(vijon nga numri i kaluar)
2. Arkitektura e Kishës:
Siç kemi përmendur në numrin e kaluar, Kisha e Lindjes së Hyjlindëses në Pazarin e Vjetër të Përmetit ka patur të paktën katër faza konstruktive. Ndryshimet në këto faza u bënë për të plotësuar nevojat e zmadhimit të ndërteses kishtare për arsyen e përmasave të vogla të saj nga njëra anë, dhe nga ana tjetër në shenjë “nderimi”. Studimi i arkitekturës së saj u bazua kryesisht mbi të dhëna, të mbledhura në dy ekspedita, gjithashtu duke shfrytëzuar burimet bibliografike dhe dokumentare.
Faktkeqësisht, nuk disponojmë të dhëna mbi fazën e parë të konstruksionit të kishës. Sipas traditës vendase, për këtë jemi të rezervuar, kisha u ndërtua afër viteve 1600* dhe ka qenë e vogël. Sot, asgjë nuk ka mbetur nga kjo kishë, për të cilën vetëm gërmime ose kërkime sistematike në bibliografi mund të na japin të dhëna të reja.
Zhvillimi i Pazarit të Vjetër të Përmetit gjatë shekullit të XIX-të dhe rritja e popullsisë së krishterë që kishin nevojë për kishën, çuan në zmadhimin gradual të kishës. Faza e dytë konstruktive, që përfshinte një zgjerim të kishës, u realizua, siç thamë më lart në kohën e Mitropolitit të Korçës, Meletit (1816-1827). Një pjesë e kësaj faze konstruktive ka mundësi të ndodhet nën strukturën e sotme të kishës, ndoshta në anën lindore, ku, pas gërmimit të pjesshëm dhe eksperimental në brendësinë e saj, u zbuluan gurë të muraturës me ngjyrë ndryshe nga gurët e tjerë të kishës. Sidoqoftë, vetëm pas gërmimit të suvasë së mureve dhe restaurimit të plotë të kishës, mund ta mbështesim në fakte konkrete këtë hipotezë.
Më pak se 100 vjet pas fazës së dytë konstruktive, më 1929, ndoshta për arsyen e dëmtimeve të shumta të kishës nga djegiet, si ajo midis viteve 1865-1870 dhe sigurisht për shkak të përmasave të vogla të saj, pasi nuk kishte më mundësinë të plotësonte nevojat e shumta të krishterëve, kisha pati një fazë të tretë konstruktive. Kjo fazë ka qenë një rindërtim komplet i kishës me përmasa madhështore. Në një fotografi të vjetër, të marrë rreth vitit 1930, vërehej kisha përpara fundit të fazës së tretë konstruktive, që sipas vendasve i përkiste vitit 1934. Në atë kohë kishte përfunduar struktura e poshtme e kishës, por jo struktura e sipërme e saj. Megjithatë, ashtu siç paraqitet në disa fotografi të tjera të kishës, të marra pas 1934, kisha paraqitet e përfunduar. Duke u bazuar në të gjitha fotografitë, tempulli duket se ishte i tipit të bazilikës, me kupolë, me një kambanore dydimensionale në lartësinë e murit perëndimor, me katër pilastra qendrore, të cilat ndanin nefin horizontal nga nefi tërthor, ku mbështetej kupola. Ana veriore e kishës, në pjesën e lartë të saj, kishte një grup dritaresh katrore, poshtë të cilave ndodheshin tri dritare të tjera dhe një hyrje, shkalla e së cilës kishte një bazament që duket nga jashtë dhe sot e kësaj dite. Muratura e kishës përbëhet nga blloqe të bardhë guri, të prerë dhe të përpunuar me mjeshtëri. Gurët janë lidhur fort njëri me tjetrin nga një shtresë e hollë gëlqereje. Ky stil murature u përdor shpesh në ndërtesa të arkitekturës neoklasike të fillimit të shek. XX. Muratura e këtij stili paraqitet në pjesë të ndryshme të kishës, në murin verior dhe në atë lindor të jashtëm, por edhe në murin lindor, atë verior dhe jugor të brendshëm. Një çati dyujse, e ndryshme nga ajo ekzistuesja, mbulonte kishën.
