Është bërë traditë tashmë, që ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane të organizohen edhe në Shqipëri. Në datat 28-30 shtator, në të gjithë Shqipërinë e veçanërisht në qytetin e Gjirokastrës, u organizuan ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane. Organizimi korrekt dhe i pasur i programit të atyre ditëve dhe pranimi i qytetit të Gjirokastrës nën mbrojtjen e UNESCO, bëri që ky aktivitet të kishte një jehonë të gjatë edhe më pas. Në veçanti ishte me rëndësi përfaqësimi i Kishës sonë me një ftesë të bërë nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore e Ministrisë së Kulturës. Në këtë aktivitet Kisha u përfaqësua nga prof. dr. Pirro Thomo, ark. rest. Joan Stratobërdha (bërthama e trashëgimisë kulturore) dhe Orfea Beci (Mitropolia e Gjirokastrës).
Me interes ishte prezantimi në këtë aktivitet i “kuadrit ligjor për Trashëgiminë Kulturore”, i cili iu bë i njohur pjesëmarrësve me anë të një botimi të plotë. Ky kuadër ligjor do të përmirësojë më tepër marrëdhëniet e institucioneve të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen, vlerësimin, studimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore.
Kisha jonë merr pjesë në këtë aktivitet si një organizëm, që ka kontribuar më shumë financiarisht dhe moralisht për rimëkëmbjen e trashëgimisë kulturore mbas vitit 1990. Me interesimin dhe financimin e Kryepiskopit Anastas janë restauruar dhe janë bërë ndërhyrje në rreth mbi 40 kisha-monumente kulture. Mirënjohja ndaj këtij kontributi u vu re dhe në falënderimin që iu bë të ftuarve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, z. Vasil Tole.
Ark.Rest. Joan Stratobërdha