EmailFacebookKontakt

Kishë apo “shtëpi kulture”, drejtësi apo arbitraritet…

Ditët e fundit komuniteti orthodhoks i qytetit të Përmetit u përball edhe një herë me padrejtësinë, që po luhet në kurriz të besimtarëve të tij qysh prej nëntë vjetësh. Është fjala për Kishën e Lindjes të së Tërëshenjtës, ose siç quhet ndryshe prej përmetarëve, e Shën Marisë së Pazarit. U ndërtua mes vështirësish të shumta kohë më parë, në të njëjtin vend ku ndodhet edhe sot, u rikonstruktua në vitet ’30-të, me kontributin e vetë orthodhoksëve të qytetit; u sekuestrua më pas prej regjimit diktatorial, i cili, ashtu si edhe dhjetëra objekte të tjera kulti, e shndërroi atë në shtëpi kulture. Pas vendosjes së demokracisë drejtësia shqiptare, pas një maratone të gjatë procesesh gjyqësore, vendosi më në fund rikthimin e kishës në fjalë pronarëve të saj të ligjshëm, orthodhoksëve të qytetit të Përmetit. Komisioni i Kthimit të Pronave zbatoi vendimin e Gjykatës së Faktit, Përmet (1996), të Apelit, Tiranë (1997) (pa përmendur këtu vendimet e Gjykatës së Lartë apo të Kolegjeve të Bashkuara) vetëm më 15.06.2000, pasi më parë, në mënyrë të përsëritur, nuk kishte denjuar të zbatonte urdhrat administrative, që vinin nga institucione eprore.

Reagimet që vërehen gjatë gjithë këtyre viteve nga persona, organizata, institucione apo qarqe të ndryshme të paidentifikuara, me qëllime të errëta e antiorthodhokse, përqëndrohen rreth argumentit qesharak, sipas të cilit kthimi i Shtëpisë së Kulturës pronarëve të ligjshëm do t’u privonte qytetarëve përmetarë mundësinë e kulturimit, si dhe të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore, për të cilat Përmeti zë me të vërtetë një vend të veçantë. Me fjalë të tjera, duan të thonë se vazhdimësia e kulturës tradicionale përmetare rrezikohet nga rikthimi i ish-Shtëpisë së Kulturës në kishë, duke harruar dashje pa dashje, se kjo kulturë e mrekullueshme nuk lindi në të njëjtën kohë me kthimin e kishës së Shën Marisë në Shtëpi Kulture prej diktaturës komuniste, por lulëzonte për bukuri edhe shekuj më parë, kur Shën Maria e Pazarit nuk ishte veçse njëra prej kishave të qytetit.

Kthimi i pronës së grabitur atyre që u takon nuk mund të konsiderohet si një akt antikulturë. Komuniteti orthodhoks nuk është thjesht vetëm komunitet fetar, por edhe kulturor. Orthodhoksët kanë kulturën e tyre shekullore, e cila buron prej besimit dhe përkushtimit të plotë të tyre tek Krishti dhe Ungjilli i tij. Kultura më e lartë është kultura e shpirtit, kultura shpirtërore, e cila nuk mund të krahasohet me asnjë kulturë tjetër, ose më saktë çdo kulturë tjetër është produkt i kulturës së shpirtit. Aktualisht Shqipëria, pas një periudhe 50-vjeçare persekutimi ateist, ka nevojë për këtë kulturë, e cila është parakusht për kultivimin dhe lulëzimin e demokracisë së vërtetë.

Që ta bëjmë më të kuptueshëm argumentin e mësipërm, mjafton të përmendim qëndrimin e pjesëtarëve të komunitetit orthodhoks gjatë trazirave të vitit 1997. Duke ecur në gjurmët e të parëve, duke shpalosur vlerat e vërteta të kulturës së tyre dymijëvjeçare, orthodhoksët i ofruan shoqërisë shqiptare, mirëkuptimin dhe tolerancën shembullore, respektin e jetës dhe të pronës së bashkëqytetarëve të tyre.

