Ata që punuan për Kishën tonë
DHIMITRA CICO, një nënë shpirtërore e Korçës
Në moshën 87-vjeçare, më 21 shtator, 1996, Dhimitra Cico u nis për në përjetësi. Ajo ishte një nga gjashtë fëmijët e Jorgo dhe Parashqevi Cicos. Dy motra, Dhimitra dhe Marika ishin të pamartuara. Jetonin e punonin bashkë në shtëpinë e tyre. Ishin rrobaqepëse. Ishin të përfshira në punë misonare e shoqërore. Dëshironin të bëheshin murgesha, por ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore i ndaluan, dhe persekutimi i vazhdueshëm i Kishës nuk i lejoi ta plotësojnë këtë dëshirë. Kishin planifikuar të stre h o h e sh in në manastirin e Shën Joan Prodhromit në Voskopojë. Niveli i edukimi të Dhimitras ishte vetëm ai i shkollës fillore. Por diploma e saj ishte nga Universiteti i Qiejve, siç thotë dhe Apostulli: “Edhe në e ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyer të vobektët, edhe në e dhënça ndër duar trupin tim të digjet dhe dashuri të mos kem, s’më bën dobi fare” (I Korinth. 13:3).
Prindërit dhe të afërmit e tyre ishin të krishterë me vlera tradicionale. Shtëpia e tyre ishte gjithnjë e hapur për të huajt dhe në mënyrë të veçantë për klerikët. Ishte strehë për “të afërmit” që vuanin. Mamaja e tyre përfitonte shumë nga bashkëbisedimet që bënte me priftërinjët, dhe kështu u bë një kollonë e fuqishme e familjes së vet. I ushqeu fëmijët e saj ashtu siç duhej dhe shpesh u thoshte: “bijat e mija, studioni Fjalën e Zotit çdo ditë”. I drejtoi fëmijët me shembullin e saj të mirë. Dhimitra na tha njëherë: “Çfardo kontakti që kishim me Kishën, ishte nën drejtimin e mamasë. Ne ishim krejtësisht të bindura ndaj prindërve dhe respektonim zakonet e traditat…”.
Dashuria e saj e ndërgjegjshme për besën dhe punën e saj shoqërore filloi gjatë kohës së pushtimit fashist. Dhimitra gjeti çlirim duke lexuar. Dikush u kishte falur dy pako me libra fetare. “Fillova t’i lexoj, por nuk kuptoja asgjë, – na tha Dhimitra, – librat ishin me subjekt fetar, gjë e cila ishte e mërzitshme për mua, por nuk ndalova së lexuari.” Por, pasi i lexoi dy a tri herë, një dashuri për librat fetare lulëzoi në shpirtin e saj.
Në atë kohë, një misionar tjetër u kthye në Korçë, Theofan Popa. Ai sapo kishte përfunduar studimet për teologji në Universitetin e Athinës. U njoh me familjen dhe i ndihmoi ato shpirtërisht. Duke besuar në virtytin, ata iu futën një pune të thellë për kuptimin e vullnetit të Zotit. Studiuan Shkrimin e Shenjtë, jetët e Shenjtorëve, libra liturgjike, himnologjinë etj. Flaka e besës që ishte ndezur në zemrat e tyre prej mamasë u rindez përsëri prej librave fetarë. Që nga ai çast, Dhimitra punoi në familje dhe jashtë saj e kështu u bë si drita e diellit për shumë shpirtra.
Përpjekjet e saj në aktivitetin shoqëror u bënë të njohura nga shumë banorë të Korçës, dhe admirimi i tyre për të ishte prekës. Bashkëqytetarët e saj, që fatkeqësisht vdiqën në moshë të re, i lanë bijat e tyre nën përkujdesjen e dy motrave. Disa prej tyre mësuan si të qepnin dhe krijuan familjet e tyre. Disa të tjera donin të shkonin me to në manastir dhe nuk u martuan.
Dhimitra kishte njohuri të shkëlqyera muzikore. Ajo kishte një zë shumë të mirë dhe përpara se të mbylleshin kishat, më 1967, ishte anëtare e korit të Kishës së Mitropolisë të Korçës “Burimi Jetëdhënës”. Aktiviteti i saj ndiqej nga sigurimi, madje edhe përpara se të fillonte persekutimi.
