Më 25 korrik Kisha jonë feston Shën Anën, për nder të së cilës në qytetin e Korçës është ndërtuar prej disa vitesh një Kishë. Por kjo ditë për qytetin e Korçës është më tepër se një festë e zakonshme. Pasi në po këtë ditë pesë vjet më parë është fronëzuar Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, i cili është dhe Mitropoliti i parë i Korçës pas rihapjes së Kishës.
Kremtimi i kësaj ngjarjeje jo vetëm shpirtërore për qytetin, por edhe historike filloi me Liturgjinë Hyjnore, e cila u krye në Kishën e Burimit Jetëdhënës, ku edhe Hirësia e Tij është fronëzuar pesë vjet më parë. Më pas u celebrua edhe Dhoksologjia e përvjetorit.
Pas meshës, në kompleksin “Shën Gjergji” u dha një kokteil urimi për Hirësinë e Tij Imzot Joanin, ku morën pjesë personalitete të fesë, shkencës, arsimit, pushtetit lokal, deputetë si edhe të ftuar të tjerë. Ata vunë në dukje kontributin e Hirësi Joanit në të gjithë sektorët e jetës në qytetin e Korçës.
Ky kokteil u mbyll me urimin që Perëndia ta ndriçojë dhe ndihmojë Hirësinë e Tij për suksese të mëtejshme në misionin e Tij dhe për kontribute të tjera në fusha të ndryshme të zhvillimit në Dioqezën e Korçës dhe që të qëndrojë sa më gjatë në drejtim të Mitropolisë.
Kjo ditë u parapri, kur më datën 24 korrik, Hirësisë së Tij, Imzot Joanit dhe drejtuesve të komuniteteve të tjera iu dha titulli “Nderi i Qarkut, Korçë”, për kontribute të shquara në mirëkuptimin dhe bashkëjetesën e komuniteteve fetare në qarkun tonë.
Titulli i nderit Hirësisë së Tij Imzot Joanit iu dorëzua nga kryetari i Qarkut, Korçë z. Fehmi Xhemo. Një vlerësim, i cili i bëhet jo vetëm Mitropolitit të Korçës, por gjithë komunitetit orthodhoks të kësaj dioqeze.
Korresp. i “Ngjallja”