Nga Ilia Spiro Vasili
Dhespoti Jerotheos Andon Jaho ishte me origjinë nga fshati Çarshovë i rrethit të Përmetit. Aty lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij. Më vonë, në moshën e rinisë shkoi në Stamboll, pranë të atit, Andon Jaho, i cili ishte vendosur atje me kohë dhe ishte në gjendje të mirë ekonomike, duke arritur të blinte dhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke, prej së cilës siguronte të ardhura të konsiderueshme. Nëna e Janaqit (emri i fëmijërisë i dhespotit Jerotheos) quhej Konstandina, ishte shtëpiake dhe, ashtu si dhe i shoqi i saj, ishte nga Çarshova.
Andoni dhe Konstandina Jaho kishin 8 fëmijë, 5 djem dhe 3 vajza, të cilët quheshin: Jorgaq, Lilo, Janaq (Dhespoti i ardhshëm Jerotheos), Theodhori, Llukan (i ati i nënës sime, Olimbi), Varvara, Vasilika dhe Sulltana. Nga këta në Greqi kanë jetuar dhespoti Jerotheos, Jorgaqi, Lilo (që u vesh klerik me emrin Theodhor dhe përfundoi në Malin e Shenjtë), Varvara dhe Vasilika. Fëmijët e tjerë jetuan dhe vdiqën në Shqipëri.
Më 1907 Jerotheos Andon Jaho, mbaroi shkollën teologjike të vendosur në ishullin e Halkit, jo larg Konstandinopojës, me rezultate në përgjithësi të mira. Në fillim ka qenë murg asket në Skitinë e Shën Spiridhonit, po në Halki. Më 8 janar 1911 Patriarku i Stambollit, Joakim III, falënderon me letër të veçantë arkimandritin Jerotheo Andon Jaho, i cili kishte blerë nga turqit dhe kishte dërguar në Patrikanë kryqin e gjoksit të patriarku t Grigorios V. Para Luftës I Botërore ka shërbyer me patriotizëm në rajonin e Përmetit dhe të Korçës. Më 9 dhjetor 1913, u zgjodh ndihmësepiskop i Mitropolitit Kiziku Konstandinu, me titullin Episkop i Militupolit, duke u hierotonisur më 12 janar 1914.
Pas Kongresit Orthodhoks të Beratit, shtator 1922, për krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, filloi një periudhë pasigurie dhe krize e orthodhoksisë shqiptare. Patrikana e Stambollit, duke patur parasysh se Shqipëria ishte vendi i fundit ballkanik pa kishë autoqefale, dërgoi si të dërguar të saj fuqiplotë në Shqipëri Mitropolitin e Militupolit Jerotheos, me origjinë shqiptare, i cili arriti në Korçë më 27 nëntor 1922. Dhespoti Jerotheos me përvojën dhe dinamizmin që e karakterizonte iu përvesh menjëherë punës organizative për krijimin e kushteve të domosdoshme për shpalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.
Më 8 dhjetor 1922, i kërkoi me shkrim Patrikanës së Stambollit, që të dërgonte në Shqipëri dhespotin me origjinë shqiptare, episkopin e Sinadonit, Kristofor Kisi, kërkesë që u plotësua.
Këshilli i Lartë Kishtar, i mbledhur në Berat në tetor 1923, vendosi që dhespoti Jerotheos Jaho të vendosej në Mitropolinë e Korçës, ndërsa Imzot Kristofor Kisi të në të Beratit. Këta të dy, së bashku me një dhespot të huaj, hirotonisën episkop Theofan Nolin, në Katedralen e Shën Gjergjit, në Korçë, më 4 dhjetor 1923. Pas angazhimit të Imzot Theofanit me problemet politike, fitores së Revolucionit të vitit 1924 dhe shpalljes së Fan Nolit kryeministër të, Patrikana Ekumenike, mendoi ta shqyrtojë seriozisht çështjen e njohjes së Kishës Autoqefale Shqiptare me në krye dhespotin Jerotheos (A. Glavina “Militupoleos Jerotheos dhe veprimtaritë e tij për çëshjen kishtare të Shqipërisë”, viti 1984, faqe 23).
Duke pasur një letërkëmbim të pasur me qeverinë shqiptare të Ahmet Zogut, me qeverinë greke të Elefter Venizellosit, si dhe me Patrikanën e Stambollit, dhespoti Jerotheos Andon Jaho synonte që ta vinte Kishën e ardhshme Autoqefale të Shqipërisë mbi baza dhe norma statutore bashkëkohore të Kishës Orthodhokse. Njohja e mëvonshme nga Patrikana e Stambollit e Autoqefalisë, përmban në vetvete, në mënyrë të padiskutueshme dhe kontributin dhe përpjekjet e të vazhdueshme të dhespotit të paharruar Jerotheos Andon Jaho, nga Çarshova.
