Tashmë festivalet rinore, me muzikë kishtare, popullore, instrumentale etj., janë kthyer në një traditë midis veprimtarive të shumta që zhvillohen në Kishën tonë Orthodhokse. Kështu, në datën 29 prill, me rastin e festës së Pashkëve dhe ditës së emrit të Kryepiskopit Anastas, Zyra Kombëtare e Rinisë organizoi Festivalin Rinor Orthodhos të Dioqezës së Tiranës. Në këtë koncert festiv morën pjesë grupet rinore të Tiranës, Durrësit, Gjinarit dhe Elbasanit.
Të ftuar në këtë festival ishin fëmijët e kopshtit të Tiranës, së bashku me ata të shkollës “Protagonistët”, fëmijët e shkollës “Osman Myterizi”, Grupi i valleve të Shtëpisë së rinisë orthodhokse të Tiranës, kori i muzikës bizantine, kori i radios “Ngjallja”, si dhe grupi rinor i Beratit.
Të gjitha grupet rinore me këngët dhe vallet që paraqitën në këtë festival, krijuan një atmosferë të gëzueshme për publikun dhe përcollën më së miri gëzimin e Krishtit të ngjallur.
Në fund të këtij aktiviteti, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit Kryepiskopi Anastas, i cili pas mesazhit të Ngjalljes së Krishtit që përcolli tek të gjithë, i përgëzoi ata për punën e tyre të madhe.
Jezuela Bardhi