EmailFacebookKontakt

Përdorimi i fjalëve Frymë dhe Shpirt

Nga Hirësia e Tij, Imzot Joani
Mitropolit i Koçës

Për arsye që tashmë dihen, trashëgimia në shqip e literaturës filozofiko-fetare nuk është e pasur dhe terminologjia e saj jo e përcaktuar qartë. Sot, përkthimet dhe krijimet në rrafshin filozofik e fetar kanë marrë një farë zhvillimi. Por, fatkeqësisht, si në shumë fusha, edhe këtu, tendenca për të përkthyer ka përfshirë edhe shumë persona që nuk janë kompetentë për ato që përkthejnë. Si pasojë shikohet një përdorim jo i saktë i termave të ndryshëm, që në vend të sqarojnë dhe të mbushin boshllëkun e madh në fushën e mendimit, shkaktojmë një pështjellim akoma më të madh dhe që shpesh shkon deri në kufijtë e qesharakes. Ndoshta tani është koha për të patur një fjalor të termave filozofikë dhe teologjikë, të hartuar nga kompetentë të këtyre fushave, për të bërë të mundur dhënien në shqip të mendimit folozofiko-fetar me saktësi dhe me tërë forcën dhe hollësitë e tij. Në fakt, gjuha shqipe është e pasur me fjalë që japin nuanca të ndryshme, por kërkohet një lëvrim dhe përcaktim i terminologjisë për këto disiplina, pa përjashtuar edhe krijimin e neologjizmave. Për termat filozofikë, të mendimit të vjetër grek, ashtu dhe atij më të mëvonshëm dhe bashkëkohor, do të duhen të përdoren në përkthimet shqip terma të saktë dhe të qartë.

Meqenëse kjo është një fushë e gjërë dhe që do të kërkonte një hapësirë të madhe diskutimi, do të ndalemi vetëm në një: në dallimin dhe përdorimin e fjalëve frymë dhe shpirt. Parimi shpirtëror, i cili i kundërvihet atij trupor, si në rastin e mendimit grek (Platonist, Neoplatonist apo Gnostik), apo që nuk shikohet vetëm në antitezë me trupin, si në antropologjinë hebraike të Dhiatës së Vjetër, tregohet me përdorimin e dy termave: në hebraisht ruah dhe nefesh dhe në greqisht pnevma dhe psiki. Përkthimi i zakonshëm në LXX i termit hebraik ruah është pnevma (264 herë në LXX) dhe i nefesh është psiki. Në latinisht ekuivalenti i ruah-pnevma është spiritus dhe i nefesh-psiki është anima. Përdorimi i fjalëve ruah, pnevma, spiritus përkon nga kuptimi me fjalët nefesh, psiki, anima dhe shpesh këto dy fjalë përdoren në të njëjtin kuptim. Në përgjithësi Shkrimi i Shenjtë i përdor termat ruah, pnevma, spiritus dhe nefesh, psiki, anima pothuajse në të njëjtin kuptim. “Ti nuk do ta lësh (nefesh, psiki, anima) shpirtin tim në Sheol” thotë Psalmisti. Dhe në një vend tjetër thotë, “Në duart e tua e lë (ruah, pnevma, spiritus) frymën time”. Në Sir. 38:23 fjala hebraike nefesh është përkthyer me pnevma. Shën Joani përdor fjalën psiki kur Zoti thotë se “shpirti im është i tronditur”, ndërsa në një vend tjetër në të njëjtin kuptim përdor fjalën pnevma, “Jisui u trondit në frymë.” Shembuj të tillë janë të shumtë.

Por në dy tekste të Shkrimit të Shenjtë duket sikur bëhet një dallim ndërmjet pnevma dhe psiki. Mbështetës të teorisë trikotomiste përpiqen t’i shikojnë këto pjesë si mbështetje biblike të teorisë së tyre. Këto dy tekste gjenden në letrat e Apostullit Pavël. “Sepse Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit (psikis) dhe të frymës (pnevmatos), të nyjeve dhe të palcave.” Po në të njëjtën mënyrë apostulli vë në kontrast njeriun frymor ose shpirtëror (pnevmatikon) me njeriun natyror (psikikon). Gjithashtu, në disa shkrime të Etërve të shkretëtirës, sidomos shkrimet asketike, bëhet një dallim midis pnevma dhe psiki. Po ashtu edhe Shën Pavli i përdor termin pnevma dhe psiki jo si dy elementë të ndryshëm, por njeriun frymor si lartësimin më të madh të shpirtit. Për Shpirtin e Shenjtë (ose Fryma e Shenjtë) përdoret ruah/pnevma/spiritus; hebraisht Ruah Hakodhesh, greqisht to Pnevma to Agion dhe latinisht Spiritus Sanctus.