Zgjedhja problemore si dhespot e si Kryepiskop i Shqipërisë e Imzot Visarion Xhuvani, si dhe kontradiktat me Ahmet Zogun, i cili shpërfillte rregullat kanonike të Kishës Orthodhokse dhe rolin e Patrikanës së Stambollit për njohjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, e detyruan dhespotin Jerotheos që në mars 1929 të braktisë Shqipërinë dhe në vitin 1930 të shkojë në Malin e Shenjtë, ku u vendos përfundimisht në Skitinë e Shën Anës, në Shën Eleftheri Vulevtira. Në Malin e Shenjtë nga viti 1930 e, deri më 1 shkurt 1956, kur mbylli sytë një herë e përgjithmonë, u shkruajt një tjetër periudhë e ndritur e këtij dhespoti të rrallë të Orthodhoksisë, për të cilin flasin me nder e me respekt të rrallë dhe sot e kësaj dite si në Shqipëri, ashtu dhe në Patrikanën e Stambollit, si edhe në Malin e Shenjtë, sepse në jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur fetare, dhespoti Jerotheos Andon Jaho ka bërë miq të shumtë në Shqipëri, në Turqi e në Greqi, ku problemet fetare dhe etnike janë aq të shumta e të koklavitura, saqë janë shumë të paktë hierarkët e lartë fetarë, që kanë arritur të mbjellin vetëm miqësi, duke iu shmangur me sukses mërive dhe armiqësive të ndryshme me të cilat është veshur jeta dhe veprimtaria e klerikëve të tjerë të lartë. Në Malin e Shenjtë janë edhe sot e kësaj dite shumë murgj klerikë që janë hirotonisur nga Mitropoliti i Militupolit Jerotheos. Edhe nga Mali i Shenjtë ai ka mbajtur vazhdimisht kontakte dhe letërkëmbime me Mitropolitët e Shqipërisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhespoti Jerotheos ka ndihmuar e strehuar shumë shqiptarë, që vinin tek ai pa ndrojtje për ta takuar e për t’i kërkuar ndihmë në ato kohë shumë të vështira. Dhe dhespoti ynë nuk mbante asgjë për vete, gjithçka ua dhuronte me shumë dëshirë të tjerëve. Për këtë janë dëshmitarë të gjallë sot në Malin e Shenjtë, si dhe shembujt që radhiten në libra e broshura të ndryshme, nga autorë me kombësi të ndryshme, që flasin me shumë respekt për jetën dhe aktivitetin e tij të pasur fetar.
Shërbesa madhështore e varrimit të dhespotit Jerotheos Andon Jaho u zhvillua më 2 shkurt 1956, në Katedralen Madhështore të Shën Dhimitrit, në qytetin e Selanikut. Ishte teologu i shquar Vasil Joanidhi, me origjinë nga Përmeti, që mbajti një fjalim prekës të rastit.
Më 3 shkurt 1996, autori i këtij shkrimi, organizoi një Mnimosino (Përshpirtje) në Kishën e Shën Dhimitrit në Pire, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së dhespotit Jerotheos, ku merrnin pjesë shumë besimtarë orthodhoksë nga Greqia, Shqipëria. Ndodhej gjithashtu edhe ambasadori shqiptar në Athinë, zoti Hysen Çabej.
Njerëz të tillë, që gjatë jetës së tyre kanë gërshetuar mirë veprimtarinë fetare me atë patriotike, kanë hedhur gurë themeli jo vetëm në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe në vetë historinë e lavdishme të Shqipërisë.
Zemra e tij e madhe ka shpërndarë gjithnjë veç dashuri në mijëra e mijëra njerëz në tre shtete të Ballkanit.
Literatura
1 – Fan Noli – Autobiografia – Shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 1994.
2 – Fan Noli – Pesëdhjetëvjetori i Kishës Orthodhokse Shqiptare – Botim i Prishtinës,
3 – Roberto Moroco dela Roka – “Kombësia dhe feja në Shqipëri” 1920-1944 Shtëpia Botuese “Elena Gjika” Tiranë 1994.
4 – Apostolos Glavinas – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Botim i tetë greqisht, Selanik 1992.
5 – Apostolos Glavinas – “Militupoleos Jerotheos dhe aktiviteti, i tij për çështjet kishtare të Shqipërisë,” – Selanik 1984.
6 – Arkim. Keruvim Karabeias – “Nka Kopshti i Tërëshenjtores”.
7 – Anthimos Ajananitu – “Ajia Ana-Hapi i shenjtë i Atos” – Botim 1992.
8 – “Lavdia e Malit të Shenjtë” – nga Gavril Dionisatu, 1953.
9 – Giuseppe Ferrari – “La Chiesa Ortodosa Albanese”.
10 – Dhimitër Beduli – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944.
11 – Gazeta “Kathemerini” – Monumentet Orthodhokse në Shqipëri”, 19.1.1997.
12 – Gazeta “Ngjallja” – gusht 1996, fq. 9.
13 – Gazeta “Egnatia” – maj-qershor 1996.