At i madh, shkrimtar shumë i madh antiheretik. Lindi rreth vitit 315 në Palestinë nga të krishterë, me sa duket hebrenj, dhe studioi në shumë vende, kështu që mësoi pesë gjuhë. I ri në Egjipt u verbua nga monakizmi, i drejtuar tashmë nga shën Ilarioni (21 tetor). Kur ishte 20 vjeç u kthye në Palestinë dhe themeloi një manastir, në të cilin ishte igumen. Gjithashtu u dorëzua prift. I ditur, i virtytshëm, çudibërës i madh, Epifani (d.m.th. i dalluar) u zgjodh më 367 kryepiskop i Qipros me qendër Konstandian. U kujdes për monakizmin dhe luftoi kundër arianizmit dhe të gjitha herezive. Ishte tej mase i rreptë kundër çdo gjëje, për të cilën dyshonte se ishte jokonservatore apo jo plotësisht e regullt. Kështu ra në gabime dhe ishte në kontradiktë me shën Meletin e Antiokisë (12 shkurt) dhe më vonë me Krisostomin (Gojartin) e shenjtë (13 nëntor). Duke mohuar arsimin grek, dënoi me sinod Origjenin, theologun që kishte shkruar shumë vepra (401), të cilin e konsideronte at të herezive. Zelli i pandërprerë për problemet e Kishës “mëmë”, sipas shprehjes së tij, e drejtoi në Azinë e Vogël, Antioki, Jerusalem, Romë dhe Konstandinopojë, ku dhe ra në gabime ..antikanonike! Për arsye se me sa duket u pendua, u largua me nxitim mbas lutjes së kryepiskopit Shën Joan Gojartit. Fjeti gjatë kthimit në ishullin e tij të Qipros më 12 maj 403. Në veprat e tij, që patën një ndikim të gjerë, merret sidomos me tema dogmatike, duke shpjeguar Shkrimin e Shenjtë jo aq me mend sesa me zemër, dhe i mbështetur në Tradita. “Panari” i tij (d.m.th. kanistra) ekspozon 80 herezi, skizma dhe fe, dhe në fund Orthodhoksinë. Kurse “Në lidhje me masat dhe gurët e peshës” përbën enciklopedi të Dhiatës së Vjetër. Mendohet si shkrimtar i omelisë virtuoze “Në zbritjen në Adh të Zotit” (gjatë varrosjes së Tij). Por vihet në dyshim origjinaliteti i morisë së veprave me emrin e tij. Afër tij mësoi dhe shën Jeronimi (15 qershor). Diku është regjistruar një shenjtore Kalitropa si motër e tij.