EmailFacebookKontakt

Intervista me pjesëmarrësit e Asamblesë së Syndesmos

Mrekulli që është e vështirë të besohet…

At Heiki Hutunen nga Kisha Orthodhokse e Finlandës

– Pas 10 vjetësh nga vizita e parë në Shqipëri, cilat janë përshtypjet tuaja?

– Përshtypjet e mia janë të vështira për t’u shprehur. Mendoj se jam dëshmitar i një mrekullie, që gati është e vështirë të besohet se është e vërtetë për Kishën, por do thoja edhe për gjithë shoqërinë. Por, mrekullia më e pabesueshme është Kisha juaj.

Shumë mendime më vijnë në mendje, por shoh ndryshime dhe zhvillime të tilla, që nuk i gjen në asnjë kishë tjetër orthodhokse, dhe mbase në asnjë kishë tjetër në gjithë botën.

– Cilat janë përshtypjet tuaja për Asamblenë dhe kushtet e krijuara?

– Asambleja është për mendimin tim plotësisht e sukseshme. Edhe mjediset janë të këndshme dhe funksionale. Kjo është e favorshme për punën që ne po bëjmë së bashku dhe gjithçka po shkon mjaft mirë.

Për rezultatet e Asamblesë mund të thosha mjaft. Atmosfera e saj ishte mjaft e ngrohtë dhe miqësore dhe jo gjithmonë ka qenë kështu në mbledhje të tilla, si p.sh. në Asamblenë e kaluar, që qe më e vështirë. Kjo për shumë arsye. Së pari, sepse Syndesmos pati çaste të vështira në 4 vjetët e fundit dhe tani ndjesia është se ka filluar një periudhë e re dhe ka një atmosferë mjaft pozitive. Në këtë ka ndikuar mjaft dhe Kryepiskopi Anastas dhe organizimi nga Kisha juaj.

Ne shohim se tani është një grup i ri që po del nga Syndesmos dhe një kohë e re po fillon.

Është një fat i madh që keni një primat të Orthodhoksisë që vjen nga fusha misionare

– Albert Laham, nga Patrikana e Antiokisë, ish-zëvendëspresident nga viti 1958-1964 dhe nga viti 1964-1977 ish-president i Syndesmos.

Fillimet e saj lëvizja rinore e Patrikanës së Antiokisë i ka në vitin 1942. Ajo pati kontributin e shumë të rinjve teologë ose jo, sidomos të atyre që duke studiuar jashtë vendit, ranë në kontakt me lëvizjet rinore orthodhokse të kishave të tjera. Këtu mund të përmendim Patriarkun e sotëm Ignatin, Mitropolitin e Libanit Zharxh Kodr etj.

Që në fillimet e saj Syndesmos u konsiderua si një lidhje uniteti mes kishave e grupeve të ndryshme me synim rinovimin shpirtëror të të rinjve orthodhoksë. Duke filluar nga rinia, ajo do të bënte rinovimin e tërë komunitetit dhe më tej duke u përgatitur për ekumenizmin dhe dëshminë orthodhokse në botë. Kjo ishte ideja e parë e Syndesmos që në hapat e para të saj.

Në vitin 1961, u theksua edhe aspekti i misionarizimit. Në Asamblenë e Bejrutit, nga teologu Xhon Majendorf, më pas u krijua “Porefthendes”, e drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, me veprimtari misionare.

– Cilat janë arsyet e të qenit te Syndesmos dhe detyrat për të ardhmen?

– Sot e gjithë bota po bëhet një. Kujdes. Kur si President i Syndesmos shkova në Amerikë më 1966, të bindja lëvizjet orthodhokse rinore amerikane të bashkoheshin me Syndesmos ata pyetën. Pse? Përgjigjja ishte se ne jemi një kishë, kemi një jetë shpirtërore, sepse njerëzit tanë bëjnë të njëjtat pyetje për besimin, doktrinën, ndjekin të njëjtën Liturgji, janë objektiv i sulmeve të njëjta. Ata janë të shqetësuar për çka ngjet në botë the se si duhet t’i përgjigjemi. Pyetja është jo pse duhet të jemi të bashkuar, por pse duhet të jemi të ndarë nëse jemi një Kishë.

