EmailFacebookKontakt

Kisha kontribuon për rrugën në Livadhja

Në krahinën e Livadhjasë shumica e fshatrave janë malore dhe të shkëputura pothuajse tërësisht nga infrastruktura rrugore duke ngelur kështu të izoluara. Komunikimi zgjat në kohë dhe bëhet vetëm me mjete të larta. Janë 16 fshatrat e komunës, nga të cilat 8 lidhen me rrugën që fillon në Livadhja dhe përfundon në Sminec dhe gjithashtu në pikën kufitare që u çel rishtazi pranë Manastirit “Fjetja e së Tërëshenjtës” në Ripesi.

Edhe kjo pikë kufitare nuk po jep frutin e saj të pritshëm për komunitetin lokal për faktin, se mungesa e rrugëve e vështirëson këtë e këto fshatra mbeten të shkreta.

Gjatë gjithë këtyre viteve zona e Livadhjasë ka patur përkujdesjen e veçantë të Kryepiskopit Anastas për një sërë çështjesh sociale si për rrugë, ujësjellës, shkollë, mjedise sportive etj.

Në të gjitha fshatrat pothuajse është ndjerë kjo ndërhyrje që përfshin ringritjen e kishave, riparimin e atyre që kishin shpëtuar nga përndjekja ateiste, rregullimin dhe çeljen e rrugëve të reja në Malcan, Griasdhan, Karroq, Grave etj., terrenin sportiv në Livadhja, ndërhyrje në ujësjellësin qendror të zonës nga burimet e Merkos etj.

Ndërkaq Kryepiskopi Anastas do të jetë bamirësi real i zonës me veprën që është duke u zhvilluar në rrugën pothuajse joekzistuese prej 23 km me iniciativën dhe kontributin e Tij.

Më parë ishte mjaft problem të shkoje me makinë në Manastirin historik të Mesopotamit. Tani në rrugën për tek ai është ngritur kjo urë, me kontributin e Kishës.

Për ndërtimin e rrugës Kisha ka vënë në dispozicion të gjitha makineritë, të cilat kanë mbi dy muaj të pranishme në rrugën Livadhja – Ripës, me synim që ta bëjnë atë plotësisht të udhëtueshme. Ndërkaq për punime që makineritë tona nuk mund t’i bëjnë ndihmohen nga grupe ndërtimore të zonës gjë që indirekt përsëri vjen në ndihmë të punësimit dhe fuqizimit ekonomik të banorëve të zonës.

Ndërhyrjet synojnë në zgjerimin e trupit të rrugës, hapjen e kanaleve anësore për mbrojtjen e rrugës nga reshjet dhe rrëshqitjet, ndërtimin e mureve mbajtëse atje ku kjo është e nevojshme, vendosjen e tombinove në vendet ku kullojnë ujëra dhe kryesisht transportin e një volumi të konsiderueshëm materialesh inerte për shtresën prej 15 cm, që do t’i hidhet pothuajse gjithë rrugës.

Punimet në këtë rrugë, që kalon në një zonë gjysmë të shkretuar vazhdojnë duke dhënë mesazhe shprese për banorët që këmbëngulin të jetojnë në fshatrat e tyre dhe njëherësh për të gjithë ata që mendojnë të kthehen ose që vijnë për vizita.

Edhe një herë tjetër Kisha Orthodhokse është në krye të përpjekjeve për zbutjen e problemeve sociale dhe zhvillimin e infrastrukturës në ndihmë të fshatrave.

Korresp. i “Ngjallja”