(vijon nga numri i kaluar)
Në fund të fundit, kisha paraqet një vlerë të veçantë arkitektonike. Sipas historianit të shquar të historisë së arkitekturës kishtare Curcic, aty nga fundi i sundimit osman në Ballkan, dhe veçanërisht pas tij, subjekte të krishtera të perandorisë ndjenë nevojën të rilindin madhështinë e modeleve klasike paleokristiane të arkitekturës bizantine. Ka patur raste që ndërtimet ekzagjeroheshin si një mënyrë reagimi kundër kufizimeve të rregullores osmane mbi ndërtimin e kishave dhe veçanërisht e kambanoreve. Kjo çoi në rizbulimin e tipit të bazilikës në përgjithësi, me ose pa kupolë. Curcic citon shumë shembuj të tillë, kryesisht nga qytete të mëdha të Ballkanit, përveç Shqipërisë, p.sh. në Athinë, që u çlirua në shek. XIX, shumë prej kishave, të ndërtuara para ose pas çlirimit, paraqesin këtë modë të arkitekturës kishtare, ndoshta me shembullin më karakteristik katedralen e saj. Veçanërisht, një tip i ri bazilike u krijua, me narteks (nganjëherë të ngritur duke përfshirë edhe gjinekonitin) gjatë fasadave jugore, perëndimore dhe veriore. Ky tip u paraqit për herë të parë në Selanik, në kishën e Shën Minait edhe në kisha të tjera, të gjitha të datuara nga fundi i shek. XIX deri në fillimet e shekullit XX, duke patur parasysh se Selaniku bashkë me vende të tjera të Maqedonisë u çliruan nga sundimi osman vetëm më 1912. Nga Selaniku ky tip u përhap në vise të ndryshme të Ballkanit.
Rrethet e krishtera orthodhokse në Shqipëri nuk mbetën të veçuara nga arritjet e arkitekturës kishtare në Ballkan. Katedralja e vjetër e Korçës, e ndërtuar më 1897, e shkatërruar nga regjimi komunist ndoshta ishte shembulli më i shquar, që i përket edhe tipit të ri të bazilikës që u krijua në Selanik. Shembuj të tjerë, që shfaqën këtë modë të arkitekturës përfshijnë një seri ndërtimesh kishtare madhështore, por të ekzagjeruara dhe të shpërpjesëtuara – në krahasim me kishat, me të cilat ato janë ngjitur – kambanorja në rrethe të ndryshme, si në Korçë (p.sh. kambanorja jashtë kishës së Shën Nikolas në Boboshticë më 1928, etj.), në Myzeqe (p.sh. kambanorja në pjesën jugperëndimore të katolikonit të manastirit të Ardenicës më 1925, etj.), në Himarë, etj. Meqenëse ishte ndërtuar vetëm disa vjet përpara vendosjes së sistemit komunist, nuk iu kushtua rëndësi ndërtimeve kishtare të tilla dhe u konsideruan të parëndësishme nga pikëpamja kulturore. Prandaj, shumica prej tyre, veçanërisht kishat, u shkatërruan për të kryer ndërtime të tjera në vend të tyre. Kisha e Lindjes së Hyjlindëses në Pazarin e Vjetër të Përmetit është një nga të paktat, ndoshta unike, shembull i kishave, që ishin në modë dhe që ruhet deri më sot, pra, si e tillë duhet të konsiderohet si monument i vlerave të veçanta arkitektonike.
Si monument kulturor dhe fetar, vlen të tërheqë vëmendjen tonë, jo vetëm për rivendosjen e tij në vlerat e vjetra funksionale dhe fetare, por edhe për restaurim. Me gjithë vlerat historike dhe arkitektonike, mendojmë se Kisha e Lindjes së Hyjlindëses në Pazarin e Vjetër të Përmetit duhet të konsiderohet jo thjesht si një monument i Përmetit dhe banorëve të tij, apo i popullit shqiptar e atij ballkanik, por si një monument i pasurisë dhe vlerave kulturore botërore.
Bibliografi – Shkurtime
Adhami S., ‘Urbanistika dhe Arkitektura’ = Adhami S., ‘Mbi Urbanistikën dhe Arkitekturën e Pazarit të Vjetër të Përmetit’ (Sur l’urbanisme et l’architecture du vieux bazaar de Përmet), Monumentet, v. 2 (1982), p. 43-41 (French resume on p. 52-53).
Adhami S., Vështrim = Adhami S., Vështrim mbi Kulturën Popullore të Trevës së Përmetit, Tiranë 2001: Ada Publications.
Adhami S., Përmeti dhe përmetarët = Adhami S., Përmeti dhe Përmetarët në Udhëpërshkrimet e të Huajve dhe në Kujtimet e Popullit, Tiranë 2001.
Adhami S., Përmeti në histori = Adhami S., Përmeti dhe Përmetarët në Faqet e Historisë – Nga Lashtësia deri më 1939, Tiranë 2001: Neraida Publications.
Giakoumis K., Monasteries = Giakoumis K., The Monasteries of Jorgucat and Vranishtë in Dropull and of Spelaio in Lunxhëri, as Monuments and Institutions during the Ottoman Period (15th-19th Centuries) in Southern Albania, Ph.D. thesis submitted at the Centre for Byzantine, Ottoman and Modern Greek Studies, The University of Birmingham, Birmingham 2002.
Inalcik H., ‘Arnawutluk’ = Inalcik H., ‘Arnawutluk’, Encyclopaedia of Islam, v. 1 (1960), f. 651-658.
Pulaha S., Popullsia e Kosovës = Pulaha S., Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI (studime dhe dokumente), Tiranë 1983.
Pulaha S. ‘Qytetet shqiptare’ = Pulaha S. ‘Qytetet shqiptare nën regjimin feudal ushtarak osman gjatë shekujve XV-XVI (Les villes albanaises sous le regime feodal militaire ottoman au cours des XVe et XVIe siecles)’, Monumentet, v. 1 (1984), p. 17-42; French synopsis, p. 43-49.
Shkodra Z., Esnafët = Shkodra Z., Esnafët shqiptarë. (Shek. XV-XX), Tiranë 1973.
Shkodra Z., Qyteti = Shkodra Z., Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë 1984: Instituti i Historisë Ed.