EmailFacebookKontakt

“Ta doni njëri – tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur”

– Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë) prej më shumë se 10 vjetësh – zyrë sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë –

Mesazhi i Zotit tonë Jisu Krisht, i Krishterimit dhe i Kishës Orthodhokse, është universal. Ai është një mesazh shpëtimi dhe dashurie të pakufishme. Jisui tha: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri – tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur”. (Joani 15:12)

Si mund të shihet konkretisht kjo dashuri në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë?

Ka shumë mënyra. Njëra është përmes jetës së besimtarëve të ndryshëm, të cilët sakrifikojnë për njëri-tjetrin, i shërbejnë Perëndisë dhe Kishës, ndihmojnë të varfrit, vizitojnë të sëmurët dhe të burgosurit dhe ngushëllojnë të vetmuarit. Kjo dashuri mund të shihet qartë edhe përmes veprimtarisë së zyrës Diakonia Agapes që do të thotë “Shërbimi i Dashurisë”.

Zyra Diakonia Agapes u krijua në vitin 1992, me iniciativën dhe bekimin e Kryepiskopit Anastas, si zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Diakonia Agapes, filloi aktivitetin si një përgjigje dashurie dhe sakrifice kundrejt situatave emergjente të një periudhe kritike tranzicioni në Shqipëri.

Që me lindjen e saj, në vitin 1992 e deri më sot, fokusi i zyrës është zhvilluar duke kaluar nga fusha e emergjencës, në fushën e zhvillimit, për t’u përshtatur sa më mirë me nevojat në ndryshim të shoqërisë shqiptare.

Tashmë zyra Diakonia Agapes, duke mobilizuar dhe organizuar burime njerëzore, materiale e financiare brenda dhe jashtë vendit, mbërrin tek grupet e mënjanuara dhe të varfra të shoqërisë, duke punuar së bashku me komunitete dhe individë për të arritur ndryshime të qendrueshme në jetën e tyre.

E gjithë puna dhe aktiviteti i zyrës udhëhiqet nga Misioni i saj, i cili është:

“Duke shprehur dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për të gjithë njerëzimin, pa dallim race ose besimi, Diakonia Agapes punon me njerëzit, veçanërisht të varfrit e të mënjanuarit e Republikës së Shqipërisë, për të ngjallur shpresë, besueshmëri, vetëiniciativë dhe zgjidhje të nevojave të tyre kritike, nëpërmjet asistencës, edukimit dhe mbështetjes financiare”.

Fushat kryesore të veprimtarisë së zyrës Diakonia Agapes janë:

Fusha e zhvillimit rural – Me synimin të kontribuojë në përmirësimin e standardit të jetesës së njerëzve në zonat rurale.
Fusha e shëndetit dhe edukimit – Me synimin të përmirësojë shëndetin dhe mënyrën e jetesës së njerëzve.
Fusha e kujdesit social – Me synimin të sigurojë një jetesë me dinjitet për njerëzit e mënjanuar të shoqërisë.
Fusha e emergjencës – Në raste emergjence Diakonia Agapes do të vazhdojë t’iu shërbejë individëve në nevojë. Zyra Diakonia Agapes është e gatshme dhe e aftë të sigurojë ndihmesën e saj në menaxhimin e situatave në rast emergjence.

Ku shtrihet veprimtaria e zyrës Diakonia Agapes?

Kryesisht programet dhe projektet e zbatuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyra shtrihen në zonën malore të Shpatit – Elbasan dhe zonën rurale të Kavajës.

Ndërkohë që, me anë të programeve e projekteve të mbështetura financiarisht nga tryeza e rrumbullakët e zyrës, Diakonia Agapes, aktiviteti shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Cilat grupe të popullsisë synohen me anë të aktivitetit të zyrës Diakonia Agapes?

Në aktivitetin e saj zyra ka synuar dhe synon aktualisht të përfshijë njerëz të mënjanuar e të varfër të shoqërisë shqiptare, pa dallim race e besimi. Deri më sot, në programet e projektet e zyrës janë përfshirë fermerë, blegtorë, gra të zonave rurale, personel mjekësor i zonave rurale, nxënës shkollash, të rinj të zonës së Shpatit, fëmijë me probleme sociale, fëmijë me aftësi të kufizuara, jetimë, të rinj në qytete të ndryshme të Shqipërisë, etj.

Zyra Diakonia Agapes merr pjesë në takimet e tryezës së rrumbullakët që organizohen nga Këshilli Botëror i Kishave, nëpërmjet së cilës agjenci ekumenike të zhvillimit ofrojnë mbështetje afatgjatë për programe e projekte që zbatohen nga zyra.

Zyra Diakonia Agapes gjithashtu bashkëpunon dhe me organizata apo institucione qeveritare dhe joqeveritare brenda Shqipërisë.