Edhe kjo Asamble, si çdo tjetër, pas fjalimeve, fjalës kryesore, që u mbajt nga Kryepiskopi Anastas, është të vërë gjithë pjesëtarët e lëvizjes së bashku, sipas statutit; për të zgjedhur një bord të ri, presidentin e zëvendëspresidentët. Por njëkohësisht, ky është edhe një rast për shkëmbim përvoje, meqë gjithë lëvizjet janë këtu të mbledhura. Kemi parë se u krijuan një sërë grupesh për të diskutuar, një sërë çështjesh të ndryshme praktike të punës me rininë, si festivalet, përgatitja e lidershipit rinor etj, apo çështje që shqetësojnë dëshminë e orthodhoksëve të rinj në dëshmitë e tjera në botë sot.

– Përshtypjet tuaja rreth organizimit?

– E para është ringjallja e Kishës në Shqipëri. E njoh Kryepiskopin Anastas prej 40 vjetësh dhe e kam vlerësuar dhe dashur atë si misionar, si episkop dhe shërbëtor të kishës dhe Intern për të në çdo Liturgji, që Zoti t’i japë jetë e forcë që të vazhdojë veprën e tij. Është një fat i madh që keni një primat të orthodhoksisë, që vjen nga fusha misionare.

Shoh rrotull dhe kur vërej gjithë këtë kompleks që ka lindur nga gërmadhat e Kishës Shqiptare, falënderoj Perëndinë. Siç thashë në ato pak fjalët e mia në Asamble, kjo me siguri është rezultati i gjakut dhe lotëve të orthodhoksëve të persekutuar në Evropën Lindore. Tertuliani, një nga teologët e parë të mëdhenj të kishës në shek. III, ka thënë se gjaku i martirëve është simboli i të krishterëve. Pikërisht kjo, i sjell Kishës atë përvojë që vjen nga lotët dhe gjaku i martirëve dhe konfesorëve. Të rinjtë janë të thirrur të reflektojnë për këtë trashëgimi dhe ta kthejnë atë në një flakë për të gjithë komunitetin.

Unë falënderoj Perëndinë që Kryepiskopi i Shqipërisë e drejtoi gjithë komunitetin drejt këtij vizioni.

Çdo herë që vij në Asambletë dhe shoh gjithnjë e më shumë njerëz të vijnë gjithnjë e nga më shumë vende, me të njëjtin shpirt dashurie, me të njëjtin shpirt besimi, me të njëjtin sens të dashurisë para Perëndisë së zemrave të tyre, gëzohem dhe e ndjej veten të rinovuar nga këta të rinj që i janë përkushtuar zotit Jisu Krisht. Është një gjë e madhe t’i bësh ata këtu së bashku, të punojnë së bashku, të luten së bashku, të luajnë së bashku, të këndojnë së bashku, të mendojnë së bashku për problemet e tyre, të përfitojnë nga përvoja e tyre, në vende të ndryshme.

Korresp. i “Ngjallja”

Mendime për Asamblenë dhe për Syndesmos nga të rinj delegatë nga vende të ndryshme të botës

Si ishin marrëdhëniet në këto ditë të Syndesmos midis të rinjve me kombësi dhe kultura të ndryshme?

Dhespina nga Greqia: Shumë të mira. Kemi shumë lidhje miqësore. Veçanërisht të rinjtë nga India dhe Afrika kanë një sens të veçantë humori.

Fakti që jemi nga vende të ndryshme nuk përbën aspak pengesë në bashkëpunimin tonë. Puna na sjell më afër dhe i forcon marrëdhëniet midis nesh. Nëse bisedon me dikë mund të kesh edhe mosmarrëveshje, por nëse punon duhet që patjetër të biesh dakort dhe pikërisht këtu marrëdhëniet bëhen më të veçanta.

