Nga shenjtorët e muajit
Joani i Konicës (23 shtator)
Joani ishte mysliman. Lindi në Konicë nga myslimanë, madje i ati ishte sheh i njohur, d.m.th. i pari i dervishëve. Në moshën 20-vjeçare, gjithashtu edhe ai dervish, shkoi në Janinë. Më pas përfundoi më në jug, në Agrinjo të Etolisë, ku qëndroi si i ftuar dhe i respektuar nga pushtetari, një i njohur i babait të tij, i cili e bëri dervish personal dhe i besonte misione gjatë luftës ruso-turke. Ndërkaq martiri i ri e kishte brenda vetes krishterimin dhe fshehurazi kreshmonte si i krishtër.
Pas dy vjetësh u ndërrua qeveritari. Ai mbeti në Etoli i veshur, duke jetuar në mënyrë të krishterë. Meqenëse banorët e Agrinjos kishin frikë ta pagëzonin, u pagëzua me emrin Joan në Itakë, ishull i Jonit, dhe u kthye. U martua dhe jetoi tashmë duke punuar në një fshat nën prijësa grekë. Punonte roje nate për t’iu shmangur njerëzve që të mos e njihnin.
Më 1813 i ati mësoi pa u ngushëlluar konvertimin dhe dërgoi dy dervishë të tij për t’i ndërruar mendjen. I kundërshtoi dhe ata u larguan pa bërë gjë. Më vonë dikush e denoncoi tek zyrtarët e lartë. Ata tronditen dhe vendosin ta arrestojnë. Joani i sqaron se me të vërtetë ishte dervish, por u bë i krishtër dhe i tillë do të vdiste. Mendojnë se e shtyu gruaja, dhe i premtojnë nderime, por përgjigjet se nuk është i pamend të lerë besimin e shenjtë. Në mëdyshjen e tyre e burgosin me zinxhirë shumë të rëndë në qafë, dhe me këmbët e palëvizura te “druri” i torturës. E qëllojnë, e rrahin, e godasin me duar e këmbë ndërsa pëshpërit “O Perëndi më ndihmo!”. Një këshill i ri jep vendim me vdekje. Më kot lutet që ta zgjidhin për të bërë kryqin para se t’i prisnin kokën, ndërkohë që lutet “Kujtomë, o Zot…” (e Mërkurë 23.9.1814). Trupin dhe kokën ia hodhën qenve, por më vonë i lanë të krishterët që t’i varrosnin në një vend neutral, në arë, pasi gjoja nuk ishte as i krishtër as mysliman.