Përgjigje për dy shkrimeve tendencioze të botuara nga gazeta “Ballkan”, në lidhje me veprimtarinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për restaurimin e objekteve orthodhokse të kultit, që janë edhe monumente kulture.
Shkak i këtij shkrimi u bënë dy artikujt e gazetës “Ballkan”, organ i Ferano Grup, respektivisht në datat 9.7.2003 dhe 6.7.2003, në të cilët gazetarja A. Mema akuzon ndërhyrjet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në objektet e kultit orthodhoks që janë monumente të kulturës.
Gazetarja, tek e cila dallohet lehtë një cektësi ekstreme profesionale, merr përsipër shumë përgjegjësi, kur thotë: “Restaurime skandaloze në Kishën e Zvërnecit”. Për të arritur në këtë konkluzion, së pari, duket të jesh një specialist kompetent i restaurimit, së dyti, duhet të zotërosh informacione të detajuara rreth projektit në fjalë dhe të kesh kontaktuar me persona përgjegjës, si nga Instituti i Monumenteve, po ashtu edhe nga Bërthama e Restaurimit pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (dhe jo Zyra e Shërbimit Teknik, që shkruhet në artikull), dhe së treti duhet të shohësh nga afër rezultatet e restaurimit në manastir.
Duke lexuar me vëmendje të dy artikujt, gjen shumë gabime si nga ana profesionale, ashtu edhe informative: p.sh. “fshati lidhet me ishullin me një pasarelë 50 m të gjatë”, ndërsa në realitet ajo është një urë druri e gjatë 270 m dhe e ndërtuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në vitin 1997, detaj ky që s’mund të lihet në harresë dhe i paplotësuar. Duket qartë që gazetarja jo vetëm nuk ka qenë në manastir, por dhe nuk ka parë asnjë fotografi të tij.
Në një pjesë tjetër të shkrimit thuhet gjithashtu: “Gjithashtu godinat e konakëve janë suvatuar nga jashtë dhe nga brenda, duke zhdukur të gjitha mundësitë e leximit të gjurmëve të vjetra në kishë”. Në këtë frazë gazetarja flet për konakët dhe pastaj hidhet menjëherë tek kisha, duke ditur që janë objekte të ndryshme dhe për më tepër në fazën bizantine të kishës nuk është bërë asnjë cm2 suvatim, duke ruajtur kështu natyrën dhe stilin bizantin të dekoracionit.
Një gjë tjetër shqetësuese është fakti se gazetarja nuk përmend emrat e specialistëve, me të cilët ka komunikuar, gjë që lë vend për abuzim dhe njëkohësisht përbën ofendim për specialistët e njohur, si prof. dr. Aleksandër Meksi (recensent i projektit), prof. dr. Pirro Thomo (supervizor i ndërhyrjeve restauruese dhe konsulent në projekt), prof. dr. Hasan Nallbani (autor i projektit dhe restaurator i pikturës murale në këtë kishë), si dhe restauratorët me përvojë Mustafa Arapi dhe Ali Ago, të cilët kanë restauruar ikonostasin e kishës.
Në të dy artikujt është shkruar me shumë gabime profesionale dhe difekte të rënda në informacionin e marrë, gjë që krijon një ofendim për të dy institucionet që kanë bashkëpunuar në këto restaurime, përkatësisht I.M.K.-ja dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Nuk dihet arsyeja dhe shkaku, që ka shtyrë punonjësen e gazetës “Ballkan” të njollosë bashkëpunimin e mësipërm shumëvjeçar. Këto shpifje në adresë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilat vetëm dezinformojnë opinionin publik shqiptar për veprimtaritë e të dy institucioneve të mësipërme, madje mund të përbënin bazën e hapjes së një procedure legale kundrejt redaksisë dhe gazetares A. Mema.
Bashkëpunimi ndërmjet IMK-së dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka filluar që prej 12 vjetësh dhe është i zhvilluar në bazën e marrëveshjeve dhe miratimeve të projekteve brenda ligjit për restaurimet, si i vjetri, ashtu edhe i riu, që ka dalë kohët e fundit. Projektet që kryhen nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ose nga IMK-ja, për objektet e kultit orthodhoks kanë kaluar sistematikisht dhe janë miratuar nga komisioni i restaurimit, kurse përsa i përket kompanive restauruese ato janë përzgjedhur nga të dy institucionet dhe kanë qenë përherë kompani të licencuara për restaurime dhe me një përvojë të madhe në këtë të fundit.
Nuk mund të përjashtosh faktin e bashkëpunimit të suksesshëm 12-vjeçar ndërmjet dy institucioneve ka restauruar mbi 20 kisha dhe manastire, duke përjashtuar këtu ndërhyrjet emergjente në kishat monumente kulture, të cilat i kanë shpëtuar rrënimit të plotë dhe janë të një numri të konsiderueshëm.
Nuk është i rastësishëm fakti që në bashkëpunim me I.M.K.-në në fushën e restaurimeve të kishave, manastireve dhe objekteve të tjera rezidenca kishtare, që nga viti 1991 e deri në fund të vitit 2002 janë shpenzuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mbi 3 milion USD.
Ndërsa vetëm për vitin 2003 deri tani janë miratuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi + Anastas, për restaurimin e dy kishave 523’400 USD, si dhe 29’730 USD për ndërhyrjet emergjente në tri kisha.
Në mbyllje, ftojmë gazetën “Ballkan”, për të marrë informacione të sakta pranë Bërthamës së Restaurimit për restaurimet dhe bashkëpunimin që kjo e fundit ka pasur me I.M.K-në, të cilat gjithnjë kanë qenë në bazë ligjore, institucionale dhe e një niveli të lartë profesional. Ky bashkëpunim i suksesshëm, me iniciativën dhe financimin e Kryepiskopit Anastas, ndërmjet dy institucioneve do të sjellë në të ardhmen shpëtimin dhe konservimin e një pjese të mirë të monumenteve të kulturës të kultit orthodhoks dhe, në përgjithësi, të monumenteve të krishterimit në Shqipëri.
Për Bërthamën e Restaurimit të Fondacionit “FRYMË DASHURIE” pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ark. Gentian Joan Stratobërdha