Çdo të martë mbasdite, në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës është zhvilluar një cikël predikimesh nga pedagogë të Akademisë Teologjike të Shën Vlashit. Tematikat e ciklit ishin të larmishme dhe u ndoqën me interes e përkushtim nga besimtarët gjatë gjithë vitit.
Ndërsa ciklit të predikimeve po i afrohej, fundi për këtë vit, ne besimtarët pjesëmarrës së bashku me at Spiro Qosen menduam ta mbyllnim me një udhëtim pelegrinazhi në disa kisha të Beratit dhe në Manastirin e Ardenicës.
U nisëm të gjithë me gëzim e shpresëtari. Në kishën e shën Spiridhonit na priste at Petraq Simsia, i cili na uroi mirëseardhjen dhe së bashku me të kryem mëngjesoren, ku vetë ne besimtarët psalëm himnet e mëngjesores.
Pastaj ai na njohu më gjerë me historikun e krishterimit të Beratit dhe të disa kishave të qytetit. Ai na drejtoi në kishën e Shën Thanasit, Kryeengjëllit Mikail e të Shën Nikodhimit, në mes të kodrës poshtë kalasë. Edhe pse disa në moshë të thyer e në diellin që përvëlonte atë ditë, e përpjeta dhe zig-zaget na u bënë të lehta.
Më pas bëmë një vizitë në Mitropolinë e Beratit, ku edhe u takuam me Hirësi Ignatin, i cili na priti përzemërsisht e me dëshirë, megjithëqë programi i tij për atë ditë ishte tepër i ngjeshur. E quajtëm një bekim dhe gëzim që na u dha rasti të ishim pranë tij dhe të dëgjonim zërin dhe fjalët e ngrohta shpirtërore të tij. Si në çdo mikpritje të tillë tradicionale nuk munguan qerasjet dhe fotografitë si kujtim mbresëlënës, madje ai na dha si bekim nga një ikonë të vogël të Ngjalljes së Krishtit.
Pelegrinazhi ynë vazhdoi drejt kalasë së famshme me kishat e saj të vjetra: Shën Todrit, Shën Thanasit, Shën Konstandinit dhe Elenës, Shën Triadhës, Shën Marisë etj. Pas këtyre vizitave erdhi ora të hanim bukë, u ulëm pranë kalasë, hapëm ushqimet tona dhe at Spiro bekoi ngrënien. Ishte me të vërtetë një çast shlodhës. Më pas vazhduam drejt Ardenicës. Nga larg dukej kodra e mbushur me lulet e verdha e me pishat e gjelbra. Atje na priti Gjergji, djali ynë nga Durrësi.
Manastiri me qetësinë dhe hirin e tij na bëri të mundur për pak kohë të meditonim për jetën tonë me Zotin dhe të na japë impulse të reja në devotshmërinë tonë ndaj Krishtit. Manastiri na ofroi qerasjen e tij tradicionale: llokume, ujë të ftohtë dhe kafe.
Kaluam çaste të paharrueshme! Ky ishte dhe stacioni i fundit i pelegrinazhit tonë.
U kthyem në Durrës me një ripërtëritje shpirtërore e mbresëlënëse, duke lavdëruar Zotin tonë Jisu Krisht.
Pulie Bakri, besimtare Durrës