Mësuam me indinjatë të madhe, mbi vendimin e Gjykatës së Lartë, të dt. 14.10.2003, vendim, i cili na riktheu edhe një herë në realitetin e dhimbshëm të përndjekjes fetare nga regjimi i diktaturës. Sigurisht, që organeve shtetërore do t’u jetë dukur i thjeshtë ky veprim, sepse në fund të fundit “Kishë është”.
Ajo që ata nuk e kanë menduar më thellë është se do të jemi përpara një ngjarjeje të paprecedent për epokën e demokracisë mbarëbotërore.
Në thelb, kryerja e ekzekutimit të këtij vendimi, do të thotë shembje e Altarit të Shenjtë, flakje e kryqit të nderuar, shkulje e ikonave të shenjta nga muret e kishës e mbi të gjitha, përdhosje e një vendi tepër të shenjtë për orthodhoksët e Përmetit. Në vend që drejtësia të dënojë ekspertët që nën forcën e mjeteve të njohura gënjyen, i thotë po gënjeshtrës së tyre dhe këtë gënjeshtër e shpall si të vërtetë.
Ajo që sot në botë është dënuar ligjërisht dhe moralisht, në Shqipëri po ndodh me vendim gjykate, e cila urdhëron rishtetëzimin dhe rikonfiskimin e kishës «Shën Maria e Pazarit» ashtu si në vitin 1967. Pra, po përsëritet historia famëkeqe e së kaluarës, gjë që na bën shumë pesimistë për të ardhmen në atdheun tonë.
Ne, si të rinj, jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të prindërve tanë, rreth klerikut tonë të nderuar, për të mos lejuar të ndodhë një turp i tillë. Ne do jemi të parët që do përshkallëzojmë protestën tonë, për t’i thënë ndal përndjekjes. Sepse, nëse ndodh, kisha jonë do mbahet mend si kisha që u bë dy herë shtëpi kulture. Kjo do ta prishte në mënyrë të pariparueshme imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Rinia Orthodhokse, Përmet