EmailFacebookKontakt

Le të pendohemi!

Të gjithë gabojmë dhe mëkatojmë, pra jemi mëkatarë. Kjo është njerëzore, Zoti është vetëm i pagabueshëm, por të pendohemi, të reflektojmë ndaj gabimeve tona, t’i mendojmë t’i vlerësojmë dhe t’i pranojmë ato, pra me vullnet dhe këmbëngulje t’i korrigjojmë ato për të mos i përsëritur më, kjo është Hyjnore.

Misteri i pendimit (rrëfimit) është një rit i shenjtë hirdhënës, në të cilin mbasi besimtari ofron pendesën e mëkateve të tij, falja e mëkateve dhurohet nga mëshira e Perëndisë. Në këtë mister kurohet dhembja shpirtërore, pastrohen papastërtitë e shpirtit dhe i krishteri mbasi ka marrë faljen e mëkateve, bëhet përsëri i pafajshëm dhe i shenjtëruar, ashtu siç doli nga ujërat e pagëzimit. Nga kjo misteri i pendimit është quajtur një «ilaç shpirtëror».

Lutja që ne bëjmë ka lidhje me pendimin. Ka njerëz që pendimin e lidhin me emocionet, me derdhjen e lotëve. Ka shumë interpretime të gabuara. Në fakt është një ndërrim mendjeje, është një pendim i brendshëm, i patundur, duke ecur në një drejtim të ri. Lutja fetare në qoftë se nuk bazohet në pendimin dhe besimin është jo e drejtë.

Pra pendimi si veprim hyjnor dhe kaq i dëshirueshëm dhe i këshillueshëm nga vetë Perëndia, varet nga ne, nga vullneti, këmbëngulja, dëshira, vendosmëria dhe shkalla e besimit tonë për t’u kthyer përfundimisht në rrugën që na këshillon Zoti, për t’i dhënë fund të kaluarës me plot gabime dhe mëkate dhe për të vazhduar deri në fund të jetës me një jetë të pastër, të thjeshtë, me dashuri me këdo, me fjalë të ëmbla, pa prekur asgjë që është e tjetrit, pa sharë e ofenduar njeri, një jetë të moralshme pa i bërë keq kujt, pa shpifur e deklaruar gjëra të paqëna, duke falur çdo njeri që ka gabuar ndaj nesh.

Gjatë jetës njeriu gabon me vepra, me fjalë, me mendje, me dashje dhe pa dashje, duke shkelur kështu porositë e Zotit. Në këto raste ai shtyhet nga egoizmi, lakmia për pasuri, për poste, për epshet trupore dhe në të gjitha këto raste veprojnë demonët, që na mundojnë gjithmonë të mos ecim në rrugën e Zotit, por të bëjmë të kundërtën e tyre.

Ata triumfojnë tek ne, kur ne jemi me vullnet e karakter të dobët, të pavendosur, jo konsekuent në besimin tonë ndaj Zotit e porosive të tij, harrojmë që çdo gjë që kryejmë dhe themi, është Zoti që i shikon që lartazi. Kështu demonët fitojnë nga dobësitë tona dhe ne gabojmë e mëkatojmë, një herë me pak zarar, një herë më shumë.

E kundërta, kur demonët nuk na përkulin dot, nuk na tërheqin pas kërkesave të tyre, kur ne jemi vërtet besimtarë të devotshëm ndaj Zotit tonë Jisu Krisht dhe porosive të Tij, kur rrojmë me frikën e Perëndisë, i cili na sheh dhe na vrojton për çdo veprim që bëjmë, kur nuk i biem në qafë mikut, shokut a vëllait tonë, kur dimë të frenojmë veset dhe të kalojmë një jetë me moral të lartë, të fisnikërojmë shpirtin e veten tonë duke u bërë kështu shembull pozitiv për këdo.

Kur ne veprojmë në këtë mënyrë, kur ne e kalojmë jetën tonë të tillë të pamëkatshme ose me sa më pak gabime e mëkate, në veprën hyjnore të pendimit e kemi në dorë dhe e kemi shumë më të lehtë për ta kryer, ose i jemi shumë afër saj.

Që çdo njeri të pendohet d.m.th. të bëjë një kthesë rrënjësore dhe të vendosur në jetën e tij, duhet që të besojë plotësisht dhe pa lëkundje në jetën e amëshuar dhe të përjetshme të përtej varrit. Kjo është kardinale për çdo besimtar, ashtu siç është themelore për çdo besimtar të krishterë të besojë në Ngjalljen e Krishtit. Pse ka rëndësi ky besim për jetën e amëshuar dhe të përjetshme? Se po të zotërojë ky besim shpirtin, mendjen dhe zemrën, atëherë çdo njeri do të rrojë me frikën e Perëndisë, që kjo frikë ta pengojë në momentet që do mëkatojë, do kujtojë gjykimin që do t’i bëhet për çdo mëkat që do të bëjë, për llogarinë që do të japi para Perëndisë në ditën e gjyqit.

Ky besim, kjo arsye e shëndoshë do jetë në gjendje të mposhtë çdo demon sado i lig e dredharak që të jetë dhe aq besimar i devotshëm do shkojë e do afrohet çdo ditë e më tepër drejt veprës Hyjnore të pendimit të tij.

Pendimi nuk i përket vetëm besimtarëve të krishterë dhe s’mund të kryhet vetëm nga ata, por kjo vepër kaq e lartë dhe e hyjshme mund e duhet të kryhet nga çdo njeri, nga çdo krijesë e Perëndisë, se jo vetëm të krishterët gabojnë e mëkatojnë, por çdo njeri në këtë jetë.

Nuk duhet ta lëmë të pendohemi ditën e fundit, por sa më shpejt që ta ndiejmë e ta bëjmë atë, aq më mirë do jetë, që Zoti të na ndiejë për gabimet e mëkatet tona dhe ne do ta mbyllim jetën tonë të qetë, të lumtur e të gëzuar, duke gëzuar kështu Perëndinë tonë, që do na presë të penduar.

Gjithashtu do t’i përgjigjemi në kohë dhe thirrjes që na bëjnë shenjtorët që të pendohemi se po afrohet Mbretëria Qiellore dhe të kujtojmë gjithmonë mëkatet tona dhe të pendohemi për to, që mos të na gjejë vdekja të papërgatitur.

Aleko Dhima, Boston – USA