EmailFacebookKontakt

“Kisha, vendi i shpëtimit”

“Kisha, vendi i shpëtimit”, ishte kjo tema dhe mesazhi i aktivitetit rinor të zhvilluar në qytetin e Korçës në mjediset e Qendrës së Biznesit Hotel “Kristal”, në datat 31 tetor deri më 2 nëntor 2003. Në këtë aktivitet morën pjesë grupe rinore nga e gjithë Mitropolia e Korçës si: Leskoviku, Borova, Polena, Ziçishti, Prespa, Zvirina, Tërova dhe Korça.

Aktiviteti u organizua nga Zyra e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë Korçë, në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Rinisë dhe pati një program të ngjeshur me tema shpirtërore si edhe lojëra e aktivitete të tjera argëtuese. Kumtesa kryesore u mbajt nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joani, me temë “Kisha, vendi i shpëtimit”. Në mbrëmjen e ditës së shtunë, Ing. Arben Gjata, pedagog në Universitetin e F. S. Noli në Korçë dhe njëkohësisht kërkues pasionant në fushën e historisë foli mbi: “Krishterimi në trevën e Korçës”.

Ky aktivitet u dha mundësi të rinjve të vizitojnë disa kisha të qytetit, si ajo e Shën Thanasit dhe e Profetit Ilia, në mjediset e së cilës u zhvilluan dhe “Lojërat Olimpike”, ku vendin e parë e zuri grupi rinor i fshatit Borovë, i cili u pasua nga grupi rinor i fshatit Zvirinë në të dytin dhe vendi i tretë u fitua nga grupi i fshatit Tërovë.

Një falënderim i veçantë për zhvillimin e këtij aktiviteti i takon dhe pronarit të Qendrës së Biznesit Hotel “Krishtal”, z. Rezart Kote, jo vetëm për mjediset dhe shërbimin e ofruar, por edhe për ndihmën financiare, e cila mundësoi zhvillimin e këtij aktiviteti në përmasat që ai pati.

Veprimtaria u mbyll të dielën, pas Liturgjisë Hyjnore në Kishën “Ngjallja e Krishtit”, nga ku të rinjtë u larguan më të orientuar në jetën shpirtërore drejt rrugës së shenjtë të shpëtimit dhe me mirënjohje e falënderim të thellë ndaj Perëndisë për bekimet që Ai dhuron.

Korresp. i “Ngjalljes”