Disa programe të zbatuara ndër vite nga zyra Diakonia Agapes janë:

• Programi i Përkujdesjeve Ditore, me përkujdesje ditore që operojnë në qytete të ndryshme të vendit si Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnje, Gjirokastër, Sarandë, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Përmet. Seminar për trajnimin e stafit mësimdhënës të përkujdesjeve ditore.

• Mbështetje financiare për projekte të zbatuara nga OJF të ndryshme në vend.

• Mbështetje financiare për projekte e aktivitete të zbatuara nga grupet e grave orthodhokse në Tiranë, Korçë, Shkodër e Durrës, me personal e moshës së tretë, jetimët, të braktisurit etj.

• Mbështetje financiare për Zyrën Kombëtare Rinore si dhe mbështetje financiare për aktivitete të grupeve të ndryshme të Lidhjes Rinore Orthodhokse “Bij të Dritës”.

• Projekti “Dikush mendon për ju”, që ofroi dhurata për 1,000 fëmijë me probleme sociale në të gjithë Shqipërinë.

• Programet e emergjencës. Që nga 1997-2001 zyra Diakonia Agapes ka qenë partneri lokal i Action by Churches Together (ACT – dega e emergjencës pranë Këshillit Botëror të Kishave) dhe ka realizuar programe të ndryshme emergjence në të gjithë Shqipërinë.

Gjatë krizës së vitit 1997
Nën kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas u shpërndanë ndihma me pako ushqimore për 15,184 familje në të gjithë Shqipërinë.

Kriza kosovare e vitit 1999
Këtu mund të përmendet programi më i madh që është zbatuar gjatë periudhës së krizës kosovare, prill 1999 – shtator 2001, ku iu qëndrua pranë më shumë se 30,000 të ardhurve nga dhuna në Kosovë. Në kuadër të këtij programi u ngritën edhe kampe për të strehuar të ardhurit. Kampi i fundit i administruar nga Kisha jonë u mbyll në qershor të vitit 2001.

• Programi “Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë”
I zbatuar që prej vitit 1994 e në vazhdim, në zonën rurale të Shpatit, Elbasan, si dhe më pas në Kavajë. Me anë të këtij programi synohet të kontribuohet në rritjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të zonës së Shpatit dhe Kavajës. Ndër vite, pjesë e këtij programi kanë qënë projektet e mëposhtme:

=> Zhvillimi i pemëve frutore dhe perimeve – në zonën e Shpatit
=> Zhvillimi i blegtorisë – në zonën e Shpatit
=> Përfshirja e grave të zonave rurale në nismat zhvilluese – në zonën e Kavajës.

Qëllimi i këtij programi arrihet me anë të ofrimit të shërbimeve të tilla si: trajnime për fermerë dhe blegtorë, asistencë teknike për fermerë, shërbime të ekstensionit, organizimi i fushatave të sensibilizimit për shërbime që duhet të kryhen në blegtori dhe bujqësi etj.

Në vitin 1999, në Shpat u krijua zyra rajonale e Diakonia Agapes, me qëllim që të ndiqte nga afër projektet që zbatoheshin nga zyra në këtë zonë. Kjo zyrë shërben gjithashtu si urë lidhëse midis komunitetit të zonës dhe zyrës Diakonia Agapes në Tiranë.

Gjatë vitit 2003, nga zbatimi i këtij programi do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë:
– 75 fermerë dhe 80 nxënës të shkollës së mesme Gjinar, si pjesëmarrës në trajnimet në fushën e bujqësisë;
– 75 blegtorë të trajnuar në fushën e blegtorisë;
– 1180 fermerë e blegtorë që do të marrin njohuri teorike dhe praktike gjatë shërbimeve të ekstensionit si dhe
– 1330 fermerë që do të pajisen me materiale ndihmëse.

• Programi “Shëndeti dhe shoqërizimi i grave në zonat rurale”
Që nga fillimi i tij në vitin 1995, programi është zbatuar në 22 fshatra të Elbasanit dhe në 10 fshatra të Kavajës. Ky program ka synimin të kontribuojë në përmirësimin e elementëve të kujdesit shëndetësor parësor të grave dhe vajzave në zonat rurale, si dhe të mbështesë gratë dhe vajzat në rolin e tyre si bashkëshorte, nëna dhe pjesëtare aktive të komunitetit. Nga projekti deri më sot kanë përfituar:

– Rreth 4500 gra e vajza rurale që kanë rritur njohuritë e tyre shëndetësore duke marrë pjesë në tema shëndeti;
– Afërsisht 2500 gra dhe vajza rurale që kanë marrë pjesë në biseda mbi tema sociale;
– Gjithashtu gjatë viteve të zbatimit të projektit, 52 infermierë, mami dhe mjekë kanë rritur nivelin e tyre profesional duke marrë pjesë në trajnime të organizuara nga zyra;
– Rreth 2600 banorë nga të dy zonat Kavajë dhe Elbasan, tashmë nuk janë të detyruar të udhëtojnë gjatë për të patur shërbimin shëndetësor për të cilin kanë nevojë, pasi 2 qendra shëndetësore janë ndërtuar në fshatrat Gjinar dhe Pashtresh në zonën e Shpatit – Elbasan. Ndërsa në zonën e Kavajës është rehabilituar 1 qendër shëndetësore së bashku me kopshtin e fëmijëve në fshatin Kalush. Diakonia Agapes synon të përmirësojë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor në zonat rurale ku zbatohet programi.

