EmailFacebookKontakt

“Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë…”

Në Shkrimin e Shenjtë shohim të theksohet kujdesi i Perëndisë për të gjithë njerëzit dhe veçanërisht për fëmijët. Duke qenë, se kjo është mosha ku ata duhet të rriten me trup dhe me mendje të shëndoshë, dimë se është gjithashtu koha ku ata mund të mësojnë dhe të rriten edhe në dijet e tyre për besimin. “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.” (Fjalët e Urta 22:6) Duke ditur se në vendin tonë marrja e dijeve fetare nga prindërit dhe familja është e vështirë dhe e rrallë, Perëndia jep mundësinë që fëmijët të kenë një vend ku të marrin njohuri dhe të kuptojnë se sa shumë Perëndia i do dhe kujdeset për ta. Dhe ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se sa shumë rëndësi i kushtohet katekizmit në Kishën tonë për çdo lloj grup moshe, duke përfshirë këtu edhe fëmijët.

Nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas, në vitin 2001 pranë Kryepiskopatës u hap një zyrë e re për fëmijët, e cila do të ndihmonte më shumë në veprimtaritë për fëmijë, qoftë kjo nga ana fetare dhe nga ajo edukative. Dhe, duke patur në mendje dhe në zemër se fëmijët janë e ardhmja e Kishës dhe e vendit, personeli dhe bashkëpunëtorët vazhdimisht përpiqen e punojnë me fëmijët, që ata të mund të rriten sa më të lumtur dhe ta kuptojnë që tani se sa të dashur janë për Perëndinë dhe si të tillë, duhet të rriten me fjalët e Tij hyjnore.

– Gjatë vitit 2002-2003 jemi munduar të zhvillojnë veprimtari, në ndihmë të fëmijëve. Së pari, që në fillimin e vitit programohet puna, për të qenë të gatshëm për të kremtet e Kishës sonë. Kështu, para çdo feste të madhe si Krishtlindjet dhe Pashkët, janë botuar libra për fëmijë, që përmbajnë histori, lojëra dhe gjëra të ndryshme që fëmijët të kuptojnë sa më mirë festën, e cila po afron. Këtë vit, për shembull, për Krishtlindje u botua libri “Krishti Lindi, Lavdërojeni” dhe për Pashkë “Krishti u Ngjall, Vërtet u Ngjall”. Këta libra përdoren gjatë aktiviteteve që ne zhvillojmë.

Gjatë vitit 2003 u zhvilluan veprimtari për Krishtlindje në Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës, Kavajë, Berat, Fier dhe zonat përreth, ku tema e aktiviteteve ishte “Dhuratat tona për Krishtin foshnjë”. Në to morën pjesë rreth 750 fëmijë.

Ndërsa tema e aktivitetit të Pashkës ishte “Sakrifica në Kryq dhe gëzimi i Ngjalljes”. Ky aktivitete zhvillua në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Berat, Korçë dhe Shën Vlash, ku morën pjesë rreth 700 fëmijë.

Gjithashtu, është menduar të mos lëmë pas dore edhe teatrin me kukulla, i cili ka filluar të funksionojë që në vitin e parë të hapjes së kësaj zyre dhe që është vazhdimisht në përmirësim. Vihet re një interes më i madh nga ana e fëmijëve, pasi loja me kukulla i bën ata ta kuptojnë më mirë një ngjarje fetare.

Kështu, në ato vende ku u zhvilluan aktivitet e Krishtlindjes dhe të Pashkës fëmijët patën mundësinë të shikonin edhe një teatër me kukulla për këto festa. Gjithashtu, u përgatit edhe një teatër tjetër me kukulla, me temë “Krishti dhe Kisha”, që shfaqet në vendet ku studentët e Akademisë Teologjike bëjnë katekizëm.

Të gjithë e dimë se fëmijët kanë talente të ndryshme. Për këtë arsye gjatë vitit 2002, në prag të Krishtlindjeve, u mendua të realizohej një kasetë me këngë kushtuar kësaj feste, të kënduara nga fëmijët e zonave te ndryshme, duke menduar se shumë fëmijë të tjerë do nxiteshin nga bashkëmoshatarët e tyre që i psalin dhe i këndojnë Perëndisë me aq zell dhe dëshirë.

Tani ka filluar një traditë e re. Gjatë verës në zona të ndryshme të vendit tonë funksionojnë kampingje ditore njëjavore për fëmijë. Gjatë vitit 2003 këto kampingje u zhvilluan në Tiranë, Durrës, Shën Vlash, Kavajë, Divjakë, Cërrik, Kuqan, Gjinar dhe Korçë. Në to morën pjesë rreth 800 fëmijë dhe tema qendrore ishte “Jeta e së Tërëshenjtës”. Në shtatë kampe ishte tema e mësipërme, ndërsa në dy kampe të tjerë që janë eksperimentalë, u zhvillua tema “Mrekullitë e Krishtit”. Gjithashtu u botua edhe libri “Jeta e ilustruar e së Tërëshenjtës për fëmijë”, i cili iu bë dhuratë çdo fëmije që mori pjesë në kamp.

Qëllimi i këtyre kampingjeve është që fëmijët të argëtohen sa më shumë dhe të mësojnë gjëra të reja rreth besimit. Lojërat, këngët, vizatimet etj., bëjnë që ditët e kampingut të jenë sa më të bukura. Kjo është gjithashtu, një mundësi që t’i afrohen besimit edhe fëmijë të tjerë, dhe më pas ata të marrin pjesë në grupet e katekizmit që zhvillohen gjatë vitit. “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek Unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve” (Marku 10:14).

Këto janë disa nga aktivitet më kryesore që ka zhvilluar Zyra e Fëmijëve, pa dyshim me bekimin e Perëndisë dhe kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas për fëmijët. Nuk duam të lëmë pa përmendur punën e shumë njerëzve të tjerë që kanë ndihmuar në këto aktivitete, dhe veçanërisht punën e priftëreshës Fotini Veronis nga SHBA, që vazhdimisht mendon për të bërë diçka të re dhe të mirë për fëmijët. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe mbështetjen e episkopëve të dioqezave të Beratit dhe Korçës, punën e madhe të katekistëve dhe të rinjve orthodhoksë, të studentëve të Akademisë Teologjike dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar dhe inkurajuar.

Ne shpresojmë e lutemi që Perëndia të na ndriçojë se çfarë duhet të bëjmë edhe më shumë për fëmijët, që janë buzëqeshja e Shqipërisë.

Ana Kërcuku,
Gabriela Bezhani

Në kampet verore fëmijët mësuan të bënin edhe krijime të thjeshta me tema fetare

Adresat e faqeve të hapura në Internet dhe ajo e E-mail-it, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, janë:

Internet: www.orthodoxalbania.org
E-mail: orthchal@orthodoxalbania.org