EmailFacebookKontakt

Kamping për fëmijët e Kosovës

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me bekimin e Kryepiskopit Anastas zhvilloi për herë të dytë një kamping për fëmijët e moshës 6-14 vjeç në Kosovë, në fshatin Tërpejë e Ulët, të komunës së Malishevës.

Në këtë kamping morën pjesë rreth 200 fëmijë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Vitin e kaluar ky kamping ishte quajtur “Miqësia”, ndërsa sivjet “Shpresa”. Emrat e grupeve ishin mbështetur mbi virtyte si: mirësia, dashuria, paqja, gëzimi, falënderimi, besnikëria etj.

Programi i kampingut përmbante lojëra, këngë, punëdore, biseda sociale etj. Një ditë u zhvilluan “Lojërat olimpike”. Për këto lojëra çdo grup në kamp duhej të përgatiste një himn të skuadrës së tyre, duke e lidhur atë me emrin e grupit të tyre si dhe me emrin e kampit. Gjithashtu, grupet përgatitën një shfaqje artistike me këngë, skeçe recitime etj., që u shfaq ditën e fundit. Në këtë shfaqje ishin ftuar dhe prindërit e fëmijëve.

Ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë grupi organizator nga Shqipëria mori pjesë në një aktivitet rinor të organizuar nga komuna e Malishevës, në të cilën drejtuesi i këtij grupi z. Nathan Hoppe përshëndeti të pranishmit në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u tha që ta vlerësojnë rininë e tyre, sepse rinia është koha, në të cilën marrin vendime të rëndësishme në jetë. Ai gjithashtu, u përcolli atyre përshëndetje të ngrohta nga Kryepiskopi Anastas.

Ne shpresojmë që miqësia jonë do të vazhdojë të rritet duke pasur si elementë përbërës të saj paqën, mirësinë, dashurinë, gëzimin, besnikërinë etj.

Gabriela Bezhani