EmailFacebookKontakt

‘… Duhet të përpiqeni ta përdorni fenë për pajtim mes të gjithëve’

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, në një takim me orthodhoksët e rinj shqiptarë foli për konfliktin më të fundit në Irak duke vlerësuar pozicionin dhe rolin aktiv të fesë orthodhokse në ndihmën e saj për të gjithë njerëzimin. Kryepiskopi zgjodhi mbrëmjen e 13 prillit, në takimin e përvitshëm me të rinjtë shqiptarë dhe disa studentë grekë të ardhur nga universitetet e Athinës, (të cilët qëndruan për disa ditë në vendin tonë), për të shpjeguar fuqinë dhe prezencën e komuniteteve fetare për zgjidhjen paqësore të konflikteve. “Brezi juaj – iu tha ai orthodhoksëve të rinj – duhet të përpiqet që ta përdorë fenë për pajtim mes të gjithëve”.

Më tej, Kryepiskopi tha se, ka shumë njerëz që aktualisht vuajnë në botë. Ne si Kishë prekim problemet e gjithë njerëzve në të gjithë globin prandaj nuk duhet të jemi indiferentë nga ky konflikt, i cili solli në sipërfaqe diçka që nuk e kishim vënë re më parë: fuqinë dhe prezencën që kanë komunitetet fetare. Nga gjithë kjo ngjarje nxirret si konkluzion se feja ekziston dhe ndikon tek njerëzit. Këtë gjë duhet të bëjmë edhe në Shqipëri. Shpeshherë harrojmë për pozicionin e fesë dhe rolin e saj. Feja është një mjet, që mund të përdoret në shumë mënyra. Nga peripecitë që kishim në Ballkan unë përmendja gjithnjë një frazë se: “Vaji që ka feja nuk mund të përdoret për të shtuar plagët e luftës por duhet t’i mbulojë këto plagë për të mirën e njerëzimit. Brezi juaj duhet të përpiqet që ta përdorë fenë për pajtim mes të gjithëve. Parimi bazë i Kishës sonë është respekti për çdo person dhe për çdo popull. Në këtë periudhë orthodhoksia duhet ta përdorë gjithë fuqinë e saj për të shpëtuar njerëzit. Liria dhe dashuria ndodhen vetëm pranë Krishtit. Këtë duhet ta rrezatojmë edhe tek të tjerët. Parimet bazë të të rinjve orthodhoksë janë:

1. Më shumë njohje me Krishtin.

2. Miqësi mes nesh.

3. Guxim për të thënë këtë të vërtetë

4. Të gatshëm për t’u dhënë dashuri atyre që kanë nevojë.

Korresp. i “Ngjallja”