EmailFacebookKontakt

Korçë – Kremtim në Kishën e profetit Ilia

Me bekimin e Perëndisë, në qytetin e Korçës u kremtua me madhështi festa e profetit Ilia. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani.

E veçanta e kremtimit të sivjetshëm është se shërbesa u krye në një kishë plotësisht të rikonstruktuar, e cila mori formën e saj të vërtetë pas një periudhe disamujore punimesh, që filluan menjëherë pas kthimit të plotë fizik të saj në pronësi të Kishës.

Tashmë me dy kambanore dhe me kubenë e saj, si edhe përshtatja e tyre me pjesën tjetër të kishës, e cila është e ndërtuar me gurë, iu kujton shumë njerëzve pamjen e Kishës madhështore të Shën Gjergjit, por në përmasa më të vogla.

Kjo kishë mbart në vetvete dhe vlerat e saj historike për qytetin e Korçës, pasi si origjinë i përket periudhës së para pushtimit turk. E rindërtuar për herë të parë rreth vitit 1840 – ’50, në vitin 1937 u prish, për t’u rindërtuar me përmasa më të mëdha, në funksion të nevojave në rritje të komunitetit. Sot ajo është një nga kishat më të kompletuara dhe më të bukura të qytetit.

Po në këtë ditë të shënuar, pas dorëzimit nga Imzot Joani në dy të dielat e mëparshme të dy dhjakonëve të rinj, Spiro Degremenit nga Pogradeci dhe Ropi Argjirit nga zona e Prespës, këtë ditë u dorëzua ierodhjakon Kristofori. Disa ditë me pas nga kjo e kremte, u bë gjithashtu hirotonia në prift e dhjakon Konstandin Mujo.

Korresp. i “Ngjallja”