EmailFacebookKontakt

Onufër Egjiptiani (12 qershor)

Fjeti në fund të shekullit të katërt ose në fillim të shekullit të pestë. Bografinë e tij e shkroi murgu Pafnutio, i cili shkoi në thellësitë e shkretëtirës, për t’u bekuar nga eremitët që do të takonte. Kështu, pasi eci 17 ditë dalloi dikë, me një trup leshtor dhe të bardhë, që vetëm në mes ishte i mbuluar me gjethe. U tremb, por ai e qetësoi duke e thirrur me emrin e tij! Dhe, duke ia përmbushur lutjen që i bëri, i shfaqi historinë e tij: Quhej Onufër. Prindërit e tij ishin pa fëmijë derisa e bënë atë, si rezultat i lutjeve të tyre. Babai i tij, mbret i Persisë, duke iu bindur zbulesës hyjnore e solli, ende foshnjë, në një bashkësi monakale (kinov) të shenjtëmar, të Tebaidës së Egjiptit. Edhe në udhëtim dhe në manastir e ushqente çuditërisht me qumësht një drenushë. Kur u rrit, u entuziazmua nga jetët e shenjtorëve, sidomos nga të asketëve (në një farë mënyre), Ilia (20 korrik) dhe Pararendësi (7 janar) dhe iku nga manastiri. Në rrugë iu shfaq engjëlli i tij mbrojtës e i dha guxim. Depërtoi në shkretëtirë dhe pasi kishte ecur katër ditë, pranë një kasolleje rrethuar me hurma dhe me një burim aty pranë, gjeti një asket, nga i cili u këshillua dhe u udhëzua. Ndenji atje dhe u përpoq shpirtërisht gjashtëdhjetë vjet, pa e parë njeri! Por, rrobat iu prishën, dhe vuante nga e ftohta apo nga e nxehta, ndaj u lut dhe i mbiu në trup lesh i dendur mbrojtës. Lakuriqësia e tij ia kaloi, sipas vërejtjes së himnografit, edhe porosisë së Krishtit përkundrejt apostujve, që të kishin vetëm një këmishë. Çdo ditë engjëlli i sillte një bukë, kurse të dielën Falënderimin Hyjnor. Oshënari, duke mbaruar tregimin, lajmëroi se do të vdiste. Vërtet, ndërsa po lutej, fytyra e tij shkëlqeu, dhe në mes të gjëmimeve e vetëtimave u dukën engjëj që psalnin. Shpirti i tij fluturoi si pëllumb i bardhë në duart e Zotit, ndërsa lipsani shndrinte dhe mbante erë të mirë. Pafnutio çuditej se si do të hapte varrin pa vegla, por erdhën dy luanë, që duke iu bindur murgut, e hapën me thonjtë e tyre! Ai mendonte të rrinte përgjithmonë atje, por ra një tërmet, kështu që gurë voluminozë mbuluan kasollen, palmat dhe burimin. E kuptoi se Perëndia donte që ai të kthehej, që të mësojmë shenjtërinë e Onufrit dhe të eremitëve të tjerë.

At Justini