EmailFacebookKontakt

“Jisu Krishti shëron dhe pajton”

Nga data 25 qershor deri më datën 2 korrik 2003, në Trondhaim të Norvegjisë u zhvillua Asambleja e 12-të e Konferencës Evropiane të Kishave (CEC), në të cilën morën pjesë rreth 800 delegatë. Tema e Asamblesë ishte “Jisu Krishti shëron dhe pajton”. Kjo Asamble u mbajt në një çast shumë të veçantë për Evropën, kur shumë nga plagët e vjetra të saj janë shëruar dhe barrierat midis popujve dalëngadalë po zhduken.

CEC (Konferenca Evropiane e Kishave) është një organizata e themeluar që në vitin 1959, në të cilën marrin pjesë 126 kisha Orthodhokse, Anglikane, Protestante etj., nga gjithë Evropa, si dhe 43 organizata. Të Krishterë nga komunitete të ndryshme janë angazhuar që të jetojnë dhe të dëshmojnë së bashku, në frymën e ekumenizmit, ndarjes së mendimeve, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.

Anëtare e saj është dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila përfaqësohej në veprimtari nga Primati i saj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, si dhe nga Z. Jorgo Papadhopulli dhe znj. Nina Gramo. Gjatë gjithë takimit ra në sy kontributi i rëndësishëm i Kryepiskopit Anastas, përvoja, urtësia dhe vizioni i Tij në hartimin e strukturës, funksionimit dhe vizionit që duhet të ketë CEC-u, si një organizatë e kishave në Evropë.

Hapja e veprimtarisë, u bë më 26 qershor, në Katedralen e Nidaros, me një lutje të kryer nga Patriku Ekumenik Vartholomeu I. Pastaj, u bë hapja zyrtare në praninë Mbretit të Norvegjisë Harald V, kryeministrit, liderve të shumtë nga jeta politiko-fetare, delegatëve të Asamblesë etj. Mirëseardhja u dha nga Kryeministri norvegjez Kjell Magne Bondevik dhe pastaj foli dr. Kenneth Kaunda, ish-president i Zambias.

Pastaj, në pushim u vizitua një ekspozitë me ikona nga vende të Ballkanit, pati një pritje nga bashkia, veprimtari artistike, të cilat ishin karakteristike për të gjitha ditët e veprimtarisë etj. Mbasdite u vazhdua me temat e ndryshme, si dhe me një deklaratë për mjedisin e Detit të Veriut, që u paraqit nga Patriku Ekumenik dhe Rev. Finn Wagle i Nidaros.

Disa nga temat e diskutuara në Asamblenë e CEC ishin:
– Migrimi në Evropë – interesimi i kishave për të drejtat e emigrantëve, mbrojtjen e refugjatëve dhe luftën kundër racizmi.
– Përballimi i sfidave të përbashkëta në Evropën në ndryshim – një perspektivë e Krishterë në rajonin e Balltikut dhe Barencit
– Një treg i ri evropian i skllevërve? Trafikimi i grave në Evropë – sfidë për kishat
– Si po i përballojnë kishat problemet e Bioetikës.
– Kishat maxhoritare dhe minoritare në Evropë – konfliktet dhe partimi
– “Cilësi jete për të gjithë”: Diakonia – duke u përpjekur për një Evropë sociale
– Të thirrur për të komunikuar: Dëshmia e Kishave në shoqërinë e Informimit
– Roli i kishave në përpjekjet për paqe
– Zhvillimi i përballueshëm pas Johanesburgut – një sfidë për kishat
– Shërimi nga kujtimet – një detyrë në vazhdim – Roma dhe kishat Nordike
– Një proces Ekumenik për një ekonomi në shërbim të jetës
– Takimi midis të krishterëve dhe muslimanëve në një Evropë pluraliste
– Evropa Qendrore e Lindore – Sfidat sociale, ekonomike e mjedisore. Detyra për të gjitha kishat Evropiane dhe shoqërinë Civile.

Rrënjët e krishtera dhe vlerat shpirtërore duhet të ruhen dhe në të ardhmen…

Në seancën plenare të Asamblesë të CEC, në të cilën u fol për temën: “Evropa dhe qëndrimi i kishave ndaj një Evrope, e cila nga dita në ditë po bashkohet dhe më shumë”, folës kryesor ishte Kryepiskopi Anastas.

Në fjalën e tij ai theksoi ndër të tjera se:

“Në ditët e sotme ne po jetojmë në mes një zhvillimi të mrekullueshëm, atë që për shumë gjenerata ishte një ëndërr e guximshme: Bashkimin e popujve të Evropës me një vizion të ri të bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimi, mbi bazën e vlerave dhe principeve bashkërisht të pranuara. Por, që kjo ide e Evropës të lulëzojë e japë fryte, duhet të kapërcehen shumë paragjykime dhe psikoza. Faktorë që kontribuan në këtë proces pajtimi ishin nismat e personaliteteve politike, që ishin frymëzuar nga besimi i Krishterë, por edhe nga afrimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë midis kishave pas Luftës së II Botërore, në kontekstin e lëvizjes ekumenike.