• Projekti “Edukim shëndetësor për fëmijë në zonat rurale” (zona e Kavajës)
Që ka filluar të zbatohet që në vitin 2000, si një projekt pilot. Ai synon të kontribuojë në përmirësimin e edukimit shëndetësor të fëmijëve nga 10-14 vjeç në zonat rurale dhe në krijimin e një mjedisi të ngrohtë social, ku fëmijët mund të shprehin gjallërinë e tyre. Motoja e projektit është: “Informim, edukim, veprim”. Nga aktivitetet e projektit përmendim mësime shëndeti, vizita mjekësore për fëmijët, aksion pastrimi në shkollë, ekspozitë e teatër me maska për fëmijët, gjelbërim ambienti, mbledhje me mësues e prindër, shpërndarje e paketave të ndihmës etj. Këtë vit në këtë projekt janë përfshirë rreth 400 fëmijë të dy shkollave tetëvjeçare në fshatrat Zhabjak e Ballaj të rrethit të Kavajës.

Gjatë viteve të fundit zyra Diakonia Agapes është përpjekur për të pasur mbështetje financiare edhe nga organizata donatore brenda vendit. Në kuadër të këtyre përpjekjeve në nëntor të vitit 2002 zyra fitoi një grant për Projektin “Duke punuar së bashku për integrimin e fëmijëve”. Ky projekt mbështetet financiarisht nga USAID nëpërmjet Partnerët – Shqipëria dhe zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat”. Ai synon integrimin e 30 fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar aftësitë e vetëshërbimit, duke ngritur nivelin arsimor të fëmijëve dhe duke rritur ndërgjegjësimin e komunitetit mbi nevojën e mbështetjes së kësaj kategorie të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbi domosdoshmërinë e integrimit të tyre në shoqëri. Një nga aktivitetet e këtij projekti ishte dhe prodhimi i kalendarit të vitit 2004, që paraqet në fotografi punimet pirografike e vizatimet e fëmijëve të qendrës.

Gjatë organizimit të aktiviteteve të ndryshme, grupeve të synuara u shpërndahen broshura, fletë informimi dhe materiale të tjera informuese, të cilat përgatiten nga punonjësit e zyrës.

Diakonia Agapes ka një staf të kualifikuar, i cili vazhdon të rritet profesionalisht duke marrë pjesë në trajnime e seminare brenda e jashtë vendit. Kjo bën që edhe shërbimet e ofruara për përfituesit të jenë cilësore.

Vit pas viti, aktiviteti e puna e zyrës Diakonia Agapes, janë bërë të njohura ndër organizata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Me këto organizata tashmë janë vendosur marrëdhënie bashkëpunimi e partneriteti, të cilat kanë shërbyer jo vetëm për shtrirjen më tej të aktiviteteve, por edhe për të bërë të njohur përpjekjet e vazhdueshme e shumë të prekshme të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, për të sjellë ndryshime në jetët e njerëzve në të gjithë vendin.

Në ditët e sotme, nën kujdesin baritor e me bekimet e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, shërbimi i Diakonia Agapes është shtrirë duke mbërritur tek njerëzit e mënjanuar e të harruar të shoqërisë duke punuar së bashku me ta. Çdo përpjekje e bërë me anë të programeve, projekteve, apo edhe një aktiviteti të veçantë të zyrës, bëhet me përkushtim, vendosmëri e me dashuri, me një dashuri që bën ndryshime.

Mësime me vlerë praktike

Historia e mëposhtme flet për Hane Shqaun, e cila është një prej infermiereve të personelit të mesëm mjekësor në komunën e Shushicës-Elbasan. Ajo kujdeset për 950 banorë të fshatit Mlizë. Ajo tregon se një ditë një grua me fëmijën e saj 9-vjeçar, erdhi në qendrën ambulatore. Gruaja kërkonte t’i bënte një kontroll mjekësor fëmijës sepse ishte mbytur duke ngrënë një frut.

Gruaja e solli fëmijën pasi i kishte përdorur manovrën Himlech – një procedure që ajo e kishte mësuar gjatë projektit “Shëndeti dhe shoqërizimi i grave në zonat rurale” në takimin “Ndihma e parë”.

Pasi infermierja mbaroi kontrollin mjekësor i tha nënës që fëmija kishte shpëtuar në sajë të ndihmës së parë që ajo i kishte dhënë atij.