Fjala pnevma (frymë) është përdorur për të treguar shpirtin e rilindur që jeton në kungim me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Ajo tregon lartësimin e shpirtit në gjendjen e tij të parë, në gjendjen e tij natyrore, e cila ishte deformuar nga mëkati. Kështu fryma është vetë shpirti në aftësitë e tij më të larta, me anë të të cilave ai kupton dhe përjeton realitetin hyjnor. Po në të njëjtën mënyrë është përdorur fjala frymë edhe në letrën e Apostullit Juda. Ai i quan ata që krijojnë ndarje në Kishë si “njerëz mishor që s’kanë frymë”, domethënë njerëz jo të rilindur, njerëz që në shpirtin e tyre nuk vepron Shpirti i Shenjtë dhe që janë nën zotërimin e pasioneve mishore. Por ndonëse nuk ka bazë për të supozuar se apostull Pavli po shprehet si trikotomist, përsëri kemi përdorimin e dy termave të ndryshëm dhe për një saktësi të transmetimit të mendimit të tij, do të duhej që në përkthim të jepet me ekuivalentët e të dy termave.

Po ashtu në mendimin e vjetër grek haset shpesh ndarja e pjesëve të ndryshme të shpirtit dhe për këtë përdoren terma të ndryshëm. Duke filluar me trikotominë platoniste, e cila është fillimi i ndarjeve të mëvonshme, dhe duke vazhduar me përdorimet e Platonizmit të Mesëm, Neoplatonizmit, Plotinit, Gnostikëve etj., shihet se është e nevojshme për të patur në shqip terma të qartë korrespondues për të përcaktuar drejt dhe saktë nuancat e holla të këtij mendimi. Do të ishte shumë e vlefshme për të ruajtur një formë që do të tregonte tërë nuancat e termit, sepse përveç kuptimit gjuhësor termi ka edhe zhvillimin e tij historik. Për shembull, termat Perëndi dhe Zot në mënyrë popullore kanë të njëjtin kuptim, por në Shkrimin e Shenjtë përdoren me nuanca të ndryshme. Te Jahve shihet një Perëndi dhe Zot personal dhe imanent, një Hyjni e zbuluar te populli i Izraelit, emri personal i Perëndisë së Moisiut. Në përkthimin e LXX termi hebraik Elohim përkthehet Theos dhe Jahve (më saktë Adonai, sepse shkruhej Jahve por lexohej Adonai dhe pikësimet e zanoreve ishin ato të fjalës Adonai) përkthehet me Kirios. Në latinisht janë ruajtur po ato ekuivalente: Elohim me Deus dhe Jahve me Dominus. Në shqip zakonisht, jo gjithmonë, është ruajtur po i njëjti kalkulim: Elohim me Perëndi (ose Hyu) dhe Jahve me Zot. Po i njëjti kalkulim është ruajtur edhe në gjuhët moderne, jo vetëm për Elohim dhe Jahve, por edhe për ruah/pnevma dhe nefesh/psiki.