Por, bashkë me euforinë për Evropën e Bashkuar, ka lindur edhe shqetësimi, se ku kontinent ynë është drejtuar.

…Rrënjët e krishtera dhe vlerat shpirtërore në të cilat u mbështet Evropa Bashkuar, gjë e cila duhet të theksohet dhe në statutin e saj, duhet të ruhen dhe në të ardhmen, duke theksuar vlerat e dashurisë dhe të lirisë që sjell ai…

Roli që do të luajnë kishat lokale në këtë proces mbetet gjithmonë esencial. Do të jetë e rrezikshme që në një moment të tillë, kur forcat politike janë duke theksuar dhe promovuar bashkimin e qytetarëve të Evropës dhe janë duke mbështetur paqen, stabilitetin dhe sigurinë në kontinent, komunitetet fetare të ngrenë barierra dhe të mbajnë veten larg njëri-tjetrit…

Parimet e krishtera intelektuale dhe shpirtërore të Evropës, duhet të përfshijnë gjithë qenien njerëzore. Nuk është e drejtë që Evropa të mbyllet në vetvete dhe të veprojë vetëm për interesat e saj. Ajo ka pasur dhe ka një përgjegjësi mbarëbotërore. Vizioni universal i saj, i cili përqafon çdo person dhe çdo popull lidhet me respektin e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga origjina, raca, arsimimi dhe duhet të respektojë lirinë e tyre.

Në fund, ai theksoi se të krishterët janë në të njëjtën kohë dhe qytetarë të përgjegjshëm të Evropës dhe duhet të kontribuojnë për transformimin e shoqërisë, duke theksuar vlerat e drejtësisë, barazisë, paqes, solidaritetit dhe dashurisë: Gjithsecili, në fillim në vendin e tij dhe pastaj duke u shtrirë më gjerë në gjithë vendet e Evropës dhe pse jo, në të gjithë botën.

Në raportin e Sekretarit të përgjithshëm të CEC, Rev Keith Klement, u vu në dukje, se më shumë se një dekadë pas rrëzimit të perdes së hekurt që ndante Evropën, i duhet kushtuar vëmendje ndarjeve të reja mund të lindin në kontinent. Ai u ndal tek veprimtaria dhe solidariteti mes kishave në çështjet e ndryshme që janë përballur, tek marrëdhëniet me Kishën Katolike, tek realizimi i objektivave të vëna nga Asambleja e kaluar, që u mbajt në Graz, Austri dhe detyrat e shpresat për të ardhmen e organizatës etj.

Konferenca në programin e saj përmbante shërbesa të ndryshme fetare, studim Biblik, takime me personalitete të rëndësishme, prezantim kishash etj. Ajo pati tri sesione plenare; kushtuar “Kartës Ekumenike”, për Europën dhe Rininë (në ato për Evropën dhe rinin Kryepiskopi Anastas ishte folës kryesor).

Rinia me sfidat e saj, frymën krijuese dhe gjallërinë tregon një dëshirë të fuqishme dhe shpresë për të ardhmen e CEC. Të rinjtë pjesëmarrës në Asamble shpallën mendimet dhe vizionin e tyre gjatë në seance plenare të posaçme, ku sërish Kryepiskopi Anastas ishte folës kryesor.

Siç thamë, në programin e Asamblesë ishte dhe takimi me personalitete të rëndësishme, ku shumë delegatë, vizitorë dhe pjesëmarrës të tjerë kishin mundësi të takoheshin me njerëz të tillë nga fusha politiko-fetare. U realizuan katër takime të tilla: i pari me dr. Keneth D. Kaunda, ish-President i Republikës së Zambias, me Kryeministrin e Norvegjisë, Kryepiskopin Anastas dhe me Arqiepiskopin e Canterbury-t (Angli). Gjatë takimit, Kryepiskopi Anastas foli për Ringjalljen e Kishës sonë, si dhe kontributin e pamohueshëm të saj për shërimin e shpirtrave dhe pajtimin e njerëzve në situata e vështira të krizave të ndryshme, gjatë këtyre viteve tranzicioni.

Në fund, Asambleja zgjodhi dhe Komitetin Qendror të Konferencës Evropiane të Kishave, të përbërë nga 40 vetë. Midis të zgjedhurve ishte dhe Kryepiskopi Anastas.

Data 2 korrik shënoi dhe ditën e fundit të Asamblesë, e cila u mbyll me Shërbesën e Bekimit të Ujit (Agjiasmosë), të drejtuar nga Kryepiskopi Anastas mbi lumin Nidelva, në praninë e mijëra besimtarëve.

J.P.