EmailFacebookKontakt

Krishti është midis nesh, por ne nuk e dallojmë!

Në periferi të lagjes Laprakë, diku pranë shinave të trenit, në kontrast me një bllok vilash të reja të ngritura vitet e fundit, ndodhen disa shtëpi të vjetra gjysmë të rrëzuara.

Në njërën prej tyre, banon me qira një familje e varfër prej tre frymësh – nëna, babai dhe djali 12 vjeçar. Prindërit dikur kanë punuar në fabrikë e më pas përfunduan në asistencë. Shëndeti fizik i tyre nuk është i mirë, prandaj ushqimin e përditshëm e sigurojnë me vështirësi. Problemi më i rëndë janë kushtet e jetesës. Një dhomë përdhese plot lagështirë, pa dritare e dysheme, me mure të pasuvatuara dhe me tavan me kompesatë e mushama është bërë streha e tyre për 3-4 vjet, sepse nuk kanë patur mundësi të paguajnë për të jetuar në një mjedis më njerëzor.

Por zemrat e tyre mbajnë në vetvete shumë dashuri. Kujdesi më i madh për ta ka qenë stolia e shpirtit me virtyte. Ata dinë të presin me shumë ngrohtësi mysafirët madje kanë bërë pjesëtarë të sofrës edhe kafshët shtëpiake.

Ata u vizituan edhe nga gratë e grupit të Tiranës, që përpiqen t’i ndihmojnë të varfrit me mundësitë e kufizuara që kanë. Por, një dhembje therrëse shkakton indiferenca njerëzore ndaj këtyre të varfërve që vuajnë nga skamja. Krishtit të lënduar në grazhd i mbyllen dyert e pritjes edhe në ditët e sotme ndonëse na la porosinë “Ta doni të afërmin si veten tuaj”. Zotin e Ngjallur përsëri e gozhdojmë me neglizhencën tonë, për t’iu ndodhur pranë njerëzve në nevojë.

Ndaj arkat “Ndihmë për të varfrit” në dy kishat e qytetit ftojnë besimtarët të kuptojnë mbishkrimin “Kush përdëllen të varfrit i jep hua Perëndisë”.

Një ditë, në vështirësi – Perëndia do t’ia kthejë huanë të shumëfishuar të gjithë atyre që dhuruan me zemër të hapur. Amin.

R. Shqevi, M. Ndoni