. dr. J. Mihailesku, profesorë e studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Bukureshtit, familjarë etj. Në veprimtari mori pjesë edhe delegacioni i Kishës sonë, ku Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi ishte i ftuari kryesor i Kongresit. Ishin të ftuar edhe profesorë nga Athina, Selaniku, Roma, Sofia, Gjeneva, Parisi, Shën Petërburgu, Bostoni, Tubingeni dhe nga Kisha Kopte e Egjiptit.

Të gjithë referuesit vlerësuan figurën e madhe teologjike e ekumenike të at Dumitru Staniloae. Edhe Kryepiskopi ynë mbajti ditën e martë, 11 nëntor, kumtesën me temë: “Kontributi orthodhoks në çështjet themelore botërore”, duke iu referuar mendimit të at Dumitru Staniloae (pjesë nga kumtesa botohet në këtë numër të gazetës Ngjallja, f. 7-8).

Në fund të Sesionit të Parë Dekani i Fakultetit të Teologjisë u ndau medaljen “Dumitru Staniloae” Patrikut Teoktist dhe Kryepiskopit Anastas. Më pas, Patriku Teoktist i dha Kryepiskopit tonë Diplomën “Dumitru Staniloae”, titulli më i lartë akademik i Fakultetit Orthodhoks Teologjik të Universitetit të Bukureshtit, që u akordohet personaliteteve të shquara të teologjisë. Ai iu akordua fortlumturisë së Tij Anastasit pas një vendimi të njëzëshëm të profesorëve të Fakultetit e Senatit të Universitetit.

Referatet në Sesione ishin mjaft tërheqëse dhe plot dinamizëm, po kështu edhe diskutimet e debatet teologjike rreth referateve në sesionet e pasditeve.

Gjithashtu, ato ditë sapo kishte dalë në qarkullim libri i Kryepiskopit Anastas “Globalizmi dhe Orthodhoksia”, i përkthyer në rumanisht nga prof. Konstantin Koman. Libri u pëlqye dhe vlerësua shumë, duke pasur një numër të madh lexuesish klerikë e laikë, të cilët nuk rreshtnin t’i merrnin autografe Kryepiskopit.

Ditën e mërkurë, 19 nëntor, në mbrëmje, delegacioni ynë kishtar u largua nga Rumania, i përcjellë sërish me dashuri vëllazërore nga Patriku Teoktist, episkopë etj.