EmailFacebookKontakt

At Milto Ilia

Ata që i shërbyen Kishës sonë

At Milto Ilia

E jetoi jetën me përkushtim për fjalën e Zotit dhe tempullin e Tij, kishën, ku shërbeu mbi 40 vjet me devotshmëri dhe i respektuar nga qytetarët e Beratit, të cilët e nderojnë dhe e kujtojnë edhe sot e kësaj dite. U lind në një familje me tradita të shëndosha fetare, ku Ungjilli ishte libër i ditës dhe kisha, shtëpi e madhe; xhaxhai, papa Kozma Gaxho, shërbente në kishën e lagjes Goricë.

Prindërit e tij, duke parë zellin për të mësuar e çuan në Greqi, në Janinë. Vazhdoi tre vjet në gjimnazin “Zosimea” në drejtimin klasik dhe për vështirësi ekonomike i lë studimet për të bërë një jetë të thjeshtë në dyqanet e tregtarëve të qytetit, por librat nuk i hoqi nga dora. Lexonte në gjuhën greke, frënge, italiane, të cilat i fliste shumë rrjedhshëm dhe i shkruante, gjithashtu.

Në vitet 1920-të, i apasionuar pas Fjalës së Zotit punoi si psalt në kishën e Shën Spiridhonit. Në këto vite lexon shumë literature fetare, duke njohur mirë edhe gjuhën greke, të re dhe të vjetër, kompletohet për të shërbyer si prift.

U hirotonis në vitet ’30 nga Hirësia e Tij Imzot Agathangjeli.

Në kujtimet e tij bashkëqytetari dhe moshatari z. Todi Patuti Buhuri, tregon: “Kishte një zë shumë të bukur, të kumbueshëm dhe melodioz, komunikonte lirshëm me besimtarët, të vegjëlve u jepte këshilla dhe porosi të vlefshme, kurse të mëdhenjve dashuri, besim dhe shpresë te Jisu Krishti. Ishte shumë korrekt. Sillej shumë mirë me epitropët, besimtarët, kolegët e tij dhe gjithë të tjerët, që e rrethonin në punën e përditshme.”

Në vitet ’60 punoi në Mitropolinë e Shenjtë të Beratit si zëvendës, organizonte mbledhjet mujore me klerikët e qytetit, ku shkëmbeheshin mendime për shërbesat e shenjta, për ceremonitë e ndryshme fetare, për ngjarje të shënuara të Kishës. Mbante korrespondencë të rregullt me Kryesinë e kishave të Shqipërisë.

At Vangjel Xoxe kujton se papa Milto ishte i dhënë shumë pas leximit të librave kishtarë dhe gjithë kohën e mbushte me leximin e tyre.

Në atë periudhë kohore, botohej revista “Jeta Kristiane”, papa Milto jo vetëm që e lexonte por edhe shkruante artikuj të ndryshëm. “Një vit, – tregon At Vangjeli, – duke iu përgjigjur shumë mirë pyetjeve që u bënte revista lexuesve të vet, ai fitoi serinë e kësaj reviste për një vit falas.” Papa Milto jetonte së bashku me të vëllanë dhe fëmijët e tij. Vetë ai nuk kishte fëmijë. Një nip i tij, të cilin e kishte bërë si djalë, tregon: “Nga ai kishe se çfarë të merrje. Në bisedat që zhvillonte, gjithmonë të hapte horizont. Kishte njohuri të sakta për gjeografinë e shteteve, filologjinë dhe letërsinë. Ishte demokrat në mendime, besimtar i devotshëm, por jo fanatik. Sa herë nënshkruante, vinte shenjën e kryqit: † At shpirtëror Saqellari. Milto Ilia. Të moshuarit e mbajnë mend dhe e kujtojnë edhe sot. Si para të kremteve të mëdha ose para kungimit, rrëfeheshin tek ai dhe dilnin prej andej të bindur se mëkatet e tyre ia kishin transmetuar vetëm Zotit.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në hidhërim e mërzitje. Përjetoi mbylljen e kishave, zhveshjen si klerik. Që nga ajo kohë nuk doli më nga shtëpia. Vdiq i pikëlluar dhe nga një sëmundje e pashërueshme, më 1968, në moshën 73-vjeçare duke lënë kujtime të pashlyeshme tek të afërmit dhe njerëzit e tij dhe të gjithë besimtarët orthodhoksë të lagjes Goricë, të cilëve u shërbeu me përkushtim.

Ksenofon Ilia

Ky shkrim u botua me interesimin e z. Ilia Zaka dhe koleksionistes së njohur të fotografisë znj. Parashqevi Sahatçiu.