EmailFacebookKontakt

Mitropoliti Ignat shpallet “Qytetar Nderi” i Beratit

Ishte 18 korriku i vitit 1998, kur Perëndia bëri të mundur me anën e Kryepiskopit Anastas, që të fronëzohej në kishën e Shën Spiridhonit, në lagjen “Goricë”, Mitropoliti i Beratit dhe i gjithë Myzeqesë, Hirësia e Tij Ignati.

Puna e Tij me përkushtim dhe seriozitet ndaj çështjeve administrative dhe sociale, si dhe me dashuri për çdo njeri pa dallim feje apo pozite, i dha Dioqezës së Beratit formën e plotë të një Mitropolie.

Vepra e Tij baritore, me dashuri atërore bëri të fitojë respektin dhe dashurinë e të gjithë qytetarëve të qytetit të Beratit, por edhe më gjerë, të të gjithë pellgut, që nga më i madhi deri tek më i vogli. Me veprën e tij gjatë këtyre viteve Hirësia e Tij, Imzot Ignati, na tregoi se Kisha, mbi të gjitha, është një organizëm, që ka në qendër shpirtin.

Pikërisht për këtë qëllim, për të nderuar dhe respektuar figurën dhe veprën e këtij bariu të dhembshur, më datën 3 tetor 2003, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, të qytetit të Beratit, u zhvillua ceremonia e dhënies së titujve “Qytetar Nderi”, disa prej personaliteteve më të spikatura të qytetit, të huaj dhe vendas. Ndër ta ishte edhe Mitropoliti, Imzot Ignati, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar dhe përkushtim njerëzor në ndërtimin e një atmosfere bashkëjetese, paqeje dhe tolerance midis besimeve fetare dhe besimtarëve, duke kultivuar në emër të Zoti traditat e mrekullueshme të vëllazërimit, solidaritetit, frymës shpirtërore dhe dashurisë njerëzore”.

Nga ana e Tij Imzot Ignati tha: “Nderimi juaj na gëzon së tepërmi dhe na detyron që në të ardhmen të punojmë më me intensitet dhe përkushtim. Ju japim fjalën se Kisha Orthodhokse, ashtu si gjithmonë do të jetë pranë njerëzve nevojtarë”.

Ceremonia vazhdoi më tej me një drekë për nder të të dekoruarve, ofruar nga kryetari i Bashkisë së Beratit.

Le t’i lutemi Perëndisë, t’i japë fuqi dhe ndriçim Imzot Ignatit, që edhe në vitet e ardhshme ta lartësojë edhe më tepër këtë Mitropoli të hirshme.

A. N.