EmailFacebookKontakt

Berat – Të tillë besimtarë e forcojnë Kishën Orthodhokse

Para tre muajsh një ngjarje e shëmtuar tronditi zemrat e besimtarëve orthodhoksë beratas. Dora barbare e të pafeve rrënoi tërësisht faltoren e moçme shpresëdhënëse të Shën Thanasit, duke përdhosur me egërsi gjithçka: ikonat e shenjta, kasën e ndihmave dhe mbajtëset e qirinjve.

Indinjata e këtij veprimi keqdashës ngriti në këmbë besimtarët e enorisë, që banojnë në rrëzë të kodrës, së pagëzuar nga vetë ata me emrin e Shenjtorit të madh e çudibërës. Me vullnetin e tyre të lirë e me besimin e patundur tek i Madhi Zot vendosën ta ngrinin atë që nga themelet, ku në shekuj besimtarët pelegrinonin dhe luteshin me gjithë shpirt për lehtësimin e vuajtjeve dhe shqetësimeve të shumta.

Nismëtarë të kësaj pune të vështirë e të devotshme u bënë familjet e Polizoni Loles me tre vëllezërit, të Sotir Stasës, të Luiza Mitit, të Lili Sylarit e të shumë të tjerëve, si dhe të firmës “Beka”, të cilët siguruan gurët, rërën, gëlqeren, hekurat, tjegullat si dhe transportimin e tyre të mundimshëm në majën e kodrës. Ndërtimi u bë në një kohë rekord, me cilësi të mirë dhe për pajisjen e brendshme të kishës u kujdes personalisht Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, duke i dhuruar disa ikona dhe duke miratuar propozimin e këshillit kishtar të Beratit për të instaluar kasën, mbajtëset e qirinjve, drynat etj.

E gjithë kjo punë zgjati dy muaj e gjysmë dhe, kur mbaroi pastrimi e sistemimi i territorit rreth e përqark, u caktua data e përurimit.

Të Hënën e Madhe, që i paraprin Pashkës, qindra shpresëtarë me fytyra të mallëngjyera e të gëzuara u grumbulluan në sheshin e lëndinës dhe dëgjuan me vëmendje shërbesën e drejtuar nga prifti Petraq Simsia, që ndër të tjera, përmendi kontributin e çmuar të të pranishmëve për realizimin e kësaj ceremonie shumë domethënëse.

Mbresëlënëse ishte edhe biseda e lirshme, që u bë pas ceremonisë, midis anëtarëve të këshillit kishtar dhe besimtarëve, ku u falënderuan nismëtarët në fjalë, në emër të Hirësisë së tij Imzot Ignatit dhe u theksua që shembullin e tyre ta ndjekin të gjithë, duke dhënë ndihma të ndryshme, sipas mundësive përkatëse, ashtu siç ka bërë dhe bën Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi, që po e zbukuron qendrën e qytetit tonë me katedralen e re të Shën Dhimitrit, që po hedh shtat nga dita në ditë.

Në fund nëna Eleni Lole me nuset e katër djemve të saj i qerasi të pranishmit me karamele e llokume sipas traditës së lashtë orthodhokse beratase.

Kjo ditë do të mbetet e paharruar për faktin e thjeshtë se besimtarë të tillë pa fjalë, por me vepra e forcojnë gjithmonë e më shumë Kishën tonë Orthodhokse.

Ilia Mihai Zaka