“E gjithë jeta e njeriut mund të ngacmohet nga bukuria e të dielave gjatë fëmijërisë”, – shkruan një pedagoge zvicerane, në librin e saj “Edukimi në familje”. Po ne, prindërit, e kemi ndjerë rëndësinë e së dielës në edukimin e fëmijëve tanë?
E diela është dhuratë Perëndie; dita e Zotit; ditë e Ndritshme. Si të tillë duhet ta përjetojnë, të mëdhenj e të vegjël, nëse duam që ajo të jetë burim gëzimi, dashurie, rilindje e qetësimi.
Të tillë duhet që ta ndjejë edhe fëmija. E diela është dita që familja duhet të jetë e mbledhur. Në ditët e tjera të javës pjesëtarët e familjes shihen me vështirësi. E diela u jep mundësi të jenë së bashku në këtë ditë të gëzuar. Eshtë bukur, që të gjithë së bashku, të shkojnë në kishë. Në adhurimin e përbashkët të çlodhin shpirtrat, të marrin fuqi për përpjekjet e javës që vjen.
Tema jonë është: “E Diela në jetën e fëmijës”. E zgjodhëm, sepse në kohën e sotme kjo ditë është shpërdoruar dhe e ka humbur kuptimin e saj të vërtetë. Ndërkohë pedagogë dhe psikologë bashkëkohorë janë ndalur me respekt përpara rëndësisë së saj të madhe. Ata theksojnë së të dielat në moshën fëminore përgatisin të dielat e moshës së pjekurisë.
Pra, si do ta përjetojë fëmija të dielën në moshën e fëmijërisë, që ta përgatisë e frymëzojë të bëhet i pjekur në jetë? Folëm për kuptimin fetar të së dielës, por është e nevojshme ta shikojmë edhe nga ana argëtuese. Prindërit të mos mendojnë se duke i çuar fëmijët në kishë mbaroi detyra e tyre. Natyrisht që jo.
Fëmijët nuk janë ende në gjendje që të kuptojnë bukurinë e himnologjisë, shenjtërinë e Mistereve. Shumë prej tyre edhe lodhen në kishë. Për këtë, programi i së dielës duhet t’i preokupojë seriozisht prindërit.
E diela duhet të jetë një arsye e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve familjare, për lidhje më të forta. Këtë ditë fëmija duhet të shijojë praninë e prindërve në shtëpi, praninë e vëllezërve, të të afërmëve. “Të gjitha i kam, por do doja që prindërit të rrinin më shumë me mua, të loznin me mua”, – thonë fëmijët.
Si mund të realizohet, që fëmijët e prindërit të gëzojnë së bashku. Këtu nuk ka rëndësi se çfarë do bëjnë prindërit, por si do ta bëjnë. Fëmijët duhet të kuptojnë se këtë ditë prindërit janë të tyre, do lozin me ta, do bisedojnë bashkë, do këndojnë, do t’i pyesin. Tryeza e së dielës duhet të jetë festive. Me përgatitjen e saj duhet të merren të gjithë pjesëtarët e familjes.
Kështu fëmijët do të kuptojnë rëndësinë e kësaj dite. Nga ana tjetër dreka e së dielës duhet të jetë e thjeshtë, që nëna të ketë mundësi të bisedojë më shumë me fëmijët. Mbas kishës, mund të bëhen edhe vizita tek të afërmit, një piknik, që të gëzojnë të gjithë së bashku. Të dielën mund të ftojmë për drekë një mik të babait ose një të afërm. Kështu fëmija brumoset me familjen, gëzon, është krenar për atë e s’e bren vetmia de indiferenca e prindërve.
Duam që fëmija ynë të mbetet i vogël e jashtë problemeve të kohës? Le të përpiqemi të mbushim kohën e tyre me gjëra të bukura. Për këtë, Shën Joani i Shkallës shkruan: “Vetëm këngë për Zotin psalni, që të mos mëkatoni me këngë të turpshme e të papërshtatshme”, dhe në një vend tjetër thotë: “Trego anën e mirë e hiqi sytë që atje, shiko qiellin, diellin, yjet, lulet e dheut, pemët e librat e hijshëm”.
