EmailFacebookKontakt

Komunikatë për shtyp: Përgënjeshtrimi i shkrimit të gazetës “Ballkan”, mbi restaurimin e Kishës së Shën Marisë Zvërnec, Vlorë

Republika e Shqipërisë
Instituti i Monumenteve të Kulturës
Tiranë, dt. 9.7.2003

Komunikatë për shtyp

Lënda: “Përgënjeshtrimi i shkrimit të gazetës “Ballkan”, mbi restaurimin e Kishës së Shën Marisë Zvërnec, Vlorë”

Shkrimi “Restaurime skandaloze në Kishën e Zvërnecit”, botuar në gazetën “Ballkan” më 9.7.2003, që mban firmën e gazetares Anila Mema, përveç shqetësimit të drejtë për trashëgiminë kulturore, përcjell edhe disa pasaktësi dhe të pavërteta, të cilat dezinformojnë opinionin dhe njollosin Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe donatorët me pa të drejtë.

Duke patur në konsideratë opinionin publik, në këtë shkrim evidentohen lehtësisht sajime të tepëruara.

Pasaktësia e parë lidhet me informacionin e gabuar, se Kisha e Zvërnecit është restauruar nga një firmë ndërtimore. Deklaroj me përgjegjësi institucionale se realizimi i projektit të restaurimit të miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, është kryer nga firma “Ad Star” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Berat, me mbështetjen financiare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Pasaktësia e dytë gjithnjë sipas shkrimit në fjalë, lidhet me faktin se gjoja nuk është përfillur projekti i IMK. E vërteta është krejt ndryshe, me projektin dhe mbikqyrjen e ndërhyrjes restauruese të kësaj kishe janë marrë figurat dhe personalitetet më të shquara në historinë e restaurimit të monumenteve të kultit. Kështu mund të përmendim prof. dr. Aleksandër Meksin, si recenzent i projektit, prof. dr. Pirro Thomo, që ka ndjekur punimet restauruese të kësaj kishe, prof. dr. Hasan Nallbani, autori i ndërhyrjes restauruese në Kishën e Zvërnecit.

Pasaktësia e tretë e artikullshkrueses lidhet me mosdeklarimin e emrave të specialistëve që herë pas here i përmend, të cilët nuk i përball me specialistët që janë marrë direkt me ndërhyrjen restauruese gjatë vitit 2003, në Kishën e Zvërnecit, tingëllon si një përpjekje për të “emëruar” specialistë të kësaj fushe, ku për hir të së vërtetës pranë drejtorisë së IMK nga “specialistët” që pretendon vazhdimisht gazetarja juaj është shkruar kohë më parë se sa të realizohej ndërhyrja restauruese në Manastirin “Fjetja e Shën Marisë”.

Drejtori
Dr. Gazmend Muka