Në përkthimet në shqip ruah/pnevma është dhënë me fjalët frymë dhe shpirt. Në Formulën e Pagëzimit (1462) dhe në Mesharin e Gjon Buzukut përdoret termi Shpirt – Shpirti i Shenjtë. Po e njëjta fjalë përdoret edhe për psiki/anima. Edhe nga autorët e tjerë të mëvonshëm veriorë, si Budi, Bogdani etj., përdoret Shpirt i Shenjtë. Në botimin e Ungjillit, gegërisht, 1872, përkthim i K. Kristoforidhit, pnevma përkthehet me fjalën shpirt. Po me të njëjtën fjalë shpirt përkthehet gjithashtu edhe psiki. Në botimin toskërisht në 1879 pnevma është përkthyer frymë. Po ashtu edhe në botimin e dy librave të parë të Dhiatës së Vjetër, në 1884, si edhe në libra të tjerë (si Psaltiri etj.) është ruajtur kalkulimi ruah/pnevma me frymë dhe nefesh/psiki me shpirt, siç është ruajtur edhe Elohim/Theos me Perëndi dhe Jahve/Kirios me Zot. Edhe në botimet e mëvonshme në toskërisht është ruajtur kalkulimi pnevma-frymë dhe psiki-shpirt. Kështu në gegërisht është përdorur forma Shpirti i Shenjtë dhe në toskërisht Fryma e Shenjtë. Në përkthimet e librave liturgjikë në shqip, Imzot Noli përdor Shpirti i Shenjtë në vend të Fryma e Shenjtë. Po ashtu edhe në botimet e fundit të Kishës Orthodhokse është përdorur forma Shpirti i Shenjtë. Gjatë kësaj dekade në botimet e ndryshme të Shkrimit të Shenjtë janë përdorur të dyja fjalët si frymë ashtu edhe shpirt. Ndërsa psikikon (I Kor. 2:14-15) është përkthyer në mënyra të ndryshme: nga Kristoforidhi është përdorur fraza si shtazë, (si edhe në latinisht lidhja anima-animal); në botime të mëvonshme është përkthyer natyror.

Fjala frymë lidhet më mirë etimologjikisht me ruah/pnevma. Ajo ka të njëjtën rrënjë me greqishten pnevma dhe sanskritishten pran (pra+an). Frymë ka në shqip edhe kuptimet e tjera që kanë në gjuhët e tyre ruah dhe pnevma. Fjala shpirt, ekuivalente me ruah dhe pnevma është një huazim nga latinishtja. Përdorimi i fjalës shpirt apo frymë është i barazvlefshëm nga ana gjuhësore dhe i saktë nga ana teologjike. Por në mungesë të një fjale shqipe të përpunuar teologjikisht, e cila do të jepte kuptimin e nefesh/psiki/anima, mund të përdorej fjala shpirt. Ndonëse në shqip frymë dhe shpirt kanë dhe përdoren pothuaj në të njëjtin kuptim, përsëri ndërmjet tyre ka një nuancë të hollë që ndoshta do të na lejonte t’i përdorim në kuptimet e mësipërme. Por nëse mund ta përdorim si emër shpirt për të dhënë psiki, nuk do të mund ta përdornim dot si mbiemër, sepse nëse psikikon do të përkthehej shpirtëror do të ndryshohej rrënjësisht kuptimi. Përkthimet nuk mund të bëhen në mënyrë mekanike dhe jo nga kushdo. Përveç njohjes së gjuhës kërkohet edhe njohja e asaj që përkthehet.

Ky shkrim nuk ka qëllim për ta zgjidhur problemin, por për ta hapur atë, sepse përcaktimi i një terminologjie të pranuar nga një rreth i gjërë është frut i një pune dhe diskutimi të gjatë dhe gjithpërfshirës. Mendoj se ka ardhur koha të mendohet edhe për këtë, që edhe studenti i shqipes të mos ketë më një ngatërrim terminologjik dhe si pasojë edhe një ngatërrim filozofik dhe teologjik.

1 Shih Ps. 15:10; 30:6. (Rënditja e psalmeve është dhënë sipas LXX).
2 Joani 12:27
3 Joani 13:21
4 Teoria trikotomiste është ajo teori që e ndan përbërjen e njeriut në tri pjesë: trupi, shpirti dhe fryma. (soma, psiki dhe pnevma ose nous)
5 Hebrejtë, 4:12.
6 I Korinthianët, 2:14-15 dhe 15:46-47.
7 Ndonëse qëllimi i këtij shkrimi nuk është përcaktimi teologjik i këtyre dy termave, përsëri ia vlen të theksohet se ndonëse tek disa Etër të hershëm të Kishës mund të gjenden formula në dukje trikotomiste, vizioni i tyre për njeriun është dikotomist. Mësimi i tyre mbi njeriun duhet parë në tërësinë e tij dhe jo duke shkëputur vetëm ndonjë thënie të tyre.
8 Juda, 19.