Nga 23-26 qershor Zyra Koordinuese e Përkujdesjeve Ditore organizoi seminarin e edukatoreve me temën: “Promovimi i të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”. Ky seminar u ofrua nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Seminari u zhvillua në mjediset e Hotel “Arbana”, Tiranë, me pjesëmarrjen e 47 edukatoreve dhe ndihmësedukatoreve, nga 12 përkujdesjet ditore të Kishës Orthodhokse. Ai u zhvillua në dy grupe, për arsye të numrit të madh të pjesëmarrëseve. Seminari ishte konceptuar në mënyrë të tillë, që të dy grupet të ishin në aktivitet gjatë gjithë kohës. Kështu, në kohën që njëri grup zhvillonte temën për të drejtat e fëmijëve, grupi tjetër kishte në axhendën e tij tema nga përvoja të kopshteve të tjera si ato greke dhe amerikane. Katër edukatoret që ishin në Greqi në muajin Prill sollën përvojën nga disa kopshte më me emër. Përvojën amerikane e solli Beth Dawkins, vullnetare nga Amerika, e cila ka ardhur të ndihmojë Programin e Përkujdesjeve Ditore për tre muaj.
Përveç anës pedagogjike, në këtë seminar u mendua të trajtohej edhe tema shpirtërore “Edukatorja si figurë në kopsht dhe në shoqëri”. Kjo temë, u mbajt nga motra Theologjia, dhe u ndoq me shumë interes nga të gjitha pjesëmarrëset.
Në fund të seminarit, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri i pajisi pjesëmarrëset me çertifikata.
Ky seminar ishte një ndër aktivitetet që Zyra Koordinuese ka planifikuar për ngritjen profesionale të personelit mësimdhënës dhe rëndësia e tij ishte e madhe. Ai u vlerësua veçanërisht nga pjesëmarrëset, të cilat shprehën dëshirën për ta vazhduar këtë rrugë të nisur. Seminari u financua nga Këshilli Botëror i Kishave, nëpërmjet zyrës Diakonia Agapes e Kishës sonë.
Urani Dusha