Gjatë Luftës së II-të Botërore, qyteti u dëmtua nga bombardimet italiane. Edhe kisha pësoi dëmtime prej 40 m2 muraturë, 60 m2 suva, 25 m2 çati dhe 15 m2 tavan3. Mandej, duket se dëmtimet që pësoi Pazari i Përmetit nga zjarri (ndërmjet viteve 1865-1870, si dhe më 6 korrik 1943, më 9 tetor 1943, më 28 janar 1944 dhe më 11 qershor 1944)4 kishin intensifikuar dëmtimet e tempullit. Si pasojë, tempulli kishte nevojë për riparime të mëdha, që, siç duket, çuan edhe në zmadhimin e kishës me një shtesë në anën perëndimore.
Këto faza të njëpasnjëshme konstruktive të shek. XX i krijuan banorëve vendas të sotëm përshtypjen se kjo kishë mbetej gjithmonë e papërfunduar, prandaj edhe mendohej se nuk paraqiste asnjë vlerë5. Kështu, më 1967, kur regjimi komunist, ndërmori një fushatë të gjerë në luftë kundër fesë, konfiskoi kishat dhe manastiret në Shqipëri, kisha e Lindjes së Hyjlindëses në Pazarin e Vjetër të Përmetit u kthye në “shtëpi kulture”. Ndërhyrjet në skeletin e kishës pas 1967-tës përfshinin: 1) Shkatërrimin e pjesës së lartë të kishës (kupola, etj.). 2) Mbylljen e dritareve dhe hyrjeve origjinale (përveç asaj jugore) me tulla të kuqe dhe hapjen e dritareve dhe hyrjeve të reja. 3) Lartësimin prej 2 metrash të pjesës lindore të kishës për nevojat e fuajesë (sallë pushimi) së teatrit, duke përdorur tulla të kuqe. 4) Futjen e një brezi çimentoje në një pikë të lartë të mureve për të siguruar qëndrueshmërinë statike të ndërtesës dhe për të lidhur muraturën me një mënyrë më të fortë.
Pavarësisht nga këto ndërhyrje, një seri faktesh tregojnë se në pamjen e dukshme të objektit gjendet e ruajtur forma origjinale e ndërtimit të kishës. Këto fakte janë: 1) Ekzistenca e fragmentit të kambanores së ngritur në lartësinë e murit perëndimor, që mund të shihet nga zona e katit të dytë, ku qëndronin spektatorët. 2) Ekzistenca e mureve të kishës, që janë të ndryshëm nga muret shtesë (në gjerësi, në përbërjen e materialeve dhe në stilin e muraturës). 3) Ekzistenca në brendësinë e kishës, e harkut të pjesës lindore të saj, që është ndoshta fakti më i qartë i ruajtjes së skeletit të kishës me gjithë punën transformuese që iu bë asaj.
Ndërhyrja më e madhe që u realizua pas vitit 1967 në formën e kishës ka qenë ndërtimi i një shtese plotësisht të re gjatë murit jugor të kishës. Kjo shtesë u ndërtua me gurë, siç del qartë nga pjesët ku u gërmua suvaja për të krahasuar muraturën e saj me atë të kishës. Por cilësia e muraturës së shtesave, siç u zbulua, është shumë e dobët në krahasim me atë të kishës. Gurët e përdorur janë skalitur trashë, dhe janë vendosur me një mënyrë të palidhur, duke krijuar jo fuga midis tyre, si në muraturën e mureve të kishës, por boshllëqe të cilat janë mbushur me një shtresë të trashë llaçi me cilësi jo të mirë. Më tej, gjerësia e mureve të tempullit është 90cm, kurse ajo e mureve të dy shtesave, të ndërtuara pas 1967, është 60cm. Të dyja ato shtesa, gjithashtu edhe e treta në lartësinë e pjesës lindore të kishës janë krejt ndryshe nga tempulli në tip, zgjidhje funksionale dhe konstruktive, kompozim i pjesëve përbërese, trajtime arkitektonike dhe dekorative të pjesës së brendshme dhe të jashtme, si edhe në stil.
(vijon në numrin e ardhshëm)