“Mos derdhni gjak vëllazëror për vrasjen time, mos luftoni për mua, ruani paqen dhe lavdinë e besimit më Krishtin, Zotit të vërtetë. Të sundohet me drejtësi dhe dashuri populli im”.
Këto ishin fjalët e fundit të Shën Joan Vladimirit përpara se të martirizohej. Historia e dhimbshme e një martiri që u martirizua, sepse virtyti iu keqinterpretua si pasion. Kujtohet çdo vit në datën 4 qershor (22 maj me kalendarin e ri), në manastirin e fshatit të Elbasanit, që mban emrin e shenjtorit. Kjo porosi dashurie që ndaloi hakmarrjen, mallëngjen brezat e besimtarëve, të cilët mrekullohen pas idealeve të larta të martirëve të Kishës.
Joan Vladimiri ka lindur në fshatin Vladimir në Malin e Zi, afër Shkodrës, nga i cili mori edhe emrin e dytë dhe e ka prejardhjen nga një prej familjeve mbretërore të dinastive sllave të asaj kohe, të shekullit të nëntë. I ati, Nemani, sundonte Shqipërinë e sotme, Malin e Zi, Dalmacinë, Bosnjën dhe disa krahina të Greqisë, pranë Prevezës. Pas vdekjes së të atit mori sundimin ai vetë. Një ditë Joani, duke shëtitur në krahinat e mbretërisë së tij pa në një pyll pranë Elbasanit, afër lumit të Kushtës, një shqiponjë, e cila kishte në shpinë, mbi krahët e saj, një kryq të shndritshëm. Shqiponja zbriti në tokë, la kryqin dhe u zhduk, sepse ishte një engjëll. Joani me lutje të mëdha mori kryqin dhe e vuri në po atë vend, ku ndërtoi edhe një Kishë. Sot aty qëndron si monument përkujtimi i kësaj mrekullie, manastiri i shenjtit, që përbën një qendër të rëndësishme shpirtërore për zonën dhe një vend pelegrinazhi. Ky manastir gjatë verës strehon edhe kampingjet për vajzat, që organizohen nga Kisha jonë.
Përkujtimi i shenjtorit, u zhvillua këtë vit në formën e një panairi shërbesash dhe lutjesh, që filluan në mbrëmjen e vigjiljes dhe vazhduan gjatë gjithë natës, me një agripni kataniktike. Përveç lutjeve të shërbesave, të cilat për shkak të Mbylljes së Pashkës kishin karakter ngjallësor, drejt fronit të Perëndisë ngjiteshin si temjan erëmirë në saj të ndërmjetimeve të shenjtorit edhe lutjet personale të gjithësecilit. Gjithmonë shenjtori ka dhënë prova tek njerëzit, që ditën e festës së tij kërkonin me lutje mrekullinë që është bërë realitet.
Ajo që të bën më shumë përshtypje, nëse merrje pjesë në këtë panair, ishte shpresëtaria e madhe dhe respekti që kanë besimtarët orthodhoksë ndaj lipsanit mrekullibërës të shenjtit. Që në çastin e mbërritjes së tij u vu re një zinxhir i gjatë njerëzish, që prisnin me durim të puthnin lipsanotekën, i cili mbaroi të nesërmen në mesditë, kohë në të cilën lipsani u kthye në vendin e mëparshëm. Sipas traditës, pas litanisë rreth kishës, besimtarët morën nga klerikët pjesë nga pambuku që për një vit mbështolli lipsanin e Shën Joanit dhe që do t’iu shërbejë si burim bekimi dhe shërimi.
Panairi i sivjetshëm do të ruante edhe një aktivitet që do të përbënte një veçanti në llojin e vet. Nxënësit e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” si çdo fundvit do të organizonin sivjet aktivitetin e tyre misionar gjatë panairit të Shën Joan Vladimirit, për t’iu dhënë mundësi njerëzve që të njihnin më mirë besimin orthodhoks si edhe për të ndarë përvojën e tyre shpirtërore me ta. Programi i tyre përmbante shfaqje të vogla me këngë fetare dhe tradicionale, dy drama me temë nga jeta orthodhokse, shfaqje me kukulla nga trupa teatrale e shkollës, aktivitete për fëmijë, prezantimin e Akademisë, si edhe biseda shpirtërore.
Në një bisedë me Varvarën, studente e vitit të tretë, u informuam se ky aktivitet po organizohej sipas një ideje dhe plani të vitit të tretë të Akademisë Teologjike. “Qëllimi ynë ishte të ndodheshim më pranë njerëzve gjatë kësaj feste, – theksoi ajo, – dhe të përgatisim veten për misione të tilla, që sjellin njerëzit më afër Perëndisë”.
U larguam nga panairi i madh dhe i shkëlqyer me ndjenja falënderimi ndaj bekimeve të shenjtorit dhe duke qenë të sigurt për praninë tonë atje edhe vitin e ardhshëm.
A.C.