EmailFacebookKontakt

Kisha e Manastirit ‘Fjetja e Hyjlindëses’, në Zvërnec

VËSHTRIM HISTORIK

Kisha e manastirit “Fjetja e Hyjlindëses” ndodhet në ishullin e bukur të Zvërnecit, në lagunën e Nartës, rreth 15 km larg nga qyteti i Vlorës. Ai është i tëri i mbuluar me gjelbërim, ku mbizotërojnë qiparisat.

Ishulli lidhet me pjesën tjetër të tokës me anën e një ure prej druri me gjatësi 280m dhe gjerësi 1,2m, e ndërtuar më 1998 mbi gjurmët e urës së mëparshme, me fonde të Kishës sonë. Po këtë vit, me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas filluan punimet për rikonstruksionin e mjediseve të manastirit, si: konakët, godina e priftërinjve, sistemime, instalime elektrike, hidraulike etj.

Mjediset e tij gjatë periudhës së monizmit u përdorën si vend izolimi për kundërshtarët e regjimit, ndërsa sot, përveç funksioneve liturgjike, ato presin edhe kampingjet verore të të rinjve orthodhoksë.

Brenda ishullit të Zvërnecit ndodhen dy kisha:

– Kisha e Trinisë së Shenjtë ndodhet në jugperëndim të ishullit, buzë ujërave të lagunës. Në këtë kishë ekzistojnë muret në të gjithë lartësinë e tyre, por mungon çatia.

– Kisha e kompleksit të Manastirit, që i kushtohet Fjetjes së Hyjlindëses.

Më shumë të dhëna historike ekzistojnë për kishën, duke filluar që me kompozimin arkitektonik ashtu edhe në kohën kur ajo funksiononte. Në të duken faza të ndryshme ndërtimi, të cilat mendojmë se janë bërë për funksionimin e saj në përshtatje me numrin e njerëzve që u ka shërbyer.

Nga viti 1966-1967 këto objekte iu morën kishës dhe nga ai çast, kisha e shpallur monument i kaloi në administrim dhe mirëmbajtje Institutit të Monumenteve të Kulturës. Tashmë, për kishën shekullore ka nisur një restaurim tërësor, investim që bëhet me kujdesin dhe fondet e dhëna nga Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit tonë, si dhe për ringjalljen e pasurisë sonë shpirtërore.

PËRSHKRIM ARKITEKTONIK

Kisha është e tipit kryq i lirë me kupolë, me narteks, me hajat të hapur me kolona në anën veriore dhe me kambanore në aksin e trupit të narteksit në perëndim të saj. Në kishë hyn nga një derë në murin verior të saj. Gjithashtu ajo ka edhe një derë në të njëjtën anë me të parën në pjesën e eksonarteksit.

Në fund të krahut lindor ndodhet apsida e ajodhimës, e cila është pjesërisht me afreske të dëmtuara dhe ndriçohet nëpërmjet një dritareje të vogël. Në qendër të hapësirës së ajodhimës (hierores) ndodhet Tryeza e Shenjtë.

Naosi, në formë kryqi, ndriçohet nëpërmjet dy dritareve kuadratike, të cilat ndodhen në krahët verior dhe jugor të kryqit. Krahët e kryqit mbulohen me qemere cilindrike, të cilat shërbejnë si harqe mbajtëse për tamburin. Mbulimi i tamburit bëhet me anën e një kupole.

Dyshemeja e naosit është e shtruar me rrasa guri shtufi të skuadruara dhe të lëmuara nga shkeljet e njerëzve me kalimin e viteve.

Në pjesën jugore të narteksit ekziston një varr me kapak prej guri gëlqeror. Në fushën e tij është gdhendur një letër e hapur, e rrethuar me dy pilastra dhe një hark në profil. Në të shkruhet edhe datimi vendosjes së varrit, që i përket shek. XV-XVI (Theofan Popa “Mbishkrime të kishave në Shqipëri”).

Narteksi është në formë drejtkëndëshi dhe ka dy dritare drejtkëndëshe një në perëndim dhe një në veri. Eksonarteksi është i shtruar me tulla katrore. Në pjesën verilindore të tij ndodhet një gur i skalitur për pagëzimet. Hajati zë tërë anën veriore dhe është i hapur thuajse i gjithë në këtë anë. Ai është i ndërtuar me kollona rrethore të shoqëruara me kapitele prej guri në kokën e tyre.

DATIMI

– Sipas studimit të kryer nga prof. dr. Aleksandër Meksi në revistën Monumente, viti 1975 Nr. 10, ajo datohet e shekullit XIII – XIV, ku si bazë merret trajtimi i fasadave në arkada, si dhe në bazë të analogjisë, pasi ajo përafron me kishën e Shën Kollit, në Kurjan të Fierit.

– Në simpoziumin “2000 vjet krishterim”, sipas akademik prof. dr. P. Vocotopoullos, kisha është e shekullit X. Këto mendime janë bazuar tek Krautheimez, i cili thotë se këto rrjedhin nga muzeumet.

– Në mbishkrimin në gur tek porta kryesore e hajatit jepet viti i ndërtimit të tij, që është 1884. Ky ndërtim është i fazës së dytë të ndërtimit, ku përfshihen hajati, eksonarteksi dhe kambanorja.

RESTAURIMI

Duke pasur parasysh vlerat e veçanta shpirtërore dhe monumentale të këtij manastiri, Kryepiskopi Anastas i vuri detyrë Bërthamës së Restaurimit pranë Fondacionit “Frymë Dashurie”, për të filluar proceduralt për restaurimin e kishës kryesore. Më pas, projekti i realizuar, në përputhje me ligjet në fuqi, u miratua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Dhe, me miratimin e fondit nga Kryepiskopi, në fillim të janarit 2003 filluan punimet e restaurimit, të cilat janë në proces.

Pas zbulimit të çatisë, në të, ashtu siç pritej, dolën gjurmët e fazës së parë të periudhës bizantine, gjë që solli edhe ndryshime në projekt, për të evidentuar sa më mirë këta elementë.

Vlera e punimeve është parashikuar rreth 16 milion lekë dhe do të vazhdojnë për gjashtë muaj.

J. Stratobërdha