Edhe një herë Kryepiskopi Anastas me vizitën e Tij në mitropolinë e Gjirokastrës, për të cilën ka përgjegjësinë e baritimit shpirtëror, ndau së bashku me besimtarët dhe bashkëpunëtorët e Tij, vizionin për vazhdimin e veprës së ngritjes shpirtërore të besimtarëve orthodhoksë, në veçanti të brezit të ri. Ai u interesua rreth projekteve për vazhdimin e kontributit në veprat zhvilluese, si dhe një seri ndërhyrjesh, që bëhen nën kujdesin e Tij për rehabilitimin rrënjësor të mjaft kishave me vlera monumentale, liturgjike dhe kulturore.
Kryepiskopi me praninë e Tij edhe një herë shpërndau kudo gëzimin dhe shpresën, karakteristikë e ditëve të Analipsit dhe Pendikostisë, që përkujtojnë këto ditë orthodhoksët.
Gjatë qëndrimit në Gjirokastër Kryepiskopi vizitoi manastiret e shenjta “Kryeengjëjve” në Derviçan dhe “Fjetja e së Tërëshenjtës Mari” në Dhuvjan, i shoqëruar nga një grup ekspertësh të specializuar në restaurim. Në Dhuvjan ai pati rastin të marrë edhe falënderimet e banorëve të fshatit për fondet dhe përkujdesin e treguar për ndërtimin dhe shtrimin e rrugës, që lidh lagjet e sipërme të fshatit dhe gjithashtu krijon mundësi komunikimi për Manastirin, duke e bërë atë të vizitueshëm. Ndërtimi i kësaj rruge mund të konsiderohet edhe si faza e parë ndërhyrëse në manastir, përderisa lehtëson realizimin e projekteve të mundshme për restaurim.
Ndërkaq, këto ditë kanë filluar intensivisht edhe punimet për rikonstruksionin e plotë të kishës “Fjetja e së Tërëshenjtës”, në fshatin Zervat të Dropullit. Kjo kishë është një monument i rrallë dhe vlerat e saj shquhen si në drejtimin arkitektonik, në atë ndërtimor, ashtu dhe në pikturat murale, që ende ndodhen në gjendje shumë të mirë. I një rëndësie të veçantë është gjithashtu edhe ikonostasi me ikonat e tij. Nga neglizhenca e treguar dhe mosndërhyrja për vite me radhë, kisha kishte filluar të tregonte problemet e para, sidomos me çarje në sistemin e harqeve dhe muret anësore. Me një projekt të plotë, të përgatitur enkas për rehabilitimin, nën përkujdesjen e Kryepiskopit Anastas edhe ky monument i shtohet radhës së dhjetëra të tjerëve, të rikonstruktuar rrënjësisht vitet e fundit. Gjatë punimeve restauruese, në çati u zbuluan elemente të fshehura, të cilat ndihmojnë në datimin e ndërtimit të kishës, në fazat zgjeruese të saj, si dhe në materialet ndërtimore fillestare.
Të Dielën e Etërve të Shenjtë të Sinodit të Parë Ekumenik, Kryepiskopi Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e porsandërtuar të Shën Kozmait të Etolisë, në zonën e thellë të Livadhjasë, në Sarandë. Kisha madhështore, koret e shkollës “Kryqi i nderuar” dhe konviktit të vajzave, besimtarët e shumtë të mbledhur nga të gjitha fshatrat përreth, i dhanë asaj tonet e një dite të hareshme dhe të një gëzimi shpirtëror kristian. Duke marrë shkas nga Ungjilli i ditës, Kryepiskopi Anastas foli pikërisht për këtë gëzim, i cili plotësohet me hirin e Perëndisë dhe që për ta shijuar duhet një përpjekje e madhe në atmosferë lutjesh dhe betejash shpirtërore, për një komunikim të thellë dhe të vazhdueshëm me Perëndinë.
Pas Liturgjisë, me autoritete lokale dhe të fshatit, si dhe me besimtarë të shumtë, Kryepiskopi Anastas pati një bisedë të përzemërt, ku me dashamirësi atërore dëgjoi problemet e veçanta që shqetësojnë zonën, sidomos një pjesë të fshatrave që ndodhen totalisht të izoluar dhe të shkëputur nga sistemi i rrugës automobilistike. Kryepiskopi u komunikoi vendimin e Tij, që makineritë e rënda që disponon Kisha Orthodhokse, do të punojnë në atë zonë për aq kohë sa të përmirësohet rruga e gjatë 20 km, që do të ndihmojë 14 fshatra për t’u lidhur, si me rrugën nacionale që të shpie në Sarandë ashtu edhe me pikëkalime kufitare, që janë hapur në atë zonë. Tashmë ndërhyrjet e para janë bërë në segmentin prej 3.5 km, që lidh fshatin e Llazatit me qendrën e komunës. Njëherësh, Kryepiskopi Anastas u komunikoi predispozicionin e tij që të studiojë mundësinë për ngritjen atje të një shkolle të mesme profesionale. Kjo shkollë do të përbënte një mbështetje afatgjatë për të rinjtë e gjithë zonës, duke krijuar premisa për kualifikim, por edhe për punësim dhe qëndrim të të rinjve në zonën e tyre.
Në Mesopotam, Kryepiskopi vizitoi kantierin e ndërtimit të kishës së Apostull Pavlit, si dhe godinën e bukur ku do të funksionojë qendra shpirtërore. Me këtë rast, filluan gjithashtu punimet e ndërtimit të kambanores së kishës. Në pozicionin ku ndodhet ky kompleks merr përmasa madhështore, si dhe do përbëjë një pikë referimi për të gjithë zonën më të gjerë të Vurgut dhe të Delvinës.
Në mbasditen e së dielës, Kryepiskopi Anastas bëri Ajasmonë e përurimit të veprës së ujësjellësit për fshatin Goranxi, të Dropullit të poshtëm, totalisht e financuar me fonde të siguruara nga ai. Ceremonia në formë simbolike u krye në çezmën që ndodhet në oborrin e kishës së Taksiarkëve, në mes të gjithë banorëve të fshatit, nga të cilët Kryepiskopi mori falënderime të ngrohta dhe mirënjohje.
Korresp i “Ngjallja”