Mbas një periudhe mjaft të bukur e të ngarkuar me atmosferë lutjeje dhe adhurimi, mbas fitores së jetës mbi vdekjen dhe të gëzimit mbi hidhërimin, Kisha Orthodhokse, me fonde të siguruara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë prof. dr. Anastasi u ofron besimtarëve të qytetit të Korçës për nevojat e tyre një Kompleks polifunksional.
Në datën 8 maj, ditën e Shën Joan Theologut, në qytetin e Korçës u përurua faza e parë e Kompleksit polifunksional “Shën Gjergji”. I cili ndodhet pikërisht prapa ish-kishës së Shën Gjergjit, sot Biblioteka e qytetit.
Nga kjo ndërtesë, e filluar disa kohë më parë, u vendos në funksionim kati i parë i saj, i cili do t’i shërbejë komunitetit të qytetit të Korçës si trapezari për ceremoni të ndryshme, vdekje, martesa dhe nevoja të tjera.
Agjiazmoja e përurimit u celebrua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Imzot Joani dhe klerikë të tjerë. Ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Korçës, drejtues të ndryshëm të pushtetit lokal dhe personalitete të qytetit, si edhe shumë besimtarë.
Në fjalën e tij Mitropoliti përmendi se në fazat në vazhdim brenda këtij kompleksi do të funksionojnë një Institut Profesional dhe disa punishte të ndryshme, të cilat do të jenë në shërbim të Kishës dhe të komunitetit qytetar të Korçës.
Ceremonia u mbyll me një kokteil urimi.
Korresp. i “Ngjallja”