Shën Joan Gojarti predikoi, “Ka dy lloj peshkopësh. Njëri që është bari dhe thotë, ‘Familja ime është universi im’, ndërsa tjetri që thotë, ‘Universi është familja ime.’”
Një nga rreziqet më të zakonshme dhe gjithmonë të mprehta – mund të them edhe herezi – që nga koha në kohë ka ndëshkuar njerëzit që besojnë në Perëndinë që nga koha e Izraelit të lashtë, deri më sot, është sëmundja e provincializmit, në format e saj të veçanta dhe të përbashkëta. “Familja ime është universi im”, shumë besimtarë ende e besojnë këtë gjë sot.
Në vend të një pikëpamjeje më të gjerë, ku Perëndia Krijues është në qendër, një pikëpamje ku gjithë krijimi është drejtuar nga Perëndia dhe i jep lavdi Atij, dalngadalë egoja – si ajo personale: unë, mua, i imi; dhe ajo e përbashkët: njerëzit e mi, enoria ime, gjuha ime, kultura ime – dalngadalë zënë vend dhe mendësia që vendos veten në qendër, turbullon pikëpamjen e vërtetë orthodhokse.
Perëndia ynë Triadik ka dashuri dhe mendon për gjithçka. Në Dhiatën e Vjetër, mund të kujtojmë sesi Perëndia zgjodhi disa njerëz për t’i pasur si pasuri të vlefshme, por shpesh harrojmë pse i zgjodhi Ai ata. Kur Perëndia i thirri Abrahamit tek Zanafilla, ai tha, “Shko nga toka e të afërmve të tu dhe nga shtëpia e babait tënd në një tokë që unë do të ta tregoj. Unë do të nxjerr prej teje një komb të madh dhe unë do të bekoj. Do ta lavdëroj emrin tënd KËSHTU QË ti do të jesh një bekim… dhe gjithë bota do të gjejë bekim nëpërmjet teje”.
Ky varg qendror i Dhiatës së Vjetër zbulon planin e Perëndisë për shëptimin e të gjithëve. Abrahami ishte thirrur të linte ato që ishin të njohura për të, të linte njerëzit e tij, të largohej nga egoja e tij dhe të ndiqte Perëndinë me besim, në mënyrë që të bekohej nga Perëndia dhe KËSHTU QË ai dhe kombi i tij të bëheshin një bekim për të GJITHA familjet e tokës!
“Universi është familja ime!” Kjo është mënyra e të menduarit që Perëndia do të donte që ne ta kishim që nga fillimi dhe kjo përfaqëson një pikëpamje të vërtetë orthodhokse.
Fatkeqësisht, ne shohim herë pas here sesi njerëzit e Perëndisë harrojnë, nuk përfillin dhe madje mohojnë thirrjen e tyre universale dhe zgjedhin të bëhen të mbyllur mendjengushtë dhe shpeshherë një komunitet etnocentrik.
Jisu Krishti, shembulli më i lartë i Dhiatës së Re, e bëri shumë të qartë se, asnjë lloj kufiri nuk mund të kufizonte dashurinë e tij pa kushte për të gjithë njerëzit. Ndonëse dikush mund të ishte një Samaritan heretik, romak i vjetër, një taksambledhës i korruptuar ose një kurorëshkelës imoral, Krishti i patë gjithë, çdo njeri, si fëmijët e tij të dashur. Ai përmbushi profecinë e Isakut: “Megjithëse një nënë mund ta harrojë fëmijën e saj, unë kurrë nuk mund t’ju harroj ju. Unë ju kam formuar në pëllëmbën e dorës sime”.
Gjithë kuptimi i Krishterimit ka të bëjë me të kujtuarit tjetrin! Tek Filokalia, një libër i cili mbledh thëniet e Etërve të Kishës, mësojmë, “I bekuar qoftë ai që gëzohet për shëptimin e tij, por edhe më i bekuar është ai që gëzohet për shëptimin e tjetrit.”
Shën Joan Gojarti ka thënë një mesazh të ngjashëm, “Unë nuk besoj në shëptimin e askujt që nuk përpiqet të shëtojë të tjerët”.
“Familja ime është universi im?” apo “Universi është familja ime!”
