EmailFacebookKontakt

Kisha “Lindja e së Tërëshenjtës” ose “Shën Maria e Pazarit”, Përmet

Dr. Kostandinos Gjakumis, – bizantinolog
Joan Stratobërdha – arkitekt

Përmbledhje

Qëllimi i këtij artikulli është, të tregojë vlerat unike historike dhe arkitektonike të kishës “Lindja e së Tërëshenjtës”. Sipas traditave vendase, kisha u ndërtua në një periudhë të panjohur, aty rreth viteve 1600. U pikturua më 1814 nga Paskal Trandafili dhe midis viteve 1816 dhe 1827 u zgjerua me kontributin e Janaq Prevezhanit. Si pjesë e domosdoshme dhe e pandarë e Pazarit të Vjetër përmetar, kisha ndoqi zhvillimin e tij. Si pasojë, ajo u rindërtua nga themelet më 1929 dhe u riparua mbas vitit 1941, ku pësoi dëmtime serioze nga bombardimet e qytetit nga italianët. Më 1967, në kohën e regjimit komunist, kisha u transformua në “Shtëpi Kulture”. Më 2001, kisha iu kthye komunitetit orthodhoks, por kohët e fundit (2003) autoritetet vendase e rimorën atë për ta kthyer përsëri si “Shtëpi Kulture”, duke mos njohur vlerat e kishës.

Nga pamja arkitektonike transformimi i 1967-tës i kishës rezultoi në një pakicë ndryshimesh në strukturën e kishës. Pjesa lindore u zmadhua në lartësi, kurse murit ekzistues në pjesën jugore iu bë një shtesë. Gjithashtu një brez betoni, u shtua në një pikë të lartë të mureve të kishës, dritaret dhe disa hyrje të saj u mbyllën, dhe u hapën të tjera, ndërsa pjesët e brendshme dhe të jashtme u modifikuan për nevojat e shtëpisë së kulturës. Megjithatë, del qartë se, nën këtë që duket sot si një shtëpi kulture, në realitet ndodhet një kishë me vlerë të veçantë, jo vetëm për historinë, por edhe për arkitekturën e saj. Kisha, pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) si një lloj reagimi ndaj kufizimeve të ligjit osman mbi aktivitetin ndërtimor kishtar, paraqet vullnetin e popullit përmetar për të konstruktuar një kishë madhështore, duke imituar modelet paleokristiane. Kjo zgjidhje arkitektonike mund të gjendet në përgjithësi nëpër qytete ballkanike të tjera, por në kontekstin e Shqipërisë është mjaft e rrallë, sepse ndërtimet kishtare në këtë periudhë nuk konsideroheshin monumente kulture dhe në shumicën e rasteve u shkatërruan nga regjimi komunist.

Si përfundim, kisha e Lindjes së të Tërëshenjtës në Pazarin e Vjetër të Përmetit duhet të konsiderohet si një monument, jo vetëm i popullit vendas apo ballkanik, por në përgjithësi i pasurisë botërore kulturore. Kështu, kisha duhet të restaurohet në vlerat e saj origjinale.

1. Historia e Kishës:

Kisha e Lindjes së Tërëshenjtës ka qenë gjithmonë një pikë referimi dhe një pjesë e pandarë e Pazarit të Vjetër të Përmetit. Eshtë e pamundur, që në këtë moment, të përcaktojmë datën e themelimit të qytetit. Megjithatë, Përmeti si qytet është përmendur në burimet osmane të shek. të XV-të si një qendër administrative. Që atëherë është bërë i mundur gjurmimi i zhvillimit të tij, nëpërmjet të dhënave të popullsisë, të nxjerra nga burimet me besueshmëri relative*.

Zhvillimi i popullsisë së qytetit të Përmetit:

Sipas regjistrimit osman të tokave të vitit 1431/32, numri i shtëpive (haneve) 42 hane (2-3 shtëpi për çdo hane), të krishterë 42, myslimanë asnjë. Sipas regjistrimit osman të taksave të vitit 1582 kishte 125 hane, 125 të krishterë, myslimanë asnjë. Në vitin 1768 kishte 3000 banorë, të krishterë 1500 dhe myslimanë 1500. Në vitin 1829 kishte 4-5 mijë banorë. Në vitin 1900-1912 kishte 5000 mijë banorë.

Pazari i Vjetër i Përmetit përmendet për herë të parë në burimet osmane të shek. të XVI-të2. Që atëherë, ka patur një mungesë informacionesh rreth tij deri në shek. e XIX-të, që kur kemi të dhëna konkrete në dispozicionin tonë. Sipas këtyre të dhënave, Pazari i Vjetër më 1830-1840 ka patur 100 dyqane. Në fund të shek. të XIX-të pati një zhvillim të konsiderueshëm; atëherë numëroheshin 180-183 dyqane3. Ndërmjet 1900 dhe 1912 Pazari i Vjetër kishte 190 dyqane4. Pazari i Vjetër shpesh vuajti shkatërrime të shkaktuara nga zjarri (1865-1870, 7 korrik 1943, 9 tetor 1943, 28 janar 1944 dhe 11 qershor 1944)5. Si pasojë sot nuk është ruajtur asgjë nga Pazari i Vjetër, përveç kishës së tij. Prandaj, kjo kishë është e vetmja pjesë e Pazarit të Vjetër që ka mbijetuar deri në ditët tona.

