“…Engjëjt nuk janë gjë tjetër veçse shpirtra, që i shërbejnë Perëndisë. Ai i dërgon ata për t’u ardhur në ndihmë atyre, që janë trashëgimtarë të shpëtimit të fundit.” (Hebr. 1:14).
Nuk dimë sa janë me saktësi. Shkrimi i Shenjtë bën fjalë për mijëra e mijëra. Janë të panumërt dhe janë krijuar para krijesës dhe botës së dukshme. Këtë përfundim nxjerrim duke lexuar pasazhin e Jobit (38:7): Flet Perëndia: “… Kur lindën yjet më lavdëran me zë të madh të gjithë engjëjt e mi”.
Janë të ndarë në nëntë rreshta engjëllore me:
– Engjëj – Kryeengjëj – Fuqira
– Autoritetet – Pushtetet – Fronet.
– Kryesimet – Keruvimet – Serafimet
Prania e tyre është mjaft e shpeshtë. Nuk mungojnë nëpër ngjarjet e mëdha të mishërimit dhe në përgjithësi të planeve të Perëndisë për shpëtimin e njeriut.
Besojmë se çdo njeriu i korrespondon një Engjëll, apo çdo njeri ka Engjëllin e tij, ashtu si edhe çdo qytet ose kishë ka Engjëllin e vet. Këtë na e tregon dhe lutja: “Engjëll i shenjtë, ruajtës i shpirtit tim të mjerë …” (Lutje në Pasdarkë). “Engjëllit të Kishës në Efes shkruaji…” (Apo. 2:1).
a. Vepra e Engjëjve
Nga fraza e Jobit, që përmendëm dhe nga pjesë të tjera, shdhim se detyra kryesore e Engjëjve është të himnizojnë dhe të lavdërojnë pa pushim Trininë e Shenjtë.
Himni engjëllor është: “I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, Zoti Sabaoth …” apo “Aliluia” që do të thotë “Lavdëroni Zotin”. Himn Engjëllor është gjithashtu edhe “Lavdi Perëndisë në më të lartat …” e Dhoksologjisë.
– Lavdërimi dhe lumërimi i Perëndisë nuk është e vetmja detyrë e Engjëjve. Ata luten dhe ndërmjetojnë pranë Tij për njerëzit.
– Dërgohen nga Perëndia për të përforcuar persona apo grupe besimtarësh, që kanë nevojë për ndihmën e tyre. Çdo besimtar pra, ka Engjëllin e tij mbrojtës. Kjo nuk është një përrallë për të mos u trembur fëmijët e vegjël. Është besim dhe mësim i Kishës sonë.
b. Nderimi ndaj Engjëjve
Kisha jonë i nderon Engjëjt ashtu siç e meritojnë.
– Kërkon ndihmën dhe ndërmjetimin e tyre, duke i renditur pas së Përmbishenjtës.
– Në çdo Liturgji Hyjnore në orën e Proskomidhisë, prifti pret një pjesë të veçantë për nder dhe kujtim të Engjëjve.
– Çdo ditë e hënë u përkushtohet krijesave pa trup, Engjëjve.
– Ekzistojnë festa për nder të tyre.
– Ka uratë të veçantë “Engjëll Mbrojtës” dhe thuhet në fund të Pasdarkës së Vogël.
Gjithashtu Kisha jonë ka edhe shërbesën e Kanonit Lutësor për Engjëjt e Shenjtë.
c. Festat e Engjëjve
Njohim me emrat e tyre:
Mihailin – që do të thotë “Forcë Perëndie”
Gabrielin – që do të thotë “Perëndi dhe njeri”
Rafailin – që do të thotë “Perëndia shëron”
Të kremte kryesore të tyre janë:
8 Nëntor – “Mbledhja e Kryeengjëjve Mihail dhe Gabriel dhe e Forcave të tjera pa trup”.
6 Shtator – Çudia e Kryeengjëllit Mihail në Kolasetë.