Kemi dëgjuar për vështirësitë për përhapjen e Ungjillit në Indonezi si edhe për mrekullitë që Perëndia ka bërë atje për të mbështetur punën tuaj. A mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij fakti?

At Mateu nga Indonezia: Kemi pasur probleme, pasi të krishterët janë pakicë në Indonezi. Duke qenë minoritet ne nuk mund të shprehemi lirshëm në mbrojtje të të drejtave tona. Zoti gjithmonë na ka mbrojtur sepse Ai e do popullin e tij. Ka ndodhur një mrekulli në një nga kishat tona në Xhafarin qendror. Në kishën e Shën Ekaterinës nën altar nga shenja e kryqit ka rrjedhur miro erëmirë. Kjo gjë tregon se Shpirti i Shenjtë gjendet në kishë dhe i mbështet besimtarët për përpjekjet e tyre në forcimin në Indonezi të Kishës Orthodhokse.

Si e shikoni fillimin e aktivitetit të Syndesmos në Shqipëri?

Tudori nga Rumania: Jam 17 vjeç dhe siç dëgjova jam më i vogli në këtë asamble. Është hera e parë që vij në Shqipëri por më pëlqen shumë ky vend si edhe konstrukti i kompleksit të ndërtesave të Manastirit të Shën Vlashit. Është vend shumë i përshtatshëm për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithëshme të Syndesmos.

Ju keni ardhur nga Vendet e Ulta në një vend me reliev malor si Shqipëria, si ju duket kjo gjë?

Idvin nga Hollanda: Është e vërtetë se Shqipëria është ndryshe nga Hollanda sepse ne nuk kemi male. Manastiri këtu dhe ambienti përreth përbëjnë një vend të mahnitshëm. Por kur mendojmë se kjo gjë është ndërtuar për një periudhë shumë të shkurtër e dimë se kemi të bëjmë me një mrekulli.

A keni gjetur ndonjë mënyrë efiçente për t’i sjellë njerëzit në Kishë?

Në lidhjen tonë rinore ne jemi përpjekur të gjejmë mënyra të ndryshme për t’i sjellë njerëzit në Kishë. Mendoj se mund të ndihmojë shumë organizimi i takimeve rinore. Ne po dalim jashtë dhe po përpiqemi që së pari të gjejmë të rinjtë orthodhoksë që ndodhen në Hollandë. Më vonë kur ne të bëhemi më shumë anëtarë do të përpiqemi të arrijmë dhe të prezantojmë orthodhoksinë edhe tek të rinjtë joorthodhoksë.

A mendoni se në vend që të presim që të rinjtë të vijnë në Shtëpinë e Rinisë mund të shkojmë ne ku ata janë në kuadrin e aktiviteteve misionare dhe t’i ftojmë në Kishë?

Marjeta nga Bullgaria: Sigurisht që edhe në Bullgari ka të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe ne po përpiqemi të punojmë më shumë për t’i njohur ata me Kishën Orthodhokse. Ne po studiojmë gjetjen e metodave dhe teknikave të reja në marrëdhëniet me të rinjtë e grupeve të ndryshme. Kjo për sa i përket nevojave dhe emocioneve të tyre. Nuk mund t’iu thuash të rinjve vetëm që ejani në Kishë nëse doni të shpëtoheni sepse ata nuk do të të kuptojnë. Mendoj se grupmosha e adoleshencës dhe ajo pas saj kanë nevojë për më shumë shpjegim ku të futet edhe pak llogjikë.

Kam dëgjuar se Borisi, mbreti i Bullgarisë është bërë i krishterë duke u pagëzuar në kishën afër Ballshit. Do të doja shumë ta vizitoja këtë vend.

Να përshkruani disa aktivitete rinore në Kishën tuaj?