E diela është dita e dhoksologjisë së Perëndisë dhe dita e grumbullimit të familjes. E diela quhet si dita e dashurisë. Eshtë mirë që këtë ditë së bashku me fëmijët të shkojmë për të vizituar ndonjë të moshuar ose të sëmurë, që fëmija të ndiejë më tepër dashuri e respekt. Kjo dashuri është ajo që zgjat më shumë.
Nëse dikush ka ndonjë problem dhe ne e diskutojmë në tryezën e së dielës kjo indirekt do të bëhet e pranueshme nga fëmijët, mjafton që ne të mos ushtrojmë presion. Jeta e krishterë është e pashtershme, është krijuese.
Njeriu i sotëm është bërë pasiv dhe tek kjo influencon shumë televizori, por brenda tij ka një fuqi të madhe krijuese. Nëse ne nuk e transmetojmë këtë gjë tek fëmijët tanë, rrezikojmë që të mos u krijojmë mundësinë për një jetë të pavarur, krijuese. Jepuni fëmijëve tuaj frymëzim, krijimtari, oferta dhe e diela do bëhet burim i pashtershëm gëzimi e krijimi për gjithë jetën e tyre.
Gjatë të dielës, në një orë të caktuar, së bashku me fëmijët mund të lexoni ndonjë revistë të kishës për fëmijë, ose pjesë nga Ungjilli. Të gjitha këto nuk duhet të bëhen me detyrim, por me një mënyrë të natyrshme, pa i lodhur fëmijët dhe duke u lexuar gjëra të reja. Që këto biseda të jenë frytdhënëse duhet të krijojmë një klimë të përshtatshme, që fëmijët të shprehin lirshëm mendimin e tyre. Kjo ka mjaft rëndësi, sepse iu hap rrugën për një vend të sigurtë në jetë.
Duhet të kuptojmë se e diela përbën bazën e edukimit të fëmijëve jo vetëm nga kuptimi i saj, por kryesisht nga mundësia e kohës së lirë që na vë në dispozicion për të punuar me fëmijët.
Por, që të gjitha këto të bëhen realitet kërkojnë mund, përpjekje, lodhje. Lind pyetja: Po ne prindërit nuk kemi nevojë për pushim? Përgjigjja është: Jo! Lind pyetja tjetër: Eshtë më e lodhshme të kalojmë më shumë orë të dielave, ose gjatë javës me fëmijët tanë, apo të kalojmë netë pa gjumë, ankth duke parë akrepat e sahatit kur do hapet dera për të hyrë i riu dhe sidomos adoleshenti ose adoleshentja.
Po. Ky është realiteti i sotëm. Çdo epokë ka rreziqet e saj, por sot ato janë më të shumta: Rrymat e ndryshme heretike, satanistët, televizori, narkotikët që vdesin njerëz, të gjitha këto i vënë të rinjtë në pozicion të vështirë. Shpesh janë pyetjet e shokëve, ironia e tyre, ndrydhja nga vetja që i sjell në pozitë të tillë. Nëse nuk ju kemi krijuar ekuilibër rrezikojnë t’i rrëmbejë rryma. Pikërisht këtë duhet të shmangim.
Mjekët na këshillojnë parandalim, pikërisht këtë duhet të bëjmë edhe për shpirtin e fëmijës. Nëse fëmija e fillon javën pas një të diele të gëzuar, me moral të ngritur ai është në gjendje të përballet me ngasjet, t’u kthejë shpinën dhe të përballojë ironitë e shokëve.
Do ishte fatale nëse ua paraqesim fëmijëve jetën si shterpë, negative, të mbushur me gjëra të ndaluara. Jeta nuk është negative, veçanërisht jeta e krishterë.
Duhet të kujdesemi që të krijojmë tek fëmijët tanë raste për “vetëvlerësim”. Eshtë një armë e fuqishme shpirtërore në duart e tyre, e cila e shoqëruar dhe me lutjet tona, do t’i ndihmojë të jetojnë sipas Ungjillorit Joan: “Të rinj, të jeni të fortë” dhe kështu përballen fitimtarë me jetën”.
Përktheu: Nafsika Melo