Me ftesë të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, nga 14-22 korrik, do të mbahet në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike, Asambleja XVII e Përgjithshme e Syndesmos, Organizatës Botërore të Rinisë Orthodhokse. Ajo është jubilare, sepse do zhvillohet në 50-vjetorin e krijimit të kësaj organizate, që u themelua në vitin 1953, në Severe, Francë. Eshtë mjaft domethënëse që kjo veprimtari do zhvillohet pranë një kishe të ringjallur pas një persekutimi të egër, me ndihmën e mbështetjen edhe të kishave motra.
Asambleja e Përgjithshme është sipas statutit, organi më i lartë i Syndesmos dhe do mbledhë rreth 200 pjesëmarrës, ku përfshihen delegatë nga 125 organizata anëtare, shkolla teologjike, teologë e hierarkë të lartë orthodhoksë, të ftuar, observatorë dhe ndihmës vullnetarë.