EmailFacebookKontakt

Veprimtari e gjerë humane e grupit të grave “Përhapja e Dashurisë”

Në prag të festës së Pashkës gratë e grupit shpërndanë rreth 500 fletë palosje në ambientet brenda dy kishave të qytetit si dhe në firma e donatorë me një reputacion të mirë. Si rezultat i ndërgjegjësimit të komunitetit brenda muajit prill u mblodhën 130.000 lekë të cilat u përdorën për aktivitete të ndryshme me rastin e Pashkëve.

Janë përgatitur dhe shpërndarë ndihma ushqimore në rreth 400 individë nevojtarë me banim në fshatrat përreth Tiranës.

Shpenzimet u mbuluan nga të ardhurat e siguruara prej komunitetit si dhe nga fondi që ofroi Kryepiskopi Anastas.

U përgatitën dhe u shpërndanë edhe 350 pako me ushqime për familjet në nevojë brenda qytetit të Tiranës.

Dhuratat u shpërndanë nga gratë e grupit me makinat e kishës brenda një jave (10-17 prill). Shpenzimet e kryera për këtë aktivitet u përballuan tërësisht nga fondi që Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas dhuroi me rastin e Pashkës.

Në Shtëpinë e Fëmijës të Tiranës dhuruan këpucë të reja dhe çokollata për të gjithë fëmijët jetimë duke përdorur të ardhurat e siguruara nga ndërgjegjësimi i komunitetit besimtar. Gjithashtu u organizua një ekskursion në Shën Vlash ku morën pjesë 60 fëmijë dhe dy punonjëse sociale. Shpenzimet e kryera u siguruan nga zyra e kishës “Shërbimi i Dashurisë”.

U bë vizitë në spitalin e burgjeve, Tiranë dhe u shpërndanë 35 pako (me ushqime, veshmbathje, detergjente etj). Ky aktivitet u realizua kryesisht nga kontributi i komunitetit besimtar.

U organizua një drekë “dashurie” me të dënuarit e burgut 325, Tiranë. Në repartin e burrave numri i pjesëmarrësve arriti 150 individë dhe në repartin e grave 50. Grupi vizitor i kishës përbëhej nga misionarja Maria Linderman bashkë me 5 fëmijët e saj, një doktor amerikan i ardhur në Shqipëri për disa ditë për Pashkët, si dhe tri gra të Grupit të Grave.

Zyra “Shërbimi i Dashurisë” ofroi ndihmë prej 90000 lekë e cila mbuloi shpenzimet e kësaj tryeze dashurie.

Ekskursion në Ishull-Lezhë me 35 të moshuar të azilit, Tiranë. Dy anëtare të grupit shoqëruan të moshuarit në drekën e Pashkës ku u shpenzuan rreth 60000 lekë, që u mbuluan përsëri nga zyra “Shërbimi i Dashurisë”.

Gëzimi dhe mirënjohja mbushën zemrat e tyre ndaj përkujdesjes së Perëndisë. Falënderime dhe urime të përzemërta shprehën të gjithë për Atin e bariun tonë, Kryepiskopin Anastas.

Dhurata u shpërndanë edhe në qendrën “EDEN” me 18 fëmijë të mbledhur nga rruga. Ata përjetuan çaste të lumtura kur morën mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.

Gratë e grupit intensifikuan punët me dorë gjatë muajit prill. U bënë shumë kryqe e komboskinë, u gatuan meshë për Liturgjinë Hyjnore, dhe u ngjyrosën qindra kokrra vezë të kuqe, të cilat u shpërndanë nga dora e Kryepiskopit në kishë, si dhe u dhuruan në burg, azil, e në shumë besimtarë nevojtarë.

Pjesë e kontributit të komunitetit u bë edhe kopshti i kishës sonë. Drejtoresha dhe personeli i kopshtit ndikuan në ndërgjegjësimin e prindërve të fëmijëve, të cilët sollën shumë ushqime, ëmbëlsira e veshmbathje, me të cilat u ndihmuan rreth 40 individë në nevojë.