Nga shenjtorët e muajit
Pavli i çliruar (3 Prill)
U martirizua të Premten e Madhe, më 3 prill 1683. Ishte nga Rusia, por që fëmijë u kthye në skllav nga tartarët. Më pas, e bleu një i krishterë në Konstandinopojë. Mbasi punoi për shumë vjet, i zoti i tij i dha lirinë. U martua me një patriote të tij, ish-skllave gjithashtu. Bënin në mënyrë të pëlqyer nga Perëndia, derisa Pavli pësoi epilepsi, e cila, siç tregojnë ngjarjet e mëvonshme, i solli edhe humbjen e mendjes. Ndaj, fqinjët dhe gruaja e tij e morën ta çonin në tempullin e së Tërëshenjtës, ku shëroheshin njerëzit me probleme mendore, por Pavli, i pandërgjegjshëm reagon kundër, madje për një moment kërkon ndihmë nga kalimtarë myslimanë, duke thënë se është i të njëjtit besim me ta. Në fillim ata u treguan moskokëçarës, por pas dy ditësh, u penduan, duke menduar se kishin çuar me dhunë në kishë një “vëlla” të tyre, duke pretenduar se gjoja ishte me probleme mendore. Për këtë vrapojnë tek veziri, i cili urdhëron të vijnë menjëherë para tij të lidhur priftërinjtë dhe ata që ndodhen në kishë. Dikush arrin dhe i lajmëron, por, ndërsa po e nxirrnin nga kisha, i sëmuri shërohet papandehur! Ndërkohë, mbërrijnë njerëzit e vezirit dhe arrestojnë martirin e ri dhe klerikët. Veziri ndërsa i burgos, e pyet nëse ndërroi fe. Pavli e mohon një vepër të tillë dhe quan shpifës informatorët e tij dhe për të mbuluar priftërinjtë pretendon se të afërmit nuk e çuan në kishë, por në shtëpinë e tij. Por, nuk e besojnë dhe i shtrojnë përpara alternativën që ose të dëshmojë përsëri besimin e tyre, dhe për këtë i premtojnë pasuri, ose të vritet. Bashkëshortja e tij, që e kishte ndjekur, duke lënë mënjanë natyrën e saj prej gruaje e fuqizonte dhe mbështeste në gjuhën e tyre, për ta fituar ai Parajsën dhe ajo lumturinë e të qenit grua martiri. Porsa po dikush ia përkthen vezirit, heroina rrihet në mënyrë ngjethëse… Mbas një ndalimi triditor i rigjykojnë dhe Pavlin e dënojnë me vdekje dhe ia presin kokën në hipodrom. Priftërinjtë u çliruan më vonë me para.