Stivino nga Kenia: Kemi shumë aktivitete brenda Kishës Orthodhokse të Kenias. Rinia është e përfshirë në veprën e katekizmit, në festivale të ndryshme si edhe në veprimtari sportive. Gjithashtu organizojmë seminare të interesave vendore mbi tema sociale në interes të të rinjve mbi martesën dhe drogën. Çështjet e kujdesit shëndetësor zënë një vend të veçantë në këto seminare sepse në Afrikë epidemi si Malarja dhe Sida po vrasin shumë njerëz.

Rinia ka forcën, mundësitë dhe vullnetin për të bërë shumë në drejtim të ungjillëzimit. Në këtë kontekst si një organ i Kishës, rinia ka një përgjegjësi kryesore për të ndihmuar misionin kishtar kundrejt popullit afrikan. Në Kishën e Shën Nikollës së bashku me priftin tonë ne shkojmë në çdo derë për të ftuar njerëzit dhe sidomos të rinjtë që të vijnë në Kishë.

Cili është opinioni juaj për Lidhjen Rinore “Bij të Dritës”?

Greta nga Bjellorusia: Pata rastin të ndjek me vëmendje prezantimin e Lidhjes Rinore Orthodhokse Shqiptare “Bij të Dritës”. Mbeta shumë e impresionuar. Mendoj se është një lëvizje shumë e suksesshme. Kjo lidhet edhe me udhëheqjen e frymëzuar dhe me mbështetjen që jep Kryepiskopi Anastas.

Një gjë shumë e rëndësishme është se Lidhjes i është dhënë liri në marrjen e iniciativave për organizimin e aktiviteteve. Ju uroj që të vazhdoni në këtë rrugë që keni nisur.

Cili ka qenë roli yt në Asamblenë e Përgjithshme të Syndesmos dhe si e konsideron kohën që ke kaluar në Kishë?

Elona nga Shqipëria: Kam shërbyer si ushtare shërbimi (steward). Ka qenë një gjë jo pak e lodhshme por e bukur. Mendoj se funksioni i Syndesmos në lidhje me çështjen e misionarizmit që ka qenë edhe tema e kësaj Asambleje është mjaft pozitiv. Syndesmos mund të ndihmojë shumë ardhjen e të rinjve në Kishë. Jam e mendimit se një strategji që do t’i shërbente një integrimi të një numri më të madh të të rinjve në Kishë lidhet me organizimin. Unë personalisht nuk e kam konsideruar qëndrimin brenda Kishës si një humbje kohe. Gjithmonë e kam konsideruar si diçka nga e cila mund të përfitoj shumë. Të shkuarit në Kishë të ndihmon të krijosh një karakter tëndin, një karakter pozitiv. Të rritesh me frymë perëndishmërie brenda Kishës, brenda një shoqërie të krishterë të ndihmon për të qenë njeri në kuptimin e plotë të fjalës.

Shumë të rinj jetojnë jashtë kishës dhe nuk kanë konceptin e jetës në bashkësi dhe punë. Ata parapëlqejnë më shumë qendrat e argëtimit sesa një jetë me këngë me harmoni edhe me punë. Si do t’u drejtoheshit ju atyre?

Ana nga Greqia: Të argëtohet dikush nuk është e tmerrshme. Kjo mund t’iu pëlqejë të gjithëve. Por njeriu nuk mund të jetojë vetëm me argëtimin, të cilin ne nuk e dënojmë. Ajo që ne mund të themi për kishën dhe bashkëpunimin është ajo që thanë edhe vetë apostujt: “Eja dhe shih”. Sepse njerëzve nuk mund t’iua shpjegosh me fjalë bukurinë e të jetuarit brenda Kishës. E vetmja mënyrë është që t’i ftosh ata që të shohin ndikimin e Shpirtit të Shenjtë në jetën e besimtarëve. Ne nuk mund të detyrojmë njeri, vetëm propozojmë dhe tregojmë veten tonë si shembull. Nëse njerëzit do të shikojnë se sa të lumtur jemi ne këtu, do të kuptojnë se janë ata që humbasin. Të rinjtë parapëlqejnë të rrezikojnë dhe të zgjedhin por si mund ta refuzosh diçka nëse nuk e ke provuar më parë?

A. C