Etërit e Kishës dhanë një shpirt të vërtetë, ekumenik, mbarëbotëror dhe misionar, të cilin ne kemi nevojë ta praktikojmë në ditët e sotme. Pse ndodh që shumë nga kishat lokale dhe drejtuesve të tyre shpesh u mungon një vizion mbarëbotëror nxitës dhe dëshirë për të shërbyer. Përse ne si individë jemi kaq të dobët për të kultivuar këtë shpirt universal në udhëtimin tonë shpirtëror?
Përgjigjja është e thjeshtë, sepse problemi qëndron që tek Eva dhe Adami.
Egoja. Egoja jonë e vogël vazhdimisht na e kufizon këndvështrimin dhe pikëpamjet, duke helmuar jo vetëm mënyrën tonë të të menduarit për veten, por duke korruptuar të kuptuarit tonë për kishën dhe botën që na rrethon.
Udhëtimi ynë shpirtëror bëhet qëllim në vetvete për lumturi personale, qetësi, kënaqësi dhe vetëpërmbushje, një ide tërësisht e huaj kjo për teologjinë e Etërve të Mëdhenj.
Sigurisht një kishë duhet të kujdeset për njerëzit e saj, por njëkohësisht komuniteti kishtar duhet të kujtojë se ajo është thirrur të jetë majaja në shoqërinë ku jetojmë, ajo duhet të jetë drita për joorthodhoksët, në Shqipëri ashtu sikurse duhet të marrë pjesë duke dëshmuar në të gjithë botën!
Çfarë shpërfytyrim i tmerrshëm i vizionit të Perëndisë kur komuniteti përqendrohet tek pjesëtarët e tij. Kryepiskopi Anastas thotë: “E kundërta e dashurisë është urrejtja por emri i saj i vërtetë është egoizëm. Ky është mohimi që i bëhet Perëndisë Triadik që është koinonia (një bashkësi) e dashurisë. Jetë e krishterë do të thotë asimilim i vazhdueshëm i misterit të kryqit në luftën personale kundër egoizmit të përbashkët dhe atij individual”.
Ne duhet ta rigjejmë këtë jetë asketike dhe vetësakrifice. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta çliruar veten nga dëshirat egoiste dhe për të hyrë në mendjen e Krishtit. Nëpërmjet kësaj përpjekjeje ne mund të mundim egot tona shkatërrimtare, duke hedhur tej idetë mendjengushta si: “familja është universi” dhe të bashkuar më Krishtin të zhvillojmë një pikëpamje mbarëbotërore “universi është familja”
Kjo është arsyeja përse unë dhe familja ime u larguam nga Amerika, para nëntë vjetësh, për t’i shërbyer kishës në Shqipëri. Dhe megjithatë, ende gjatë këtyre viteve shumë njerëz në Amerikë na pyesin, “Përse u larguat nga vendi juaj? Duhet të rrinit këtu sepse dhe këtu ka shumë nevoja!”
Fatkeqësisht, kjo mendjengushtësi jeton në mbarë komunitetin kishtar. Këta njerëz nuk shohin se kisha në Shqipëri është e lidhur me kishën në Amerikë.
Ne jemi një Kishë me kishat misionare në Afrikë, Indonezi, Meksikë, sepse të gjithë jemi pjesë e “një Kishe të Shenjte, të Përgjithshme dhe Apostolike”.
Për këtë arsye nuk mund ta shohim kurrë kishën si “ata dhe ne”.
Më kujtohet kur jetoja në Kenia. Herë pas here udhëtoja nëpër fshatra që rrallë ose asnjëherë nuk kishin parë ndonjë të bardhë. Në shumë vende fëmijët do të më rrethonin, por në raste të tjera fëmijët e vegjël, që nuk kishin parë kurrë njeri të bardhë, fillonin të qanin sepse mendonin që unë isha fantazmë. Gjithsesi një ditë një miku im më zuri për krahu dhe më tha: “A e di cili është ndryshimi midis nesh?” Ai krahasoi lëkurën e tij dhe timën dhe pastaj tha, “I vetmi ndryshim është ngjyra. Ajo çfarë kemi në zemër, në shpirt dhe në mendje, është e njëjta. Ne jemi vëllezër”. Dhe kjo është e vërtetë!
“Është kisha universi im? apo Universi është kisha ime!” Përgjigjja është e qartë!
At Luka Veronis