Kisha paraqitet e tipit me plan qendror, pjesa fundore lindore e së cilës zihet e gjithë nga vendi i shenjtë, ndërsa pjesa fundore perëndimore është e ndërthurur me galerinë me kollona, që në këtë pjesë ka vlerën e ekzonarteksit. Galeria qarkon korpusin nga të tria anët, duke shërbyer dhe si pjesë lidhur me kullën e kambanave, e cila lexohet dukshëm në një anë nga plani qendror. Në kambanore zhvillohet shkalla për t’u ngjitur në gjinekonit (vendi ku, në kishat e vjetra, rrinin gratë). Në pjesën nën kuotën e dyshemesë së kishës, duke shfrytëzuar pjerrësinë e terrenit, është organizuar shtëpia e priftit, si dhe pjesa ku vendosen pajisjet e ngrohjes, gjeneratorët etj.
Nga pikëpamja hapsinore, kisha paraqitet një hapësirë tepër unike dhe e pacopëtuar, që kulmohet me kubenë, ku do të afreskohet Krishti Pantokrator që dominon gjithë hapësirën. Kulla e kambanave shquhet nga volumi vertikal veças korpusit kryesor, duke u lidhur drejtpërdrejt me të në nivelin e gjinekonitit. Nga jashtë kisha reflekton drejtpërdrejt dhe pa artifice organizimin e hapësirës së shenjtë të brendshme. Kisha është një kompozim, i cili shpreh tiparet më të përsosura të traditës ndërtuese bizantine të kultit. Objekti është i trajtuar në mënyrë të tillë që të mimetizohet në mënyrë të përsosur me terrenin e pjerrët dhe shkëmbor duke u bërë pjesë organike e siluetës së qytetit të Lezhës nga ana perëndimore. Karakteristikat e objektit janë:
Sipërfaqja totale në plan 315 m2
Sipërfaqja vetëm e naosit 156 m2
Lartësia e kubesë qendrore 17.3 m
Lartësia e kambanores 19.8 m
Ark. Arben Manço
Pamje e kishës së Lezhës