Shën Joan Vladimir
Me kujtime të bukura dhe shoqëri të reja
– Mbresa nga kampingu i vajzave orthodhokse-
Stina e verës, pritet me padurim dhe me mjaft gëzim për të gjithë të rejat dhe të rinjtë orthodhoksë. Edhe këtë vit kampingjet, që u zhvilluan me bekimin dhe kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, si për djem ashtu edhe vajza, u bënë pjesë e rëndësishme e jetës shpirtërore të të gjithë pjesëmarrësve.
Manastiri i shën Joan Vladimirit pranë qytetit të bukur të Elbasanit, edhe këtë verë priti rreth 300 vajza, nga të gjitha rrethet e Shqipërisë në tri periudha të ndryshme, duke filluar nga data 17 qershor dhe duke përfunduar në datën 4 gusht. Të parat që gjallëruan ambientet këtij kampingu ishin nxënëse të shkollave të mesme. U pasuan nga nxënëse të shkollave tetëvjeçare, ku nuk mund të lëmë pa përmendur që këtë vit ishin në një numër mjaft të madh, rreth 150 vajza. Ishin vajzat e shkollave të larta, të cilat mbyllën jetën plot gjallëri të kampingut për këtë verë të nxehtë të 2003-shit.
Tema kryesore e kampingut ishte Misionarizmi dhe urdërimi i Krishtit “Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjithë kombet” ishte motoja, e cila u transmetua tek të gjitha vajzat nëpërmjet temave të mbajtura nga folës të ndryshëm e të ftuar. Të gjitha vajzat ishin të ndara në tetë grupe të ndryshme, të cilat mbanin emrat e shenjtorëve misionarë të Kishës sonë Orthodhokse. Në kamp vajzat patën mundësinë të merrnin pjesë në shërbesat fetare, në bisedat shpirtërore, në lojërat e ndryshme zbavitëse, për të cilat është vendosur edhe një ditë e veçantë (vetëm me lojëra) dhe që tani njihet mjaft mirë si dita e Lojërave Olimpike, në organizimin e një dite ekskursioni, në zhvillimin e Natën Misionare, e cila pati si qëllim prezantimin nga vetë vajzat e të gjitha veçorive dhe karakteristikave të shteteve, në të cilat kishin zhvilluar veprimtarinë e tyre shenjtorët misionarë.
Zhvillimi i agripnisë, kryerja e misterit të rrëfimit dhe kryerja e misterit të pagëzimit për vajzat e papagëzuara edhe pse tashmë janë kthyer në traditë për kampin, mbeten çastet më të bukura dhe më të veçanta për të gjithët.
Ditët në kamping kaluan mjaft shpejt dhe për të gjitha vajzat ishin ditë shumë të bukura dhe mbresëlënëse. Ato u larguan nga kampi me kujtimet e bukura, shoqëritë e reja që krijuan në kamp dhe me falënderime e ndjenja mirënjohjeje për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij kampingu.
Sonila Dede