Kur u mbyllën kishat, Olimbi Mulla, një e krishtër e persekutuar, i rekomandoi Dhimitrës që të organizonte anëtarët e korit në një grup për lutje. Dhimitra, me të gjithë talentet e saj, krijoi një kishë të nëndheshme. Vendi ku mblidheshin ishte në shtëpinë e babait të saj. Shtëpinë e saj e quanin “shtëpia e Stefanait” ashtu siç thuhet në Letrën e Parë të Pavlit (Korinthianët, 1:16). Ky emër kishte një kuptim simbolik; kuptimin që në këtë vend mësohej Fjala e Zotit, si në kohën e Apostujve. Prandaj, në këtë vend të fshehur, i cili ishte qielli i tyre shpirtëror, Kisha e tyre, ngushëllimi i tyre i vetëm, shpresa e tyre, shpirtrat e tyre orthodhokse jetuan të patundur në Besë që më 1967 deri më 1990.
Varfëria e persekutimi s’i mposhtën dot përpjekjet e tyre për t’i shërbyer shoqërisë me dashuri. Ato krijuan një fond të veçantë financiar për veprimet shoqërore të aktivitetit të tyre. At Kozmai, i cili ishte ndaluar nga autoritetet qeveritare të kryente funksionet e tij si prift, vinte në shtëpinë e tyre dhe kryente tërë natën agripni dhe shërbesat e Kishës Orthodhokse.
Ishte dhe një dhjetëshe tjetër me gra shtëpiake besëtare, të cilat morën pjesë në përpjekjen shoqërore për Kishën e nëndheshme. Në këtë përpjekje përfshiheshin studimi i Fjalës së Zotit dhe ofrimi i shërbimit shoqëror. Për arsye të persekutimit, ishte e ndaluar të mblidheshin tre veta në një vend. Secila prej këtyre grave qëndroi në shtëpinë e vet dhe bëri përpjekjet e veta. Bashkërenduësja ishte një bashkëpunëtore, që quhej Berta. Ajo nuk hezitoi të ndërmarrë këtë detyrë tepër të rrezikshme sepse kishte aftësinë për ta bërë këtë detyrë. Ajo nuk kishte familje, kështu që persekutimi nuk e dekurajonte dot.
Në prill 1996, Dhimitra u operua dhe shëndeti i saj erdhi duke u keqësuar. Dy javë përpara vdekjes së saj, ajo kërkoi që të transferohej në gërmadhat e manastirit të Shën Kollit, i cili ishte pak larg Korçës. Gjithashtu ajo kërkoi që të varrosej atje.
Ky manastir u bë qendër e një aktiviteti misionar, sepse verën e një viti më parë u përdor si një vend ku bëhej katekizmi i fshatarëve përreth. Kush do bëhet mësuesi i katekizmit? “Të korrat janë të shumta, punëtorët janë të paktë” (Matth. 9:37). Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Dhimitra e moshuar, duke u mbajtur në një bastun, bashkë me shoqet e saj, filloi ungjillëzimin e njerëzve. Mësuan e pagëzuan 150 vetë. Në këtë mënyrë ato u lidhën me zonën përreth.
Në verën e vitit 1996 shkoi përsëri në Manastirin e Shën Kollit, por qëndroi në shtratin e dhembjes. Koha që të pushonte përjetësisht po afrohej. Ajo e ndjeu. Kur shikimi i saj ishte i zbehtë, duart e saj ishin gjithmonë në formë lutje. Lutej vazhdimisht. Kujtdo që përpiqej ta ngushëllonte i thoshte: “Lermë, dëgjoj himne, dëgjoj psalmodhi…”.
Korça orthodhokse na dhuroi pra një luftëtare të shekullit të 20-të, e cila ishte e fortë në jetë dhe vdekje. Na dhuroi një shpirt shenjtoreje që u provua në zjarrin e ateizmit dhe qëndroi besnike deri në vdekje ashtu si shumë të tjerë.
Origjinali shkruar në greqisht nga Vasil Kaskadami
Përktheu: Aleksandër P. Filip.