Ata që kërkojnë kishën e Shën Marisë së Pazarit në emër të kulturës së qytetit të Përmetit, duhet të dinë se kultura e vërtetë bazohet në respektimin e së drejtës, të së vërtetës historike dhe të lirisë së individit. Në rastin tonë kemi diçka më tepër. Kisha e Shën Marisë nuk i përket vetëm një individi, por një komuniteti të tërë, pjesëtarët e të cilit e kanë trashëguar prej të parëve të tyre. Këtë fakt nuk e mori parasysh regjimi komunist, i cili e shndërroi atë në shtëpi kulture. Më 1997, drejtësia ua ktheu përsëri kishën atyre që u përkiste. Për fat të keq sot bëhen përpjekje për të bërë të njëjtën gjë që bëri Enver Hoxha më 1967, që do të thotë, se qarqe të caktuara dëshirojnë të imponojnë vullnetin e tyre me të njëjtat mjete e me të njëjtat qëllime.

Në thelb, përpjekjet për risekuestrimin e kishës së Shën Marisë së Pazarit janë thjesht përpjekjet e disa qarqeve të caktuara për të grabitur diçka që nuk u takon. Kësaj grabitjeje duan t’i vënë emrin “kulturë”. Duke pasur si bazë këtë grabitje pretendojnë të edukojnë e të kulturojnë brezat e rinj të qytetit. Për fatin e tyre të keq, të gjithë e dinë se grabitja nuk është kulturë, por e kundërta e saj. Për pasojë, ajo që kërkojnë të ngrenë mbi kishën e grabitur nuk do të jetë kurrë shtëpi kulture, por shtëpi antikulture, që do të justifikojë dhe do të ligjërojë grabitjen, vjedhjen, hajdutërinë. Për një kulturë të tillë askush nuk ka nevojë, aq më tepër banorët e kulturuar të qytetit të Përmetit.

Qysh kur është marrë në dorëzim prej komunitetit orthodhoks të qytetit, përveçse objekt kulti, kisha e Shën Marisë së Pazarit funksionon për të gjithë qytetarët e Përmetit, pa asnjë përjashtim, si park lojërash, kopsht e sallë kompjuterash për moshat e reja. Duhet theksuar se këto përpjekje janë penguar nga detyrimi ligjor për të mos kryer asnjë ndërhyrje në ndërtesën ekzistuese, gjë që ka penguar shfrytëzimin maksimal të saj në dobi të qytetarëve të Përmetit, të cilët nuk harrojnë se për vite me radhë e ashtuquajtura “shtëpi e kulturës” funksiononte vetëm si sallë bilardoje dhe lojërash bixhozi.

Të ndodhur përballë kësaj përpjekjeje të re grabitqare në dëm të komunitetit të tyre, një grup besimtarësh orthodhoksë përmetarë u vendosën në mjediset e kishës për të zhvilluar lutje intensive të pandërprerë dhe kreshmë absolute, për të zbatuar urdhrin e Perëndisë për t’u lutur dhe kreshmuar. Lutja e tyre i kërkon Perëndisë që të ndriçojë autoritetet më të larta të shtetit, të përmbushin këtë lutje për:

1. Kthimin pa kushte të ndërtesës me anë të një urdhri administrativ të qeverisë, që të urdhërojë organet e shtetit në Përmet dhe konkretisht Drejtorinë e Kulturës të tërhiqen nga pretendimet e padrejta për pronësi.

2. Caktimin përfundimtar të kufijve të truallit të kishës ashtu siç është njohur dhe kthyer nga Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.

3. Largimi i menjëhershëm i ndërtimeve të paligjshme mbi truallin e kishës, që kanë zaptuar sipërfaqe të konsiderueshme toke.

Ne u bëjmë thirrje besimtarëve orthodhoksë në gjithë Shqipërinë që të mbështetin me lutjet e tyre protestën për kishën e Shën Marisë në Përmet.

Orthodhoksët e Përmetit nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga vendimi, që kanë marrë. Kanë me vete të vërtetën, historinë, bashkëqytetarët, Shën Marinë. Janë të bindur se prej kishës së tyre shekullore buron edhe kulturë, nga sa thamë më lart bëhet e qartë se Shën Maria e Pazarit është shumë më tepër se shtëpia e kulturës, është TEMPULL I KULTURËS, me të cilën mund të krenohen të gjithë. Eshtë pjesë e pandashme e kulturës shekullore përmetare, e ndërtuar me gjakun dhe djersën e dhjetëra brezave. Diktatura komuniste nuk mundi ta zhdukte prej faqes së dheut. Këtë gjë nuk mund ta realizojnë aq më tepër simpatizuesit e saj. Ajo do të vazhdojë të mbetet e patundur e do të thirret prej përmetarëve ashtu si gjithmonë: SHËN MARIA E PAZARIT.

Pirro Kondili, Aleks Çuri