Kisha e Lindjes së Tërëshenjtës është e vendosur në pjesën lindore të Pazarit të Vjetër në Përmet6, në një lagje të quajtur “lagjja e Qoshkut dhe e Lumit”. Kjo lagje është e vendosur në pjesën lindore të bregut të lumit të Vjosës. Lagjja ishte quajtur sipas një “Qoshke” e cila ka qenë e ndërtuar në pjesën perëndimore të vendit të kishës dhe përdorej nga krerët e vendit si një vend mbledhjeje me qeveritarë zyrtarë për të bashkëbiseduar rreth çështjeve të ndryshme. Për këtë arsye sheshi i kishës quhej “sheshi i hyqymetit” (i administratës), në të cilin funksiononin, zyrat e nën-prefekturës, e kadastrës dhe gjyqi lokal. Ky vend i Asamblesë u shkatërrua plotësisht nga zjarri rreth viteve 1865-18707. Në një dorëshkrim të shkruar prej një banori të moshuar nga Përmeti, përmendet se dikur kambana e kishës përdorej për sahatin e Pazarit dhe vetëm në vitin 1913 iu rikthye kishës. Siç do të shohim më poshtë, kisha e Lindjes së të Tërëshenjtës ka qenë një pjesë e nevojshme dhe e pandarë e historisë së Pazarit të Vjetër.

Sipas Taqi Kristos kisha e së Tërëshenjtës në Pazar ishte kisha më e vjetër brenda qytetit të Përmetit8. Tempulli9 përmendet në shënimet e kodikut të Mitropolisë së Korçës10. Themelet e tij ishin bërë me kontributin e Zoto Lolit nga Përmeti në një periudhë të rrezikshme dhe trazirash, sipas Stilian Adhamit, për arsye të kundërvënies së ashpër të fanatikëve myslimanë. Më 1814-tën, gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës kisha u pikturua nga Paskal Trandafili, banor i Rupshës së Pogonit, me patronazhin (= kontributin dhe kujdesin) e Janaq Prevezhanit. Në mbishkrimin përkatës, që u botua i përkthyer shqip, lexohet: “O Zot, ndihmo shërbëtorin tënd Janaq Prevezhani”11. Më vonë gjatë viteve të kryepriftërisë së Meletit, Mitropolitit të Korçës (1816-1827)12 kisha u zgjerua nëpërmjet kontributeve të mbledhura nga banorët vendas, të cilët jetonin e punonin si tregtarë dhe zejtarë në Pazarin e Vjetër të Përmetit. Kisha e Lindjes së të Tërëshenjtës u ndërtua tek Pazari i Vjetër, që t’u shërbente në nevojat shpirtërore zejtarëve dhe tregtarëve të krishterë, të cilët jetonin me familjet e tyre në lagjet jo të krishtera të qytetit.

Me kalimin e kohës, kisha nuk ngeli e paprekur. Për të plotësuar më mirë nevojat e banorëve të krishterë vendas e ndjenë të nevojshme të ndërtonin një kishë të re me përmasa më të mëdha më 192913. Por duket se ambiciet tejkaluan fondet në dispozicion. Kjo fazë konstruktive tregohet në dy fotografi të vjetra, e para përpara përfundimit, më 1930-tën, e dyta pas tij. Sipas një dokumenti, në vitin 1941, pas bombardimeve të qytetit të Përmetit nga forcat italiane, kisha pësoi dëme të konsiderueshme14. Për këtë arsye, tempulli pësoi një tjetër fazë konstruktive, kështu që u zgjerua më tej dhe mori formën e sotme, që duket poshtë shtesave që iu bënë atij, me qëllim që të funksiononte si “Shtëpi Kulture”. Prandaj në shek. XX u dha përshtypja se kjo ndërtesë ka qenë gjithmonë karabina duke mos patur ndonjë vlerë kulturore apo historike15, kështu që regjimi komunist e ktheu atë në shtëpi kulture.

Stilian Adhami, kontributit të të cilit i detyrohemi shumë, për shkak se mblodhi shumë të dhëna, që i përkasin historisë së kishës së të Tërëshenjtës në Pazarin e Vjetër të Përmetit, duket se nuk ka qenë i informuar për sa i përket faktit që “Shtëpia e Kulturës”, që ka funksionuar në sheshin e kishës, ishte veçse një transformim i thjeshtë dhe jo i gjerë i kishës së re. Për këtë arsye ai i referohet kishës më shumë si një toponim sesa si monument; prandaj shkruan: “si toponim përfshinte zonën prapa dyqaneve të Pazarit të Vjetër, pak a shumë rreth truallit ku është ndërtuar” Shtëpia e Kulturës”. I njëjti autor pranoi se të dhënat e vetme nga kisha, që mund t’i shërbenin historisë dhe veçanërisht historisë së artit janë emrat e ktitorit dhe të patronit (= të sponsorëve) dhe të piktorëve të tempullit në shek. XIX, të cilët nuk paraqiten në asnjë vend tjetër të Shqipërisë. Faktet që na dha vetë Adhami në botimet e tij tregojnë vlerat e kishës, të cilat janë të nevojshme dhe të pandara së bashku me kujtimet historike të Pazarit të Vjetër në Përmet.

(vijon në numrin e ardhshëm)