At Kosta Dhimitër Haxhi, lindur në vitin 1903 rridhte nga një familje me tradita të shquara të besimit orthodhoks, në trevën e Çarshovës. Vetëm fshati Çarshovë në këto vite kishte 12 kisha dhe 12 konizma.
Emigroi si shumë të tjerë në moshë të vogël në Stamboll, ku bëri punë të ndryshme. Kjo i dha mundësinë që në mënyrë autodidakte të mësojë shumë gjuhë të huaja si turqisht, anglisht, greqisht dhe frëngjisht.
Në Stamboll shumë objekte kulti sidomos kishën madhështore të Shën Sofisë e cila përbënte një nga mrekullitë më të shquara të besimit të krishtërë.
Edukata familjare që në vogëli e përsosi me njohuri të shumta për besimin orthodhoks. Sa herë që kthehej në fshatin e lindjes pasuronte bibliotekën e tij me libra të besimit të krishtërë dhe libra të shumtë historikë. Ka botuar në gazetat e kohës në gjuhën shqipe kalendarë orthodhoksë, tregime të shumta, të cilat i ruajnë edhe sot fëmijët e tij. Në vitin 1939 u kthye përfundimisht në familjen e tij në Çarshovë.
Në vitin 1951, mbas një qëndrimi në Manastir tregoi se ishte shumë i përgatitur dhe se kishte njohuri të thella (ka qenë psalt gjatë ceremonive fetare), ndaj u hirotonis në prift dhe punoi në fshatrat e enorisë së tij, Çarshovë, Rrëzë, Bënjë.
Punoi me përkushtim e nderhsmëri, me një urtësi e mençuri kristiane për 16 vjet. Të gjithë ata që e kanë njohur papa Koçon në ato vite flasin me respekt për të dhe gjatë liturgjive fetare kisha mbushej plot me besimtarë.
Në vitin 1967 ashtu si shumë klerikë të tjerë, pas shkatërrimit barbar të objekteve të kultit, u flak në rrugë, pa asnjë përkrahje ose pension nga shteti. Në kushte tepër të vështira rriti, edukoi dhe shkolloi pesë fëmijët e tij, i pajisi ata me njohuri të thella të besimit të krishtërë.
Vala e madhe antifetare e vitit 1967 e dëshëroi pa masë, por me besimin te Zoti u thoshte fëmijëve të tij, sërish do të lumturohemi e do të vijë përsëri dita e rihapjes së kishave. Gjatë këtyre viteve të vështira kryente shpesh në fshehtësi shumë mistere fetare sidomos pagëzime, kurorëzime etj., duke mbajtur një regjistër sekret, i cili ekziston edhe sot. Dëgjonte në fshehtësi meshat në radio të huaja. Mbante të fshehur në shtëpinë e tij mbi 25 libra fetare në shqip e greqisht, ikona të shumta, kryqe, rrobat e pagëzimit, kurorëzimit, mirosjes etj.
Të gjitha këto u dorëzuan në kishën e re të shën Kozmait, ndërtuar në vitin 1998, ku janë edhe sot. Gjatë këtyre viteve agjentët e sigurimit e gjurmonin dhe i kishin përgatitur dosjen për ta arrestuar.
Aty nga viti 1981 ditën e Pashës, të cilën e festonte me familjen në fshehtësi të madhe, një agjent sigurimi gjeti afër shtëpisë së tij disa lëvozhga veze të kuqe dhe i dorëzoi te operativi i zonës. E thërresin së bashku me sekretarin e partisë në zyrë. Kjo e shqetësoi shumë dhe 2 javë nuk doli nga shtëpia.
Jetoi dhe disa vite të tjera me ndjenjën e frikës së arrestimit dhe dëshërimit.
Para se të vdiste la vetëm një amanet: ‘Të gjitha librat, konizmat, rrobat, kryqet etj., t’i dorëzoni në kishën e fshatit dhe kur të vdes atë kryqin e madh të ma vini te koka në varr”.
Në moshën 84-vjeçare u nda nga jeta, në vitin 1986, me një brengë, që nuk arriti edhe një herë të shihte rihapjen e kishave. Amanetet e tij të fundit fëmijët ia plotësuan.
Gjergji Haxhi, Çarshovë-Përmet