Reportazh
Një ditë në shkollën “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër
Qyteti muze i Gjirokastrës, me shtëpitë karakteristike, kështjellën madhështore dhe bukurinë e gurtë, prej disa vitesh mban brenda gjirit të tij Shkollën e Mesme Teologjike “Kryqi i Nderuar”. E ndërtuar në vitin 1998, tashmë ajo bart vlera të mëdha për nga vetë rëndësia e misionit që ka ndërmarrë Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Edukimi i të rinjve me kulturën fetare, por edhe me kulturën e përgjithshme bashkëkohore, e ka kthyer këtë shkollë në një vatër të dijes, edukimit dhe pasurimit të vlerave shpirtërore. Ajo është një institucion i themeluar me nismën dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryepiskopit Anastas dhe vlerësohet me respekt dhe dashamirësi prej të gjithë orthodhoksëve dhe në veçanti mikpritësve, qytetarëve gjirokastritë.
Ishte një ditë e zakonshme fundshkurti, kur vizituam këtë shkollë, e cila ndodhet në një pikënyje kyç, që ndan pjesën muzeale nga ajo e re, e qytetit të gurtë. Në fillim takuam At Dhimitrin. Dashamirësia dhe mikpritja e tij u pasua me një bisedë të ngrohtë me drejtorin e shkollës, At Niqiforin, i cili na kushtoi shumë kohë për të na shpjeguar me detaje punën dhe veprimtaritë. Teksa të tregon një fotografi të vendosur në një nga muret hyrëse, në kujtesën e At Niqiforit mbetet ende e paharruar dita e përurimit të shkollës, që ishte një ngjarje e shënuar për tërë orthodhoksët e vendit. Ajo plotësonte një boshllëk të madh, duke ndihmuar njëkohësisht në rimëkëmbjen Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Më tej vizitojmë mjediset e ndryshme. Të bie në sy struktura e saj bashkëkohore dhe kushtet komode, si për zhvillimin e mësimit ashtu edhe për kryerjen e aktiviteteve. Gjatë kalimit nëpër korridore vërejmë klasat e mbushura me nxënës dhe profesorët, që shpjegojnë leksionet e radhës.
“Këtu studiojnë rreth 90 nxënës nga e gjithë Shqipëria dhe japin mësim 25 pedagogë të kualifikuar”- na thotë At Niqifori. Nxënësve u jepet mundësia të mësojnë gjuhën greke dhe atë angleze. Në shkollë zhvillohen të gjitha lëndët, që kryhen në gjimnazet e tjera dhe veç kësaj bëhen mësime të tjera si: ikonografia, muzika bizantine si edhe muzika evropiane. Nxënësit tregojnë interes për të gjitha lëndët, por ikonografia i tërheq më shumë, sepse ata shfaqin përmes saj dashurinë për Perëndinë dhe përjetën. Nëpër telajot e ndodhura në një sallë të veçantë, ku edhe bëhet praktika, ata thurrin piktura, të cilat vendosen nëpër mure, për të nxitur punën dhe vullnetin e krijuesve të rinj.
Brenda shkollës ekziston edhe një farmaci, ku nxënësit marrin ilaçet pa pagesë dhe çdo pasdite aty vjen doktori, ndërsa dy dhoma janë në shërbim të të sëmurëve. Biblioteka është një tjetër sallë e veçantë dhe e pasur me libra, ndërsa pak më tej ndodhet dhoma e kompjuterave, ku nxënësit zhvillojnë njohuritë e tyre në këtë fushë. Në oborrin e shkollës nuk mungon as këndi sportiv, në të cilin gjatë kohës së pushimit ata argëtohen me lojëra të ndryshme.
Veç këtyre, brenda dhe jashtë shkollës “Kryqi i Nderuar”, zhvillohen mjaft veprimtari të karakterit edukativ dhe argëtues. At Niqifori na tregon se me dëshirën dhe iniciativën e nxënësve të kësaj shkolle organizohen udhëtime nëpër zonat afër qytetit, me qëllim pasurimin dhe gjallërimin e jetës së fëmijëve të këtyre zonave. Ata mbledhin fëmijë të vegjël nëpër fshatra dhe zhvillojnë me ta biseda shpirtërore, këngë dhe lojëra të ndryshme sportive. Një prej veprimtarive më mbresëlënëse është edhe mbjellja e pemëve të reja. Në historikun e shkollës ka lënë gjurmë edhe revista “Harmonia”, e cila botohet në mënyrë periodike dhe janë vetë nxënësit që e mbushin me shkrimet dhe me krijimet e tyre, duke shprehur mendimet, ndjenjat, dashurinë për Perëndinë etj.
Për t’u njohur me opinionin e nxënësve për shkollën dhe veprimtarinë e saj biseduam me Markon, një djalosh nga Elbasani. Ai thotë se ndihet mjaft i kënaqur me kushtet dhe jetën në shkollë dhe në konvikt. Si Markoja shprehen edhe shumë nxënës të tjerë, të cilët marrin dije dhe edukohen me frymën e dashurisë së Perëndisë. Këtë e tregon edhe ecuria e tyre pas përfundimit të shkollës “Kryqi i Nderuar”. Pothuajse të gjithë kanë vazhduar shkollën e lartë në universitetet shqiptare dhe disa prej tyre kanë preferuar të studiojnë jashtë shtetit si në: Greqi, Itali etj. Disa prej tyre kanë vazhduar studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës ose në Institutin e Formimit Profesional “Frymë Dashurie”.
Largohemi duke zbritur nëpër kalldrëmet dhe monopatet e qytetit muze, me respektin dhe mirëdashjen e At Niqiforit, i cili në fund të bisedës nuk harron të përcjellë mesazhin e Kryepiskopit Anastas: “Të mos humbasim kohë dhe shpresë”.
Isidor Koti