Dhjetëra të krishterë orthodhoksë tepelenas, me Dritën e Ngjalljes në zemra e në sy, u mblodhën të gëzuar në truallin e kishës së dikurshme orthodhokse të qytetit, te oborri i spitalit, ku është ngritur dhe një konismë e bukur, dhe përqafonin njëri-tjetrin duke uruar: – «Krishti u Ngjall!» – «Vërtet u ngjall!»
Gëzonin ata për Ngjalljen e Zotit e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, për Triumfin e Jetës, për Dritën e pashtershme që vjen prej Tij, për paqen dhe dashurinë që Ai na fal.
Liturgjia u krye nga At Nathanaili dhe dhjaku Stefan Jani. Çfarë emocionesh u krijuan kur, nën drejtimin e tyre, sheshi oshëtiu nga kënga triumfale “Krishti u Ngjall së vdekurish!» Të sëmurët dilnin në dritaret e spitalit, ndërsa shumë prej tyre bashkë me disa infermiere u futën mes besimtarëve dhe gëzonin e këndonin tok me ta.
Krishti u ngjall! Krishti fitoi! Krishti mundi ligësitë dhe vdekjen! Ai na jep fuqi të mposhtim plagë e sëmundje! Ai na jep Përjetësinë!
Pastaj At Nathanaili i njohu të pranishmit me përshëndetjen e ngrohtë dhe frymëzuese të Kryepiskopit tonë të dashur Anastas.
Më në fund besimtarët çukitën vezët e kuqe. Ata u shpërndanë duke uruar: «Gëzuar e për shumë vjet Pashkët!» Në shpirt u vlon dëshira e zjarrtë që edhe në qytetin e Tepelenës të ringrihet një kishë e bukur e atje të kryhen Liturgjitë e Hyjnore orthodhokse.
Një meshë e tillë u krye edhe në kishën orthodhokse të qytetit të Memaliajt.
Llukan S. Stavro